Forcimi i llogaridhënies në sistemin e drejtësisë dhe trajtimi i ankesave ndaj gjyqtarëve e prokurorëve ishin në qendër të takimit mes Kryetarit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadorit Michel Tarran, dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani.

Sipas njoftimit të Prezencës së OSBE-së, dy zyrtarët diskutuan zhvillimet e fundit në sistemin gjyqësor dhe çështjet që lidhen me mandatin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Në fokus ishte roli i ILD-së në garantimin e llogaridhënies në sistemin gjyqësor, përfshirë shqyrtimin e ankesave dhe çështjeve disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Gjatë takimit u diskutua edhe për rëndësinë e respektimit të procesit të rregullt ligjor, konsistencës dhe pavarësisë së gjyqësorit dhe prokurorisë, si edhe për dhënien efektive të drejtësisë dhe forcimin e besimit të publikut te sistemi i drejtësisë.