Prokuroria e Kukësit, prej muajit korrik 2020 ka nisur një hetim penal kundër veprimeve të paligjshme të kompanisë koncesionare “Kalisi Hydropower” sh.p.k., e cila nëpërmjet skemës së Partneritetit Publik Privat, ka lidhur me ministrinë një kontratë koncesionare për ndërtimin e dy hidrocentraleve, “Veleshica 1” dhe “Veleshica 2”. Dy objektet po ndërtohen mbi lumin Veleshica që ndodhet mes zonës së Kukësit dhe Dibrës, dhe është degë përbërëse e lumit Drini i Zi. Pikërisht në këtë zonë, kryeministri Edi Rama, ka paraqitur dhe projektin e hidrocentralit të Skavicës, që nëse ky projekt do bëhet realitet atëherë baseni ujëmbledhës i Skavicës, ka shumë gjasa që të përmbytë investimin që po kryen kompania “Kalisi Hydropower” mbi dy hidrocentrale.

Kompania koncesionare “Kalisi Hidropower”, është formuar nga bashkimi i operatorëve “BE-IS Sh.p.k” dhe “EL-PROM Sh.p.k”. Mësohet se kallëzimit të bashkisë Kukës, i është shtuar dhe një material hetimor, i mbërritur nga policia e Kukësit, e cila ka referuar në prokurori dokumentacion, për ndërtim të paligjshëm dhe kryerje të punimeve në kundërshtim të një vendimi të gjykatës Administrative në Tiranë, vendim i cili është marrë në datën 5 dhjetor 2018. Ky vendim, i marrë nga treshja e gjyqtarëve Enkelejda Metaliaj, Arjan Qafa dhe Bernina Kondi, urdhëronte pezullimin e lidhjes së kontratës për dhënien e konçesionit të HEC Veleshicë dhe automatikisht ndërpriste dhe fillimin e punimeve në teren.

Por vendimi i gjykatës së Apelit Administrativ, nuk është respektuar nga kompania koncesionare “Kalisi Hydropower”, e cila ka vijuar punimet në kundërshtim, me vendimin e gjykatës por edhe në kundërshtim të një kontrate qiraje me Bashkinë Kukës, e cila i jepte për një periudhë 1 vjeçare në përdorim një fond pyjor publik për shtrirjen e tubacionit dhe kanalit me qëllim ndërtimin e HEC Veleshica 2.

Megjithëse kjo kontratë qiraje, ka përfunduar brenda periudhës një vjeçare, kompania koncesionare “Kalisi Hidropower”, ka vijuar punimet mbi këtë fond pyjor, duke mos kryer rinovimin e kontratës së qirasë. Lidhur me këtë çështje prokuroria e Kukësit, prej muajin korrik, ka nisur një hetim penal, ku gjatë kësaj kohe janë marrë në pyetje disa persona. Ndërkohë janë thirrur për të dëshmuar në prokurori dhe përfaqësues të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës, të cilët në datën 18 korrik 2018, kanë lidhur një kontratë koncesionare me kompaninë “Kalisi Hydropower”. Për të dhënë dëshmi në prokurori janë thirrur dhe zyrtarë të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.

Kërkesa e Bashkisë Kukës