FIER - Rihapja e hetimit dhe dërgimi në gjykatë i çështjes së banesave sociale është e çuditshme për kryebashkiakun e Fierit Baftjar Zeqaj, por ai shprehet se nuk i druhet ballafaqimit në Gjykatë. Kryebashkiaku i Fierit i akuzuar për “shpërdorim detyre” së bashku me 6 anëtarë të Komisionit të Strehimit në vitin 2012 nuk përjashton mundësinë që gjykimi ndaj tij vetëm 6 muaj përpara zgjedhjeve lokale të ketë prapavijë politike.

Ne duhet të bindim Gjykatën me argumente sëpari, pastaj të flasim edhe për paragjykimet që mund të kemi. Mund të jetë ëdhe një lojë politike”, shprehet Zeqaj.

Pretendimet e qytetarëve që çuan në prokurori çështjen e banesave sociale lidhen me dhënien e apartamenteve në mënyrë të padrejtë personave që kanë prona dhe biznese. Për këtë kryebashkiaku Zeqaj sqaron se dokumentacioni i përfituesve të banesave sociale përpara 2 vitesh nuk tregon asnjë rast të tillë.

Unë dua të theksoj se të gjithë qytetarët që kanë deklaruar përpara noterit për të gjithë gjendjen e tyre familjare për pronësi. Ne kemi në dispozicion të gjithë dokumentet e domosdoshme që pikëzimi që ka bërë Komisioni dhe Këshilli i Bashkisë ka qenë shumë i drejtë”, thotw kryebashkiaku Zeqaj.

Dosja e banesave sociale u pezullua nga prokuroria përpara 2 vitesh për mungesë provash, por u rihap përpara disa muajsh. Prokuroria akuzon Komisionin e Strehimit dhe kreun e bashkisë për “shpërdorim detyre”. Nga projekti i banesave sociale përfituan strehim 96 familje në Fier. 

Veç 7 zyrtarëve të bashkisë, njësia Task-Forcë në Fier ka marrë të pandehur dhe një punonjëse të hipotekës, Mimoza Kollçinaku, e cila ndante vërtetime falso si dhe 5 persona, të cilët kanë falsifikuar dokumentet dhe më pas janë shpallur fitues të këtyre banesave, nga ana e bashkisë. Ndaj Zeqajt dhe 6 anëtarëve të komisionit është marrë masa e “Ndalimit të daljes jashtë shtetit”, duke ju sekuestruar pasaporta.
 
Redaksia Online
(Shqiptarja.com)