DURRES- Zgjedhjet brenda PD dhe kryesisht për drejtuesit e lartë në Durrës kanë sjellë në vëmendje rolin e ish-kryetarit Berisha i cili dhe tani që i ka lënë vendin Bashës, vendos për drejtuesit vendorë. Janë tërhequr nga gara Xhaferraj dhe Arqile Gorrea.
 
Pas zgjedhjes së Lulzim Bashës në krye të PD dhe mënjanimit të grupit ‘Olldashi’ nga procedurat e zgjedhjes së tij në Durrës, dega e PD në qytet është e çoroditur. Në mjediset e PD së qytetit bregdetar flitet se kjo degë do ketë një kryetar të ri, por se cili është ai kjo ende mbetet mister. Figura të PD në Durrës thonë se emrin e ri e di vetëm Sali Berisha. Në qarkullim për kreun e PD dega Durrës janë disa emra që i përkasin gjeneratës së re në PD, por nuk mungojnë as emrat e ‘xhaketave të vjetra’ të cilët dëshirojnë ta drejtojnë këtë degë. Ka të tjerë që kanë bërë tërheqje nga kjo sfidë ku spikasin emra mjaft të njohur sikurse janë ato të Ferdinand Xhaferrajt, Arqile Gorresë apo Eduart Ndreut.
 
Gara
Edhe pse po mbushen 4 muaj nga zgjedhjet e 23 qershorit,dega e PD në Durrës ende nuk është njohur me emrat që do të konkurrojnë për kreun e kësaj dege. Burime nga kjo degë thonë se nuk është përcaktuar ende muaji dhe data se kur do të nisin procedurat për zgjedhjen e krerëve të PD në Durrës e në rrethe.

Gjithashtu po këto burimë sqarojnë se askush nuk i di më sakëtsi se cilët do të jenë emrat që do të konkurrojnë për kreun e degës së dytë në vend për nga rëndësia dhe madhësia. Sipas tyre do të jetë përsëri Sali Berisha ai që do të vendosë për kreun e PD në Durrës dhe në rrethet e tjera. Një pjesë e figurave të PD në Durrës të cilët përfliten si knadidatë të mundshëm për kreun e kësaj dege e kanë mohuar dicka të tillë.Ndërsa të tjerë kanë lënë të kuptohet se e dëshirojnë dicka të tillë.
 
Emrat
I pyetur nëse do të kandidonte për kreun e PD në Durrës,ish Drejtori i Postave Arqile Gorrea tha se "unë nuk do të kandidoj për këtë post politik pasi jam i mendimi se kryetari duhet të jetë i moshës së ndërmjetme" pra as i vjetër dhe as fare i ri.
Ndërsa Ferdinand Xhaferraj u përgjegj se "unë kam hequr dorë nga konkurrimet në Durrës për çfarëdo pozicioni". Ai është vendosur në Tiranë ku jep mësim në universitet.
Genc Juka,një tjetër emër i njohur në politikë, i larguar sëfundmi nga pozicioni i prefektit të Durrësit la të kuptohej se do të kandidonte për kreun e PD nëse kjo do ti kërkohej nga qendra. Juka tha se "është ende shpejt për tu deklaruar "por la të kuptohej se ka dërguar projektin e tij në Tiranë për të marrë në dorë kreun e PD së Durrësit.

Eduart Ndreu,ish drejtori i Portit për 8 vjet,i njohur si njeri ndër njerëzit më të afërt të Sokol Olldashit tha se "nuk kam kurrfarë informacioni se cpo ngjet me PD dhe nuk kam ndermend që të kandidoj për kreun e saj". Edhe Zamir Ramadani,ish Drejtori i Përgjitshëm i Hekurudhave, deklaroi se i hapte rrugën më të rinjve në këtë garë. Ndërkohë emra të tjerë që përfliten për kreun e kësaj dege janë ai i Skerd Cerloit, Bedri Lukut e Ardian Mukës të cilët i përkasin gjeneratës së dytë të PD.
 
Shkrimi u publikua sot (20.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)