Një krim i dyfishtë në familje ka tronditur qytetin e Ballshit në ditën e dytë të vitit 2019. Burri ka vrarë gruan dhe motrën e saj, pas një debati në familje. Viktimat janë Gentiana Caushaj 31-vjeçe, gruaja e autorit dhe motra e saj Merisa Caushaj 18-vjeçe, ndërsa Gazment Musta 34-vjeç është arrestuar menjëherë.

Sipas policisë së Fierit, autori ka qenë i dehur në momentin që i ka qëlluar me thikë për vdekje gruan dhe kunatën. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 17:30 minuta në banesën e çiftit në një pallat brenda qytetit të Ballshit. Burime për Report Tv pohojnë se shkak ka qenë kërkesa e 31-vjeçares për të shkuar tek prindërit e saj për festat.

Burri, i cili sapo ishte kthyer i dehur pas vizitës te prindërit e tij në fshat, nuk e ka lejuar gruan dhe pas sherrit ka marrë thikën duke qëlluar disa herë për vdekje fillimisht gruan, ndërsa më pas kunatën, e cila ndërhyri për të shpëtuar motrën, por mbeti edhe vetë e vdekur. Çifti ka dy fëmijë 3 dhe 7-vjeç, të cilët kanë qenë në banesë në momentin e ngjarjes, por jo në dhomën ku babai i tyre u vrau nënën dhe tezen. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:49
Vrasja e dyfishtë në Ballsh, fqinji për Report Tv: Ishin familje e qetë, Gazmenti erdhi i dehur

“Para se të vinte në banesë ishte te prindërit për të festuar Vitin e Ri”. Kështu shprehet për autorin njëri nga fqinjët e familjes Musta në Ballsh pas ngjarjes pasditen e sotme. Jashtë kamerat ai thotë se familja ishte e qetë dhe se Gazmenti kishte dy ditë që ishte kthyer nga Greqia. “Vajzat i njihja, ishin njerëz shumë të mirë. Gëzonin respektin e fqinjëve. Burri ka punuar në Greqi, ndërsa kishte dy ditë që kishte ardhur dhe kishte qenë te prindërit në fshat për festat. Kur u kthye ka qenë i dehur’ tha ai.

Ora 20:31
FOTO/ Ja kush është burri që vrau gruan dhe kunatën në Ballsh

Gazment Musta vrau me thikë gruan dhe kunatën e tij, Merisa Caushaj pas një debati. Këto janë fotot e autorit dhe të bashkëshortes së tij.

Ora 20:13
Vrasja e dyfishtë në Ballsh, autori ishte kthyer në banesë i dehur pas vizitës te prindërit

Gazetari i Report Tv Kristaq Thano bazuar te dëshmitë e familjarëve mëson se autori i vrasjes së dyfishtë në Ballsh kishte qenë te prindërit e tij në fshatin Drenovë, ndërsa ishte kthyer i dehur në banesë. Sapo ka hyrë në shtëpi, gruaja ka kërkuar që të shkojë edhe ajo te prindërit e saj, por Gazment Musta ka refuzuar. Pas debatit ai vrau gruan dhe kunatën.

Ora 19:24
Vrasja e dyfishtë në Ballsh, burri ishte kthyer nga Greqia për festat

Report Tv sjell pamjet kur ambulanca transporton për në morg dy trupat e viktimave në Ballsh nga apartamenti ku u qëlluan për vdekje. Çifti Musta jetonte në lagjen ‘5 Shkurti’ në Ballsh. Burri, Gazment Musta kishte vetëm 2 ditë që ishte kthyer nga Greqia për festat e fundvitit, ndërsa pas debatit vrau gruan dhe kunatën.

Ora 18:28
Gruaja donte të shkonte te prindërit/ Zbulohet motivi i vrasjes së dyfishtë në Ballsh

Report Tv zbulon shkaqet e vrasjes së dyfishtë në Ballsh pasditen e sotme. Sherri në çift ka nisur, pasi gruaja donte të shkonte te prindërit e saj për festat, por burri nuk e ka lejuar. Pas debatit të fortë, ku e pranishme ishte edhe kunata, burri ka marrë thikën duke i qëlluar për vdekje.

Ora 18:21
Zbulohen emrat e dy viktimave në Ballsh

Report Tv zbulon emrat e viktimave në Ballsh. Ata janë Gentiana Caushaj, gruaja e autorit dhe kunata Merisa Caushaj. Ndërsa autori i vrasjeve është Gazment Musta.

Ora 18:20
Vrasja e dyfishtë në Ballsh, policia: Autori ishte i dehur, i qëlloi me thikë (VIDEO)

Sipas policisë autori i vrasjes së dyfishtë në Ballsh ka qenë i dehur.  Pas debatit në banesë, ai ka marrë thikën duke goditur fillimisht gruan më pas motrën e saj për vdekje, ndërkohë që është arrestuar menjëherë. “Gazment Musta u arrestua pasi dyshohet se në gjendje të dehur, rreth orës 17.30 në banesën e tij në Ballsh, për motive të dobëta, ka vrarë me thikë bashkëshorten e tij, shtetasen G.C, 31 vjeçe si edhe motrën e bashkëshortes, shtetasen M.C, 18 vjeçe, të cilat kanë ndërruar jetë në vend” njofton policia.