Një 30-vjeçar është arrestuar në Tiranë në kuadër të operacionit policor të koduar “Koordinimi. Emiljan Nikolli, alias Emiljan Lleshi ka kryer vjedhje në një karburant, në një market, si dha ka grabitur 4 taksistë, ku ka përdorur një pistoletë lodër.

Ai ka vjedhur edhe në katër raste, në markete e banesa. Ndërkaq, Nikolli dyshohet se ka djegur pjesërisht një automjet në Tiranë dhe ka kanosur me fjalë ish-vjehrrën e tij.

Në momentin e arrestimit nga policia, Nikolli ka qenë i shoqëruar nga një 42-vjeçar, në banesën e të cilit janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, armë gjahu, fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe aparat celular.

42-vjeçari u prodecua penalisht, ndërsa policia është vënë në ndjekje të 30-vjeçarit Aurel Luli, i cili është bashkëpunëtori i Nikollit.

Njoftimi i policisë

Lezhë

Finalizohet faza e dytë e operacionit policor të koduar “Koordinimi”.

Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i një serie vjedhjesh nën kërcënimin e armës.

Gjatë vitit 2025 dhe janarit të këtij viti, 30-vjeçari dyshohet se ka kryer 11 vjedhje, ndër to 7 nën kërcënimin e armës.

Gjithashtu, 30-vjeçari dyshohet se ka djegur pjesërisht një automjet në Tiranë dhe ka kanosur me fjalë ish-vjehrrën e tij.

Në vijim të operacionit policor të koduar “Koordinimi”, hetimeve të thelluara për zbardhjen e një sërë vjedhjesh të ndodhura përgjatë vitit 2025 dhe janarit 2026, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, Komisariatit të Policisë Lezhë, Komisariatit të Policisë Mirditë dhe Seksioni i Mbështetjes Operacionale i DVP Lezhë kanë organizuar dhe finalizuar fazën e dytë të operacionit “Koordinimi”.

Si rezultat i fazës së dytë të operacionit, në bashkëpunim me DVP Tiranë, u bë e mundur kapja në Tiranë e shtetasit E. N., alias E. Ll., 30 vjeç, banues në Mamurras, i dyshuar për veprat penale “Vjedhja me armë”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kanosja”, si autor i 11 vjedhjeve (dy karburanteve, një dyqani dhe 4 taksistëve nën kërcënimin e armës, ku dyshohet se ka përdorur një pistoletë lodër, si dhe ka kryer edhe 4 vjedhje të tjera, në markete e banesa).

Në momentin e ndalimit, 30-vjeçari ka qenë në shoqërinë e shtetasit G. D., 42 vjeç, lindur në Mamurras dhe banues në Tiranë, ku gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, armë gjahu, fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe aparat celular.

42-vjeçari u procedua penalisht për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve të gjahut” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”.

Vijon puna intensive për kapjen e shtetasit A. L., i dyshuar si bashkëpunëtor i 30-vjeçarit.

Identifikimi i autorëve u bë gjatë fazës së parë të këtij operacioni, të zhvilluar në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës.

Ndërkohë, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet e thelluara për zbardhjen e rasteve të tjera të vjedhjeve të ndodhura më parë, që dyshohet se janë kryer nga ky shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme.