Kryetarët e disa komunave të Kosovës protestuan sot para objektit të Qeverisë në Prishtinë, duke kërkuar mbrojtjen e buxheteve, pronës dhe kompetencave të pushtetit lokal, si edhe kompensimin e detyrimeve që lidhen me kontratat kolektive. Në protestën e organizuar nga Asociacioni i Komunave morën pjesë drejtues të komunave të qeverisura nga PDK, LDK dhe AAK, ndërsa munguan kryetarët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Kryetari i Asociacionit të Komunave dhe njëherazi kryetar i Ferizajt, Agim Aliu, deklaroi se prej vitit 2022 deri në vitin 2026 komunave u janë marrë qindra milionë euro për të përmbushur detyrimet që burojnë nga kontratat kolektive.
Me këto fonde, tha ai, do të ishin ndërtuar shkolla, çerdhe, rrugë, kanalizime dhe objekte sportive.
Edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, akuzoi pushtetin qendror se po përdor institucionet për të ndëshkuar qytetarët në komunat ku Vetëvendosja nuk ka fituar zgjedhjet.
“Aty ku Vetëvendosja nuk fitoi, Qeveria po e bllokon buxhetin dhe investimet”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër, kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ngriti shqetësimin për vonesat në kompensimin e dëmeve në bujqësi, duke thënë se ka fermerë që presin ende dëmshpërblimet për dëmet e evidentuara që nga viti 2022. Ai i bëri thirrje Qeverisë të krijojë një mekanizëm të përhershëm kompensimi.
Protesta u kundërshtua nga kryetarët e komunave që i përkasin Lëvizjes Vetëvendosje. Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, tha se protesta “nuk e ka hallin e qytetarit, por agjendën e pazarit”, duke shtuar se detyrimet financiare të komunave lidhen me vendime të qeverive të mëparshme.
Në të njëjtën linjë ishte edhe kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, i cili deklaroi se Asociacioni i Komunave duhet të përfaqësojë të gjitha 38 komunat dhe jo të përdoret për përplasje politike. Edhe kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, hodhi poshtë pretendimet se Qeveria u ka marrë fondet komunave, duke theksuar se ato rikthehen përmes projekteve investuese.
Në përfundim të protestës, organizatorët njoftuan se kërkesat e komunave do t'i dërgohen zyrtarisht kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.








Komente
Komento