Kreu i PD Lulzim Basha thotë se inceneratorët dhe “Mali i Tiranës” janë faqet e së njëjtës monedhë, ku paratë e korrupsionit pastrohen përmes skemave të ndërtimit të kullave. Basha përsërit thirrjen që SPAK të hetojë ndërsa kërkon vetting të politikanëve.

Dy faqe të së njëjtës monedhë i quan kryedemokrati Lulzim Basha inceneratorët dhe projektin e kullës më të madhe në rajon, “Malin e Tiranës’ që po ndërtohet pas teatrit të Operas dhe Baletit.

“Afera korruptive e Inceneratorëve, për zbardhjen e të cilës Partia Demokratike ka bërë një betejë të gjatë publike, tashmë e faktuar si e drejtë nga arrestimet dhe sekuestrimet e SPAK, dhe pastrimi i parave përmes ndërtimit të kullave me bilance të padeklaruara dhe të falsifikuara, siç është rasti i fundit në zemër të Tiranës i kallëzuar në SPAK nga grupi i këshilltarëve bashkiakë të PD, janë dy faqe të së njëjtës monedhë.”

Për Kreun e Partisë Demokratike inceneratorët dhe kulla tregojnë skemën sesi paratë e korrupsionit të politikës pastrohen në ndërtim.

“Me aferën e inceneratorëve janë grabitur miliona euro nga xhepat e taksapaguesve shqiptarë. Këto para të korrupsionit qeveritar në bashkëpunim me krimin e organizuar dhe krimin ekonomik më pas pastrohen nëpërmjet skemave të ndërtimit të kullave luksoze në mes të Tiranës.”

Basha rikujton se PD I kërkon SPAK për të hetuar ndërsa thotë se të djathtët nuk do të tërhiqen nga e vettingut të politikanëve.