Fushatat e vaksinimit dhe masat kufizuese anti-COVID nuk kanë arritur të ndalojnë ritmet e përhapjes së COVID-19. Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se rastet e koronavirusit vazhdojnë të rriten globalisht me ritme shqetësuese madje në javët e fundit janë dyfishuar rastet.
Në një konferencë për shtyp të premten, kreu i OBSH-së tha se numri i rasteve të reja “po i afrohet shkallës më të lartë të infeksionit që kemi parë deri më tani gjatë pandemisë”. Duke theksuar edhe njëherë shqetësimin se shumë vende të cilat kishin arritur të vënë nën kontroll pandeminë tanimë kanë pasur rritje të theksuar të rasteve.
“Deri në fillim të këtij viti, Papua Guinea e Re kishte raportuar më pak se 900 raste dhe nëntë viktima,” tha Tedros. Vendi tani ka regjistruar më shumë se 9,000 raste dhe 83 viktima, gjysma e të cilave u regjistruan gjatë muajit të fundit.
Duke marrë pikërisht si shembull një vend të vogël, Tedros theksoi edhe njëherë domosdoshmërinë e shpërndarjes sa më të shpejtë të vaksinave. Deri më tani, COVAX ka dërguar rreth 40 milion vaksina në më shumë se 100 vende.