TIRANE- Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi në fjalën e tij në Kuvendin e Shqipërisë u ndal tek përpjekjet gjatë këtyre 23 viteve për të çuar vendin drejt integrimit europian, ndërsa theksoi se mungesa e konsensusit dhe bashkëpunimit kanë ndikuar negativisht.

Duke u ndalur tek progress-raporti i KE për Shqipërinë, Idrizi tha se deri më tani janë bërë arritje në disa sektorë, dhe përmbushje të rekomandimeve, por ka ende shumë punë për të bërë, ndërsa theksi vendoset tek konsensusi.

Të nderuar Kolegë Deputetë, Nëse ka një pyetje që gjithësecili prej nesh duhet t’ia bëjë vetes sot është: A është normale dhe e denjë kjo sallë sot, pikërisht një ditë pasi Komisioni Evropian ka bërë rekomandimin për marrjen e statusit të vendit Kandidat për në BE? 23 vite më parë studentët shqiptarë u ngritën në një lëvizje të madhe dhe historike kundër diktaturës komuniste dhe e rrëzuan atë me thirrjen: E duam Shqipërine si gjithë Evropa. Por sot, pas 23 vitesh, bilanci i shpresës dhe pritshmërive popullore nga ne politikanët është pothuajse dramatik.

FJALA E KREUT TE PDIU NE KUVEND
Dështuam të ecim me ritmin e ëndrrës dhe dëshirës popullore për të ndërtuar demokraci, liri, shtet të së drejtës dhe një shoqëri solidare e humane. Dështuam ti udhëheqim shqiptarët në një proces dinamik e të përgjegjshëm që respekton e përputhet plotësisht me vullnetin e tyre për t’u integruar në BE. Dështuam që të ndërtojmë kulturën e dialogut, konsensusit, bashkërendimit dhe gjithëpërfshirjes, si elementë të rëndësishëm të ushtrimit të detyrave tona, si politikanë të votëbesuar nga qytetarët tanë për të qenë të përgjegjshëm, llogaridhënës dhe transparentë. 23 vite pas lëvizjes studentore të dhjetorit ‘90, ne jemi këtu përsëri në zgrip të ndarjes së madhe, konfliktit të radhës, mosmarrveshjes së cikluar e ricikluar pa pushim.

Me këtë rrëfim të sinqertë, nuk dëshiroj të them se nuk janë bërë gjëra të mira në keto 23 vite. Përkunderazi, kemi arritur shumë. E kemi transformuar Shqipërinë duke e bërë një vend me ligjet dhe kushtetutën e një vendi demokratik që me të drejtë aspiron integrimin evropian. Kemi transformuar institucionet, infrastrukturën, ritmin dhe arsyetimin e zhvillimit ekonomik, jemi antarësuar në NATO, e tashmë jemi vetëm 1 hap më pranë marrjes së Statusit të vendit Kandidat për në BE. Por, nëse ia kemi dale mbanë të ndërtojmë një ngrehinë të mirë, që mund të bëhet akoma më e mirë për shtetin dhe shoqërinë tonë, dështimet tona kanë qenë të tilla që kanë devijuar, tjetërsuar dhe shpesh vrarë shpirtin e shoqërisë sonë. Kemi rendur me populizëm por edhe me ngasje për triumfalizëm drejt sukseseve personale apo partiake, duke e përjashtuar pjesën tjetër, e kësisoj duke mos punuar për të tërën.

Në këto 23 vite, ata që kanë qenë në pushtet më shumë kanë rendur drejt partiakizimit të çështjeve, zgjidhjeve, sukseseve dhe arritjeve, napo partitë a palët që janë në krahun e kundërt. Në të njëjtën mënyrë, kanë vepruar edhe ata që kanë qenë në Opozitë, duke ndërtuar si kauzë partiake: mohimin dhe asgjesimin e arritjeve dhe sukseseve të palës tjetër. Kemi ecur si dy shoqëri të ndara, ndaj edhe kemi ecur kaq ngadalë. Kjo është edhe arsyeja, pse unë them se 23 vite janë shumë për të bërë kaq pak, për vendin tonë dhe qytetarët tanë. Po të mendojmë këtu, edhe faktin se sikurse shqiptarët kanë 23 vite që na e japin shansin duke na votëbesuar, edhe Bashkimi Evropian ka 3 vite që na fton në gjirin e tij krejt pa kushte. Edhe ato që janë konsideruar si 12 kushte, rëndom këtu në sqeprrahjet e politikës shqiptare, në fakt kanë qenë 12 prioritete që ne si klasë politike shqiptare duhej t’i plotësonim. 12 prioritete si 12 arritje tonat.

E përsëris, Jo kushte të BE, por prioritete për arritje tonat për të mirën e të gjithë shqiptarëve. E ja ku mblidhemi sot këtu në këtë Kuvend, 1 ditë pasi Komisioni Evropian ka bërë rekomandimin e tij të tretë që Shqipëria ta marrë Statusin e vendit Kandidat. Jemi përsëri të ndarë, përsëri në garë për meritën apo dëmin e radhës, përsëri në papërgjegjshmëri totale e cila rrezikon të na shndërrojë për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, neve politikanëve, në ngadalësues të qëllimshem në rastin më të keq, ose ngadalësues nga paaftësia në rastin më të mirë. 3 prioritetet e fundit që u përmbushën me konsensus nga politika shqiptare përmbanin edhe Ligjin për Nëpunësin e Shërbimit Civil. Sot, 1 ditë pas rekomandimit të Komisionit Evropian, që Shqipëria të marrë Statusin e Vendit Kandidat, ne jemi këtu në këtë Kuvend, për të zhbërë atë konsensus që me aq mund e kohë-humbje, u dha në 30 majin që shkoi. Akti-Normativ i Qeverisë, mund të ketë gjithë dëshirën e mirë, për të korrektuar nevojat e ndërhyrjeve teknike në Ligj dhe plotësimin me Aktet e nevojshme nënligjore të cilat mungojnë. Por ka ardhur këtu në këtë Kuvend si fryt i politikës dhe kulturës së gabuar që na ka ndarë në këto 23 vite.

Akti normativ ka ardhur si Akt i faktit të kryer. Dhe të gjithë e dimë se konsensusi mbi faktin e kryer është një mision i pamundur. Shqipëria ka nevojë për Ligje të mira, por mbi teë gjitha Shqipëria ka nevojë për kulturën e drejtë të përfilljes dhe respektit ndaj njeri-tjetrit, në mënyrë që të kemi mundësi të dialogojmë, bashkërendojmë dhe gjithpërfshihemi. Kultura e gabuar që na ka ndarë në këto 23 vite është kultura e tiranisë së shpërfilljes. Sot Akti Normativ vjen si Akt konfirmues i kësaj Tiranie të Shpërfilljes, që ka në themel të veprimtarisë së saj politika shqiptare, ku shumicat bëjnë ç’të duan e si të duan, ndërsa Opozita mohon e refuzon gjithçka e me çdo mënyrë. Ne si PDIU e refuzojmë këtë politikë të ndasive, ndarjeve dhe ecejakeve apo rendjeve si Shumica fitimtare kundër pakicave humbëse, apo si Pakica të dëshpëruara kundër Shumicave të Pamerituara. Fituesit dhe humbësit në demokraci përcaktohen nga vota e Shqiptarëve, e duhet t’u jenë besnike interesave, vullnetit dhe qëllimeve të shqiptarëve si tërësi.

Shqipëria sot, ka Socialistë për Rilindje dhe Socialistë për Integrim, ka Demokratë, Republikanë dhe Monarkistë, por ka edhe një domen të rëndësishëm dhe përbashkues në mes, që është kombëtarizmi. PDIU është në këtë domen, që synon t’i inkurajojë të gjithë liderët politikë shqiptarë, të gjitha palët politike që të gjejnë prehje tek domeni i Kombëtarizmit, sepse vetëm aty do të bëhen më të mirë, më të drejtë, më humane, më solidare, më të përgjegjshëm, më llogaridhënës dhe më transparente. Ne 5 deputetët kombëtaristë të PDIU kemi ardhur sot në këtë seancë, për të kërkuar arsyet pohuese dhe jo ato mohuese, arsyet që na bashkojnë dhe jo ato që na ndajnë, arsyet që na bëjnë të përgjegjshëm për fatet dhe shpresat e qytetarëve tanë, e jo dëshpërues dhe ngadalësues të ëndrrave dhe vullneteve të mbara e të merituara të qytetarëve shqiptarë. Ndaj ne 5 deputetët kombëtaristë të PDIU deklarojmë: se sot ne i japim konsensus parlamentarizmit, duke refuzuar bojkotin e Kuvendit. Por njëkohësisht, ne 5 deputetet kombëtariste të PDIU, i japim konsensus të plotë edhe Opozitës shqiptare, duke votuar kundër Aktit Normativ, si një Akt i kulturës së gabuar, pra kulturës së Faktit të Kryer.

Ka gjithmone një mënyrë për të qenë në dialog e konsensus me njeri-tjetrin, duke përqafuar parimet e drejta që gjithsecili nga ne përfaqëson. PDIU ka qenë, është dhe do të jetë këmbëngulëse në domosdoshmërinë që ka politika shqiptare për të dialoguar, bashkërenduar dhe për gjithëpërfshirje e përgjegjshëmeri. Ne e duam Shqipërinë të Bashkuar. Pikërisht nën këtë frymë, ne si PDIU gjejmë rastin për të përshëndetur dhe për t’i shprehur respektin dhe mbështetjen tonë Ministrit të Punëve të Jashtme z. Ditmir Bushati, për qëndrimin profesional, realist dhe dinjitoz që mbajti për çështjen çame gjatë takimit dhe konferencës për shtyp me Ministrin e Jashtëm Grek z. Venizellos. Por theksojmë se ky është vetëm një hap i parë që dëshmon pozitivitet dhe meriton mirëbesim. Ne 5 deputetët e PDIU jemi këtu në Kuvend për t’i kujtuar Qeverisë Shqiptare, Kryeministrit Rama, Ministrit të Jashtëm Bushati dhe të gjithë Drejtuesve të Institucioneve Kushtetuese, si edhe të gjithë liderëve politikë shqiptarë në Pozitë dhe Opozitë, se tashmë pas botimit në Fletoren Zyrtare, Rezoluta Çame, e ka shndërruar çështjen çame, nga një çështje komuniteti, në një çështje kombëtare, e së fundmi edhe në një çështje shtetërore.

Rezoluta e Kuvendit të Shqipërise për Çështjen Çame, shtron detyra dhe përcaktime të qarta se ç’qëndrime dhe veprime duhet të kryejë dhe ndërmarrë Shteti dhe Qeveria shqiptare. Ne 5 deputetët e PDIU, do të jemi këtu në këtë Kuvend, në këmbë, si kujtesë, garantë dhe llogarikërkues, derisa amaneti i të parëve tanë të përmbushet dhe çështja çame të shkojë drejt zgjidhjes së plotë.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)