Çmimi i bukës është rritur me 20-30 lek në pjesën më të madhe të furrave të bukës në qytetin e Fierit. Kreu i shoqatës së Prodhuesve të Bukës në Fier, Petro Kulas rendit arsyet e rritjes së çmimit, ndërsa thekson se buka do të jetë akoma më e shtrenjtë në ditët në vijim.
'Në lidhje me çmimin e bukës janë disa faktorë që është rritur, e para është mielli që është rritur me 35 për qind për kuintal, sepse është rritur dhe çmimi i grurit në bursë. Flasim dhe për punëtorët se janë rritur pagat është rritur shërbimi, është rritur yndyra, vaji margarina. Janë rritur të gjitha lëndët e para që përdorin furrat, dhe nuk e dimë se sa mund të shkojë çmimi i bukës. Mund të rritet sërish çmimi. Arsyeja pse disa furra nuk e kanë rritur ende është se po harxhojnë rezervat që kanë... por nuk i dihet sa mund të shkojë ky çmim'- tha kryetar i Shoqatës së Furrave të Bukës në Fier, Petro Kulas.
Çmimi i bukës në Shkodër ende nuk është rritur në të gjitha furrat e bukës, por ka subjekte të cilat ashtu si edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, kanë rritur çmimin me 20 lek. Nga 70 lek që ka qënë deri para disa ditësh, sot në një furrë buke në Shkodër është 90 lek.
Ndërsa qytetarët ankohen se me rritjen e çmimit të bukës por edhe produkteve të tjera ushqimore, jetesa po bëhet e papërballueshme.
'Është rritur 100-lekë deri në 200 lekë për bukë. Qeveria duhet që ti kontrollojë çmimet. Shumë rroga është shumë e ulët. Edhe njerëzit pa punë.'- thanë disa qytetarë në Fier.
'Se përballon dot, është rritur. Çmimi i bukës është rritur jo vetëm buka, por janë rritur të gjitha, sheqeri, vaji. Do vdesim do bëhemi si kongolezët'- thanë disa qytetarë të tjerë.