-Evropa është duke u përballur me sfida të shumëfishta. Nga këndvështrimi shqiptar, ku mendoni se duhet të vendoset fokusi, për t’u përballur me atë që ju e quani kriza e shumëfishtë e Europës...
Kryeministri Rama: Të jesh i vogël nuk është gjithmonë një gjë e keqe, sepse për shembull, nuk ke nevojë të udhëheqësh. Mjafton të identifikosh rrugën dhe liderin për të ndjekur. Ne i kemi identifikuar dhe po ndjekim me vendosmëri rrugën e lidershipit amerikan e gjithashtu të lidershipit europian, që meqë ra fjala nuk është gjithmonë e qartë nëse ekziston. Për shembull, nëse marrim rastin e krizës së refugjatëve, kemi një lidership të shkëlqyer të Kancelares Merkel, me gatishmërinë e saj për t’u përballur me krizën duke nënvizuar vlerat më të mira evropiane, por nuk mund të themi të njëjtën gjë për Bashkimin Evropian si një i tërë. Ne po shohim gjëra që janë të pabesueshme, në kuptimin e se si disa vende të Bashkimit Evropian përballen me këto çështje, me mënyrën se si disa vende evropiane janë duke thënë që “po ne i mirëpresim refugjatët, por ata duhet të jenë katolikë”. Disa vende të tjera të BE-së, thjesht refuzojnë çdo mundësi për të qenë pjesë e një projekti të përbashkët. Kështu që, nëse do të më duhej t’i përgjigjesha shkurtimisht pyetjes suaj se gjëja më dekurajuese në të gjithë këtë situatë komplekse është mungesa e një strategjie të përbashkët të Bashkimit Europian.
-Ju do të takoni Presidentin e SHBA-së dhe Zv/presidentin, nesër. Cila është pritshmëria juaj për këtë partneritet?
Kryeministri Rama: Pikë së pari, është shumë i rëndësishëm fakti që ne kemi tani një marrëveshje të përbashkët e të dakordësuar të bashkëpunimit strategjik, për të cilën punojmë bashkë. Në të njëjtën kohë, ndonëse jam i gjatë, siç ju e përcaktuat më parë, jam gjithmonë i vetëdijshëm për madhësinë e vendit që përfaqësoj, ndaj nuk pretendoj të ndryshoj apo imponoj diçka. E vetmja gjë, që besoj e pretendojmë me të drejtë, është një angazhim i përhershëm i SHBA-së ndaj Shqipërisë dhe rajonit, sepse siç thashë është një histori e madhe suksesi që nuk duhet të prishet. Është një arritje e madhe mbi të cilën duhet të vazhdojmë të ndërtojmë. Fakti që SHBA-të janë një element kyç në këtë transformim historik të Ballkanit, është një gjë vërtet e madhe për ne. Nga ana tjetër, unë mendoj që mund të bëjmë më shumë. Patëm një ditë më parë një takim të shkëlqyer me Administratoren e Përgjithshme të USAID-it. Mund të bëjmë më shumë ekzaktësisht në luftën ndaj ekstremizmit, e jo vetëm atij të dhunshëm, por edhe ekstremizmit në vetvete, mund të angazhohemi në modele të suksesshme të modernizmit të luftës ndaj korrupsionit, për të bërë vendin tonë dhe vendet tona vende më të mira.
(Ambasadori i USA në Shqipëri Donald Lu)- Amerikanët dashurojnë basketbollin zoti Kryeministër. A ka diçka për të cilin basketbolli ju ndihmon që të jeni një Kryeministër më i mirë? Për të gjithë ata që nuk e dinë, Kryeministri Rama jo vetëm që ka ndërtuar një fushë basketbolli në ambientet e Kryeministrisë, por ai ka vendosur një kosh basketbolli edhe në zyrën e tij, ndaj edhe mund të gjesh në të ndonjë send të thyer.
Kryeministri Rama: Kjo nuk është një çështje për të cilën do të flas nesër me Presidentin Obama; për fusha basketbolli në institucione apo për mënyrën se si basketbolli të ndihmon të jesh më i mirë se të tjerë.
-Ju prekët çështjen e ndikimit rus dhe shpesh herë, kur ndërkombëtarisht flitet për këtë ndikim, Ballkani nuk përmendet. Do të doja të dija mendimin tuaj për mënyrën se si Rusia po përpiqet të influencojë rajonin dhe se çfarë pasojash kjo mund të ketë? Një tjetër pyetje; Shqipëria është shumë e rëndësishme në rajon, por vendet në rajon, përfshi Shqipërinë kanë përjetuar një numër problemesh, që nga koha e tranzicionit, përsa i përket klimës politike. Sa e rëndësishme është, në këndvështrimin tuaj, përballja me këto dy probleme?
Kryeministri Rama: Pikë së pari, mund të them vetëm se ka një qasje më aktive të Rusisë në rajon. Ka një tentativë të qartë për të ushtruar një lloj ndikimi. Nuk them se është e njëjta tentativë në të gjithë vendet, por në disa shtete po bëhet gjithmonë e më e dukshme. Nga ana tjetër, ne duhet të përballemi si vende të rajonit me një sfidë që ka të bëjë me të shkuarën tonë, një sfidë që unë thjesht do ta lidhja me shpejtësinë e integrimit të ish-vendeve komuniste. Është interesante, në këndvështrimin tim, për të parë se si shpejtësia e integrimit të vendeve komuniste është përcaktuar nga e shkuara e tyre. Vende si Polonia, Republika Çeke, Sllovakia, sa për të përmendur disa që iu bashkuan Evropës më shpejt, janë vende që e patën më të lehtë për të gjetur pikë lidhje me të shkuarën e tyre, përsa i përket institucioneve, akademive, rrjeteve fetare, etj. Për vende si Rumania dhe Bullgaria, që ishin të fundit që u integruan dhe që trajtohen sot ndonjëherë si “delet e zeza” të procesit të integrimit, integrimi ishte më i vështirë sepse gjetja e pikëlidhjeve me të shkuarën ishte më e vështirë, pasi shteti dhe institucionet që i bëjnë njerëzit të jetojnë në një mënyrë të organizuar ishin shumë më të dobët. Kështu që, nëse për Poloninë, integrimi në Bashkimin Europian ishte një lloj kthimi në të shkuarën e saj, për vendet e Ballkanin Perëndimor është një rrugëtim drejt një destinacioni ku nuk kemi qenë kurrë më parë, sa i takon institucioneve dhe organizimit. Kjo përcakton gjithashtu sfidat me të cilat përballemi. Nëse sot duhet të përballemi me sfida si korrupsioni apo mungesa e vullnetit për t’ju bindur ligjit, kjo ka të bëjë me mungesën e modernizmit. Ndaj, ne duhet të modernizohemi. Sa më modern të jetë një vend, aq më pak hapësirë ka për korrupsionin dhe aq më shumë vullnet ka për zbatimin e ligjit. Për sa i përket klimës politike, ne jemi këtu në Uashington dhe ky nuk është një vend ku ne, ose të paktën unë, nuk ndihem i turpëruar për sa i përket jetës sonë politike. Për të folur troç, unë mendoj që nëse ka diçka që nuk duhet marrë shembull nga Uashingtoni, ajo do të ishte mënyra se si partitë merren vesh për të mirën e vendit. Kjo është diçka të cilën nuk mund ta mësojmë në Uashington, pasi asnjë republikan apo demokrat nuk mund të thotë se sa shumë e duan njëri-tjetrin dhe se sa të gatshëm janë të bashkohen rreth kauzave të rëndësishme. Unë nuk jam krenar për jetën tonë politike, në pikëpamjen se sa konfrontuese është.
Këshilli i Atlantikut
Kryeministri Edi Rama mbajti një fjalim në Këshillin e Atlantikut të Veriut në Uashington, ku shpalosi pikëpamjet e Shqipërisë për sigurinë në rajonin e Ballkanit.
Përgjigja për Lu
“Kjo nuk është një çështje për të cilën do të flas nesër me Presidentin Obama; për fusha basketbolli në institucione apo për mënyrën se si basketbolli të ndihmon të jesh më i mirë se të tjerë”.
Redaksia Online
L.Q/Shqiptarja.com