Kreu i Venecias shuplakë PD-së:
Të huajt nuk cënojnë sovranitetin

Kreu i Venecias shuplakë PD-së:<br />Të huajt nuk cënojnë sovranitetin
Kryetari i Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio ishte dje në Tiranë për të marrë pjesë në një ceremoni festive me rastin e miratimit me konsensus të paketës kushtetuese për reformën në drejtësi. Në një fjalë të shkurtër drejtuar pjesëmarrësve, ai ju adresua opozitës dhe pretendimeve të saj se përfshirja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit në Kushtetutë cenonte sovranitetin e vendit. Buquicchio tha se nuk ka asnjë cenim sovraniteti dhe Shqipëria do të jetë gjithnjë e më shumë e pavarur pas reformës në drejtësi, por shtoi se pa mbështetjen ndërkombëtare vendi nuk mund të bëjë asnjë reformë të suksesshme.

“Unë dëshiroj të ndalem tek ato çfarë kam dëgjuar gjatë diskutimit politik këtu në vendin tuaj, kur opozita mendonte se përfshirja e të huajve në kushtetutën e vendit tuaj, ishte shkelje e sovranitetit. Unë gjykoj se Shqipëria është dhe do të jetë një vend sovran dhe do të mbetet më i fortë pas reformës në drejtësi.Angazhimi i misionit ndërkombëtar është garanci për procesin dhe ju duhet të dini se asnjë reformë nuk mund të bëhet pa aleatët dhe bashkëpunëtorët ndërkombëtarë”,-tha kryetari i Komisionit të Venecias.

Po pavarësisht shigjetimit të opozitës, Buquicchio dha mesazhe të nevojës së konsensusit dhe të bashkëpunimit të përgjegjshëm mes palëve. “Miratimi i kohëve të fundit i amendamenteve kushtetuese është një hap i madh, pasi të gjithë u ulën për të miratuar reformën. Prania e Komisionit të Venecias ka dhënë një kontribut të veçantë. Në 21 korrik u mor një vendim i rëndësishëm.

Përgjegjësi kryesore për funksionimin e reformës, do të jetë e vështirë nëse nuk përfshihen ndërkombëtarët. Forcat politike duhet të kalojnë mungesën e besimit, të japin kontributin e tyre, ndaj unë i ftoj ndërkombëtarët të jenë pjesë e këtij procesi. Duhet të nisni sa më shpejt me punën për zbatimin e kësaj reforme, dhe me ngritjen e institucioneve të reja. Opozita nuk mund të mos pranojë propozimet që vijnë nga mazhoranca, thjesht se vijnë nga mazhoranca, as mazhoranca nuk duhet të minojë ato kërkesa që vijnë nga opozita, thjesht sepse vijnë nga opozita. Duhet dialog i përgjegjshëm. E ardhmja e reformës në drejtësi është në duart të politikanëve shqiptarë”,-tha Buqiucchio, kreu i Venecias.

Batuta e kryeministrit
Prania e tij nuk u kalua pa batuta dhe nga kryeministri Edi Rama, i cili zgjodhi ta përshëndeste përmes këtyre fjalëve. “Fati e solli që Shqipërisë së kësaj periudhe ndryshimesh intensive dhe ngjarjesh kaq të posaçme t’i gjenden pranë disa Xhanë, që nga Gianni De Biasi, tek Gianni Buquicchio. I pari, një lider betejash emocionuese të kombëtares sonë në fushat e blerta të sportit më popullor në botë; I dyti, një udhërrëfyes i urtë për të gjithë ne, në ujërat e trazuara të procesit të reformës më themelore për Shqipërinë e Gjeneratës Tjetër. I dashur Gianni, t’i duhet ta mësosh sot se fjala Venecia është përdorur në Shqipërinë e gjashtë muajve të fundit, më shumë se ç’është përdorur nga të gjitha agjencitë turistike të botës, të marra së bashku.

Ne, deputetëve shqiptarë, na kanë munguar vetëm gondolat në sallën e Kuvendit, për t’u ndjerë gjatë çdo sesioni si një grup turistik në zemër të ujërave të Venecias. Ndërkohë, - dhe ky është fakt, - fluksi i turistëve shqiptarë drejt Venecias këtë vit është më i larti i të gjithë kohërave, falë kësaj reklame marramendëse dhe të papërsëritshme që i është bërë në Shqipëri qytetit të ujit, për shkak të përfshirjes së Komisionit të Venecias në procesin e jashtëzakonshëm të Reformës në Drejtësi. Nuk kam informacion si ju trajton Bashkia e Venecias, por ne si Kuvend, jam i bindur Kryetari e mbështet këtë ide, jemi gati të mbështesim Komisionin, nëse i kërkoni Bashkisë së Venecias një fee të posaçme për këtë vlerë të shtuar në promovimin e qytetit”-tha Rama.

Redaksai online
a.n shqiptarja.com
 

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Si u shpall Armik i Popullit Edison Gjergo! Suzana Varvarica në  Esencë-Report Tv

Si u shpall Armik i Popullit Edison Gjergo! Suzana Varvarica në  Esencë-Report Tv