Kreu i Bashkisë Fier e Kajolli të
pandehur, dhanë banesa për tregtarë

Kreu i Bashkisë Fier e Kajolli të<br />pandehur, dhanë banesa për tregtarë
TIRANE - Kryebashkiaku i Fierit Baftjar Zeqaj, 6 anëtarë të Këshillit Bashkiak mes tyre dhe Fatmir Kajolli, person ky i dënuar në Itali për trafik droge, janë marrë të pandehur nga prokuroria e Fierit. Vendimi për komunikimin e akuzës të “Shpërdorimit të detyrës” është marrë pak ditë më parë nga prokurorët e Fierit, pasi Zeqaj në cilësinë e kryetarit të Komisionit të Strehimit dhe 6 personat e tjerë në cilësinë e anëtarëve, kanë abuzuar me dhënien e banesave tek personat e pastrehë.

Në fakt shumë banesa, që jepen me qIra të lirë nga bashkia, nuk janë dhënë tek personat në nevojë, por ato i kanë përfituar individë që rezultojnë me biznese, prona dhe pasuri të paluajtshme në qytetin e Fierit. Veç 7 zyrtarëve të bashkisë, njësia Task-Forcë në Fier ka marrë të pandehur dhe një punonjëse të hipotekës, Mimoza Kollçinaku, e cila ndante vërtetime falso si dhe 5 personat Gazmir Dano, Enver Lloshi, Shaban Selaçi, Ylli Dhjari dhe Faslli Zhara, të cilët kanë falsifikuar dokumentat dhe më pas janë shpallur fitues të këtyre banesave, nga ana e bashkisë. Ndaj Zeqaj dhe 6 anëtarëve të komisionit është marrë masa e “Ndalimit të daljes jashtë shtetit”, duke ju sekuestruar pasaporta.

Kallëzues 15 shtetas
Hetimi ka nisur në bazë të kallëzimit nga 15 shtetas, të cilët kanë aplikuar pranë Bashkisë Fier për t’u trajtuar me banesa sociale si të pastrehë. Nga materiali kallzues dhe pyetja e personave të cilët nuk janë kualifikuar për trajtim me banesë sociale, është konstatuar se pretendimet e tyre lidhen së pari me faktin se Komisioni i Strehimit ka publikuar një listë e cila nuk ishte e pikëzuar, në ambientet e Bashkisë Fier. Në këtë mënyrë asnjëri prej tyre nuk kishte mundësinë për të mësuar se me sa pikë ishte vlerësuar nga Komisioni, që të kishte mundësinë të ankohej nëse nuk ishte dakort me vlerësimin.

Kallëzuesit kanë shpjeguar se Komisioni i Strehimit nuk ka marrë për bazë listën e parë të personave të cilët kanë aplikuar por kanë futur në listën e aplikuesve edhe persona të tjerë të rinj, të cilët kanë përfituar me vendimin përfundimtar të Këshillit të Bashkisë. Kallëzuesit pretendojnë se pavarësisht se kanë marrë pikët e nevojshme nga Komisioni i Strehimit, nuk kanë fituar në listën përfundimtare të miratuar nga Këshilli i Bashkisë. Kallzuesit kanë shpjeguar faktin se nuk ka patur transparencë gjatë shqyrtimit të kërkesave të tyre, pasi në listën e fituesve janë futur edhe persona të cilët janë me prona, biznes ose të afërm të këshilltarëve që kanë votuar në mbledhjen e Këshillit të Bashkisë Fier.

Përfituesit me biznese
Nga deklarimet e pjesëtarëve të Komisionit, ka rezultuar se ka pasur ankesa të cilat janë trajtuar nga Komisioni. Pas shqyrtimit të ankesave është përpiluar një listë tjetër prej 234 familjesh, me pikët përkatëse për çdo familje. Kjo listë është dërguar në total tek 31 këshilltarët këshillitg të Bashkisë.

Proçedura e votimit është zhvilluar e tillë që çdo anëtar përzgjidhte një numër prej 96 familjesh përfituese. Komisioni i votimit ka numëruar votat dhe ka përzgjedhur listën prej 96 familjesh përfituese që kanë marrë më shumë vota. Këshilli i Bashkisë Fier, me vendimin nr.31, datë 09.07.2012 ka miratuar listën e personave përfitues të dalë nga votimi individual i anëtarëve të Këshillit,përbërë prej 96 fituesish. Ka rezultuar se kallzuesit nuk janë në listën e përfituesve.

Nga hetimet e kryera pranë institucionit të ZVRPP Fier ka rezultuar se disa prej shtetasve përfitues si Shaban Selaci, Ylli Dhjari, Faslli Zhara, Enver Lloshi, Gazmir Dano, Ramo Mellaraj, kanë të regjistruar prona të paluajtshme në bashkëpronësi me familjarët e tyre, apartamente banimi. Ka rezultuar gjithashtu se disa prej përfituesve të banesave si të pastrehë, kanë të regjistruar troje ose tokë arë në bashkëpronësi si familje bujqësore. Nga hetimet e kryera pranë drejtorisë Tatimore Fier, ka rezultuar se disa prej shtetasve përfitues kanë qenë të regjistruar pranë këtij institucioni për ushtrim aktivitetesh biznesi familjare.

Janë konstatuar vërtetime të hipotekës Fier në të cilat pasqyrohet fakti për 6 persona përfitues që të mos kenë pasuri të regjistruara, ndërkohë që nga hetimi rezulton të kenë apartamente apo tokë në bashkëpronësi. Nga konkluzionet e aktit të ekspertimit grafik ka rezultuar se vërtetimet e hipotekës Fier janë nënshkruar nga punonjësja e këtij institucioni Mimoza Kollçinaku ndërkohë që më pas janë paraqitur nga personat përfitues pranë Bashkisë Fier për të plotësuar dokumentacionin e dosjeve përkatëse.
 
 Bashkiaku: Sulmi politik duan të mos rikandidoj
Reagon Baftjar Zeqaj pas akuzave të prokurorisë
 
Kryebashkiaku i Fierit Baftjar Zeqaj,e ka qujatur akuzën e prokurorisë si të pabazë dhe një sulm politik, për të mos e lejuar të rikandidojë. Zeqaj ka shtuar se prokuroria ka hapur një çështje të vjetër dhe të lënë pas dore për mëse dy vite me rradhë. Më tej kryebashkiaku është shprehur se është i hapur për çdo hetim dhe do përballet me prokurorinë e Fierit, në gjykatën e këtij qyteti ku do kërkojë pafajësinë. Në një prononcim për televizionin “A1 Report”, Zeqaj ka pohuar se:

”Nuk flitet fare për falsifikim dokumentesh por për shpërdorim detyre. Është një çështje që ka ndodhur para dy vjetësh, u kam dhënë 96 qytetarëve të Fierit banesa sociale, dhe po para dy vjetësh është sqaruar akuza që s’kanë përfituar nga kjo ndarje me konsensus nga komisioni i strehimit dhe këshilli bashkiak. Mesa duket është rihapur kjo çështje dhe më duket një çështje shumë bastard, një akuzë shumë e turpshme, 96 familje kanë përfituar, janë njerëz që kanë qenë në nevojë. Akuza për falsifikim dokumentesh? Ndonjë qytetar mund të ketë tokë të regjistruar, që është një çështje që zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme mund të ketë probleme.

Të gjithë qytetarët janë sqaruar për ato që kanë përfituar. Nuk janë prona, por janë shtëpi, hyrje me pronar këshillin bashkiak që i janë dhënë me qera disa qytetarëve. Sulm i turpshëm që bën prokuroria, është çështje që është sqaruar para dy vjetësh. Nuk është një çështja ime personale por është një mirëkuptim mes PS së Fier dhe asaj së qendrës. Për mua është një sulm ndaj rikandidimit, por rikandidimi im s’është etje për të vazhduar detyrën e kryetarit të bashkisë. Kush do të jetë kandidati s’është çështja ime personale, por është marrëveshje që do të arrihet nga PS në bazë dhe në qendër”.

 
“Shpërdorim detyre”
Baftjar Zeqaj
Agron Begaj
Fatmir Kajolli
Ramiz Hoxhaj
Alfred Boçova
Selman Braçe
Esmeralda Kapllanaj

“Falsifikimi i dokumentave”
Mimoza Kollçinaku
Gazmir Dano
Enver Lloshi
Shaban Selaci, 
Ylli Dhjari, 
Faslli Zhara


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 27 Dhjetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

'Asnjë taksë për 10 vite!' Rama fton shqiptarët në Britani të investojnë në malet e Shqipërisë

'Asnjë taksë për 10 vite!' Rama fton shqiptarët në Britani të investojnë në malet e Shqipërisë