Fluksi i emigrantëve që festuan Pashkët në vendlindje ka sjellë radhë të gjata në pikën kufitare të Kapshticës, teksa qytetarët po rikthehen drejt shtetit grek.

Sipas informacioneve, dhjetëra automjete kanë krijuar një fluks të shtuar në dalje, ndërsa radha ka arritur mbi 1 kilometër.

Burime nga pika kufitare bëjnë me dije se pala shqiptare po punon me 5 sportele në dalje, pra me kapacitet të plotë, ndërsa pala greke operon me 6 korsi në hyrje të saj.

Megjithatë, kjo nuk ka mjaftuar që situata të zhbllokohet. 

Pasagjerët dhe shoferët e intervistuar nga Report TV tregojnë për vështirësitë e të qëndruarit në trafik, orët e gjata të pritjes në një situatë që,sipas tyre përsëritet sa herë ka lëvizje masive gjatë festave.

“Ishim në Shqipëri për Pashkë. Bëmë një orë e çerek që po presim. Janë hapur sportele por ka shumë ngarkesë” tha një prej udhëtarëve.

‘Kemi 4 orë këtu. Që në orën 11 jemi këtu. Ka shumë ngarkesë. Kam 35 vjet që kam emigruar në Greqi. Besoj do presim edhe 2-3 orë të tjera” tha një udhëtare tjetër

‘Kemi rreth 2 orë që po presim. Ka shumë trafik, shumë pengesa. Ishim në Shqipëri për festa” thotë një tjetër.

“Kemi 3 orë e gjysëm që po presim. Vijmë nga Tirana. Kemi frikë të vijmë në vendin tonë për shkak të trafikut. Qëndruam 5 ditë në Shqipëri. Besoj që do të presim edhe nja 3 orë të tjera” thotë një grua. 

Deri atëherë, këtyre emigrantëve nuk u mbetet gjë tjetër veçse të presin në radhë, mes lodhjes dhe nxitimit për t’u kthyer në jetën e përditshme në Greqi.