Kreu i Kuvendit të Bujanocit:
Bënë shaka me 100 mijë euro!

Kreu i Kuvendit të Bujanocit:<br />Bënë shaka me 100 mijë euro!
BUJANOC- Për kreun e Kuvendit Komunal të Bujanocit, Jonuz Musliu vendimi i së shtunës (11 janar) i Qeverisë së Shqipërisë dhe të Kosovës, për t’i ndarë 100 mijë euro për Luginën e Preshevës, është shaka, pasi sipas tij, këto para do të mund t’i ndanin edhe individët.

“Këto para që do të ndahen për Luginën e Preshevës munden edhe individët të bëjnë. Lugina e Preshevës është çështje kombëtare, jo humanitare”, shprehet Musliu.

Gjatë një interviste për “Zërin” Musliu thotë se mënyra më e mirë, më e drejtë dhe më e qëndrueshme për zgjidhjen e çështjes shqiptare në Luginën e Preshevës është bashkimi me Kosovën.

Krijimi i fondit për shqiptarët e Luginës së Preshevës, a mendoni se do t’i përmbushë nevojat e shqiptarëve?
Gjithsesi krijimi i një fondi zhvillimor për Luginën e Preshevës, është i mirëseardhur dhe i domosdoshëm. Qeveria e Shqipërisë dhe kryeministri i saj Rama, kanë iniciuar idenë për formimin e një fondi për Luginën e Preshevës dhe një iniciativë e tillë është për t’u përshëndetur. Ideja për një hap të tillë konkret ka qarkulluar edhe më herët në Luginë, besoj se një nismë e tillë do të mbështetet edhe nga Qeveria e Kosovës. Ne akoma nuk dimë për shumën e mjeteve të akorduara në këtë Fond, por sado që të jetë lartësia e tij, ai do t’i përmbushë deri diku kërkesat e shqiptarëve të Luginës për një jetë më të mirë. Lugina e Preshevës ka nevojë për ndihmën e Shqipërisë, sado e vogël të jetë ajo. Me rëndësi është se për herë të parë shteti amë e hap kuletën për bashkëkombësit e saj në Luginë dhe kjo është për çdo lëvdatë.

Fond të përhershëm për Luginën

A keni bërë llogari sa para do t’i mjaftonin komunitetit shqiptar në Luginë?
Drejtuesit e institucioneve komunale dhe përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, ditë më parë, i janë drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, me një rekomandim se si duhet të avancohet çështja e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, përfshirë edhe ndihmat financiare. Në këtë Rekomandim, janë precizuar kërkesa konkrete si në fushën e arsimit, kulturës, informimit, shëndetësisë dhe zhvillimit ekonomik. Lugina e Preshevës, është një nga viset më të prapambetura ekonomikisht në rajon, me një shkallë të lartë të papunësisë dhe varfërisë ekstreme. Kësaj situate të mjerueshme ekonomike, kur t’ia shtojmë atë të pranisë së shtuar të forcave serbe përgjatë kufirit me Kosovën, të lë me kuptuar se sa e vështirë është jeta e shqiptarit në këto hapësira. Komuniteti shqiptar i Luginës së Preshevës ka nevojë për një fond të përhershëm zhvillimor, i cili do të ngriste mirëqenien sociale të shqiptarëve në këtë rajon, do krijonte vende të reja pune si dhe do të hapte shpresa të reja për një jetë me dinjitet në vatrat stërgjyshore, të cilat mjerisht kanë filluar të zbrazen e të boshatisen në heshtje.

Sa do ta përmirësonte gjendjen ndihma që po flitet se do të vijë nga Kosova dhe Shqipëria?
Fondi i përbashkët Shqipëri- Kosovë për Luginën e Preshevës do ta përmirësonte dukshëm gjendjen e keqe të shqiptarëve për një jetë më të mirë. Ky fond, do të jetë një motiv i madh për shqiptarët për të qëndruar në vatrat e tyre stërgjyshore dhe një ndjenjë e ngrohtë vëllazërore në rrugën e realizimit të aspiratave shekullore për liri dhe pavarësi. Fondi, gjithashtu, do të ndërpriste rrugën e migrimeve shqiptare për shtetet perëndimore për kushte më të mira jetësore. Me Fondin zhvillimor, shqiptarët do të stimulohen në ngritjen dhe afirmimin e vlerave kulturore, arsimore, shëndetësore etj.

A është ky momenti i duhur që të krijohet ky fond, është herët apo janë vonuar?
Një fond i tillë është dashur kaherë të formohet, por edhe tashti nuk është vonë. Nuk thuhet kot “më mirë vonë se kurrë!”. Jehona për formimin e Fondit për Luginën e Preshevës, është mirëpritur nga shqiptarët e këtij rajoni dhe po gjen mbështetje edhe nga shqiptarët gjithandej viseve etnike dhe diasporës. Me pavarësinë e Kosovës dhe krijimit të dy shteteve shqiptare në Ballkan, krijimi i Fondit për Luginën e Preshevës e ka gjetur momentin e duhur, vetëm duhet sinqeritet në përmbushjen e tij.

A mjafton fondi prej 100 mijë euro i ndarë për Luginën?
Ky fond është hajgare, pasi që këto mjete mund t’i ndanin edhe individët. Lugina e Preshevës është çështje kombëtare e jo humanitare.

Bashkimi me Kosovën, zgjidhja më e mirë

Si mendoni se do të ishte mënyra më e mirë e zgjidhjes së problemit kombëtar? ( do të pranonit këmbim territoresh, ide e shumëpërfolur)?
Mënyra më e mirë, më e drejtë dhe më e qëndrueshme për zgjidhjen e çështjes shqiptare në Luginë të Preshevës është bashkimi me Kosovën. Ky opsion ka gjetur mbështetjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në Referendumin e 1 dhe 2 marsit 1992, për bashkim me Kosovën, pastaj me luftën çlirimtare të UÇPMB-së, Marrëveshjen Paqësore të Konçulit dhe marrëveshjeve të tjera shqiptare, të përcjella me platforma politike, deklarata dhe forma të tjera të shprehjes politike. Për ne do të jetë e pranueshme Për ne do të jetë e pranueshme çdo rrugë e drejtë qoftë edhe me këmbim territoresh, vetëm të realizohet ëndrra shekullore e shqiptarëve për bashkim me Kosovën. Shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk kanë tjetër alternativë alternative veç opsionit të shprehur me Referendum dhe luftës së saj të shenjtë për liri dhe bashkim kombëtar.

Marrë nga "Zëri"

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane