TIRANE- Një sherr i nisur për xhelozi mes një çifti të ri, ka përfunduar me vdekjen e burrit dhe gruaja ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës. Krimi brenda familjes ndodhi dje në orën 17:00 në familjen Cenko, në rrugën “Tefta Tashko Koço” në zonën e Mëzezit në hyrje të autostradës Tiranë-Durrës. Viktimë e këtij sherri mësohet se ka mbetur Elton Cenko, 30 vjeç i cili ka qëlluar veten me armë, pasi kishte qëlluar fillimisht mbi bashkëshorten e tij, 3 vite më të re, Anxhela Cenkon, e cila është gjetur me shenja jete dhe është dërguar me urgjencë në spital.

Kanë qenë fqinjtë e çiftit të ri ata që kanë njoftuar policinë pasi kishin dëgjuar krismat. Të mbërritur në vendin e ngjarjes, uniformat blu kanë transportuar me urgjencë 27-vjeçaren në Spitalin e Traumës. Burime nga bluzat e bardha kanë bërë të ditur se, Anxhela Cenko ndodhet në gjendje shumë të rëndë dhe ende nuk mund të thuhet se e ka kaluar rrezikun për jetën.

Krimi në familje
Krimi në familje ka goditur sërish, këtë herë në kryeqytet dhe në një familje që kishte pak kohë që ishte krijuar. Pas një debati, me bashkëshorten e tij, 30-vjeçar Elton Cenko ka qëlluar me kallashnikov bashkëshorten e tij, Anxhela Cenko. Kjo e fundit kishte marrë plagë të rënda dhe është shtrirë në tokë pa shenja jete. I ndodhur në këtë situatë dhe në një gjendje psikologjike të rënduar, i riu e ka kthyer armën nga vetja.

Ai është qëlluar fatalisht dhe ka humbur jetën menjëherë. Të parët që kanë mbërritur në vendin e ngjarjes kanë qenë fqinjë të familjes Cenko. Këta të fundit kanë njoftuar policinë e cila ka shkuar në vendin e ngjarjes. Këta kanë parë se, 27-vjeçarja kishte shenja jete dhe menjëherë e kanë nisur në drejtim të Spitalit të Traumës. Mjekët kanë bërë të ditur se, vajza është në gjendje shumë të rëndë edhe pse i është nënshtruar operacionit nuk thuhet ende se ajo është jashtë rrezikut për jetën.
vendi i ngjarjes

vendi i ngjarjes

vendi i ngjarjes
Foto nga vendi i ngjarjes
 
Hetimet e policisë 
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:00 të ditës së djeshme në zonën e Mëzezit në periferi të kryeqytyetit. Kanë qenë fqinjët ata që kanë dëgjuar krismat e armavë, duke njoftuar më pas edhe policinë. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur edhe hetuesit e krimeve të rënda që kanë marrë dëshmitë. Fqinjët e familjes Cenko, kanë treguar se, para se të dëgjoheshin krismat, kanë dëgjuar shumë të bërtitura nga banesa e tyre. Ata kishin shkuar për të qetësuar gjakrat, por kanë dëgjuar krismat. Ndërkaq familjarët duket se e kanë pasur të pamundur që të parandalojnë krimin e rëndë të ndodhur mes çiftit të ri.

Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale, automatikun me të cilin ka ndodhur krimi, si dëshmitë e personave që kanë dëgjuar dhe parë ngjarjen. Tashmë familja e 30-vjeçarit Elton Cenko ka hapur dyert e mortit, ndërsa nëna e tij është dërguar në spitalin Ushtarak për shkak të traumës që pësoi. 

*Shkrimi u publikua fillimisht me 6 Shtator Ora 17:55 dhe u perditesua sot

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)