Krifca në Forumin e biznesit Shqipëri-Gjermani: Potencial investimesh në Bujqësi

Krifca në Forumin e biznesit Shqipëri-Gjermani: Potencial investimesh në Bujqësi

“Bujqësia është një ndër sektorët me portencialin më të madh për investimet e huaja”, u shpreh ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca në forumin e biznesit Shqipëri-Gjermani që u zhvillua në Tiranë.

Duke marrë fjanën në forumin që mblodhi bashkë dhjetëra përfaqësues të biznesit nga të dy vendet dhe nga institucione të ndryshme, ministrja Krifca parashtroi një sërë sektorësh në fushën e bujqësisë dhe ushqimit që e bëjnë Shqipërinë konkurruese dhe tërheqëse për investimet e huaja.

“Shqipëria është vend që prodhon pothuajse totalisht në mënyrë organike. Treguesit e Organizatës Botërore të Ushqimit, FAO, dëshmojnë se bujqësia Shqiptare përdor 4 herë më pak produkte plehëruese se sa mesatarja e BE-së. Sektori i peshkimit detar prej 450 anijesh së bashku me prodhimet e akuakulturës gjenerojnë më shumë se 80 milion euro eksporte në vit. Ky sektor mbështetet nga një njësitë e përpunimit të cilat eksportojnë produkte të përpunuara të detit në të gjithë botën dhe që krijojnë mundësi të mëdha punësimi në mënyrë të veçantë për të rinjtë dhe gratë”, u shpreh Krifca.

Ministrja parashtroi blegtorinë dhe zinxhirin e vlerës së mishit dhe të produkteve blegtorale, si një mundësi të mirë dhe e vyer bashkëpunimi me sipërmarrjet e huaja, në procesin e e ristrukturimit të zinxhirit të vlerës, dhe forcimit të sigurisë ushqimore në sektor.

Gjithajshtu, tha Krifca, Shqipëria është një vend mesdhetar që  dallohet për produktet emblematike siç janë vreshti, vera, ulliri, vaji i ullirit e bimët aromatike .

“Tradita, varietetet autoktonë të vreshtit dhe të ullinjve si pasuri kombëtare dhe tregues i identitetit të veçantë të vendit tonë , janë kthyer në një mundësi për të rindërtuar sektorin e prodhimit të verës në Shqipëri me investime të rëndësishme në krijimin e kantinave të reja të cilat e kanë drejtuar prodhimin e tyre nga cilësia dhe janë të suksesshëm në panairet ndërkombëtare. Vaji i ullirit shqiptar sot gjendet në tregje të sofistikuara dhe eksportohet deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shqipëria është një ndër 25 eksportuesit më të rëndësishëm në nivel global për bimët mjekësore. 92% e prodhimit vjetor prej 15 mijë tonësh shkon për eksport ku një pjesë e rëndësishme (70%) shkon në tregjet më të rëndësishme botërore si Gjermania, vendet e tjera të BE dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, informoi ministrja.

Duke u ndalur tek trendi i ri në rritje i eksporteve bujqësore, Krifca vuri në dukje se, prodhimet bujqësore “Made in Albania” po kërkohen gjithë e më shumë nga tregjet e huaja duke zgjeruar gjeografinë e vendeve deri në Azi, vendet skandinave, SHBA etj.

“Sot bujqësia zë mbi 66% të volumit te sasisë se eksporteve dhe 43% të vlerës së eksporteve totale që Shqipëria realizon”, shtoi ajo.

“Kemi të shpërndarë në të gjithë vendin një rrjet prej më shumë se 400 pika grumbullimi të cilat drejtojnë produktet tona të freskëta apo të përpunuara në më shumë se 82 destinacione në botë. Si një eksportues i rëndësishëm rajonal, Shqipëria arriti që vitin e shkuar të eksportonte 500 milion dollarë produkte bujqësore, duke iu afruar objektivit madhor të eksportimit të 1 miliardë dollarëve në vitin 2030”, tha ajo.

Ministrja tha se ka lidhur një partneritet me Ministrinë e Bujqësisë në Gjermani.

“Këtë vizitë të këtyre bizneseve e kemi marrë shumë seriozisht si qeveri dhe jemi të gatshëm të ofrojmë gjithë hapësirën e bashkëpunimit në mënyrë që disa nga këto biznese të kenë mundësinë të shtrihen në Shqipëri, të krijojnë partneritete me biznesin shqiptar apo mundësisht të hapin edhe filialet e tyre në vendin tonë”, tha Krifca.

Ministrja shprehu bindjen se, mundësitë për të zhvilluar më tej këtë sektor nëpërmjet investimeve të reja dhe përdorimit të teknikave novatore dhe inteligjente, janë të pafundme.

“Ne jemi të hapur për çdo bashkëpunim i cili synon rritjen e kapaciteteve prodhuese të aktorëve të biznesit, rritjen e kapacitetit të tyre për inovacion dhe bashkëpunim, forcimin e lidhjeve me tregjet ndërkombëtare nëpërmjet rritjes së shërbimeve, të ruajtjesdhe përpunimit”, deklaroi ajo.

Një fjalë përshëndetëse në aktivitet mbajti dhe ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Peter Zingraf, i cili tha se mbështetja  zgjerohet në disa fusha të rëndësishme.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Digjet prej 4 ditësh fusha e mbetjeve në Vlorë, tymi mbulon zonën

Digjet prej 4 ditësh fusha e mbetjeve në Vlorë, tymi mbulon zonën