Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur fajtor avokatin Bardhi Koçi për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, duke e dënuar me 1 vit e 8 muaj burgim, dënim i cili është pezulluar dhe shoqëruar me vënie në provë.
Sipas vendimit të gjykatës, Koçi u gjet fajtor për tre episode të ndikimit të paligjshëm, ndërsa ndaj tij u vendos edhe një dënim plotësues, heqja e së drejtës për të ushtruar profesionin e avokatit për një periudhë trevjeçare. Gjithashtu, gjykata vendosi heqjen e masës së sigurimit “detyrim për t’u paraqitur”.
Në të njëjtën çështje, fajtore u shpall edhe Pranvera Meshi, e cila akuzohej se i kishte dhënë para Koçit për të ndikuar te një gjyqtar. Ajo u dënua me 8 muaj burgim, por u përjashtua nga vuajtja e dënimit. Edhe ndaj saj u hoq masa e sigurimit e vendosur më herët.
NJOFTIMI I PLOTË:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurve: Bardhi Koçi, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, (në tre episode), të parashikuar nga neni 245/1, paragrafi 4, i Kodit Penal dhe Pranvera Meshi, e akuzuar për kryerjen e veprës penale
“Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1, paragrafi 2, i Kodit Penal”.
2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Bib Ndreca, Erjon Bani dhe Elsa Ulliri me vendimin nr. 81, datë 17.12.2025 vendosi:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Bardhi Koçi, për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, (në episodin 1), të parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i katërt i Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim.
2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Bardhi Koçi, për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, (në episodin 2), të parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i katërt i Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim.
3. Deklarimin fajtor të të pandehurit Bardhi Koçi, për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, (në episodin 3), të parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i katërt i Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim.
4. Në aplikim të nenit 55 të K.Penal, në bashkim të dënimeve dënimi i të pandehurit Bardhi Koçi me një masë të vetme prej 2 (dy) vite e 6 (gjashtë) muaj burgim. 5. Në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr. Penale, i ulet 1/3 e dënimit duke u dënuar i pandehuri përfundimisht me 1 (një) vit e 8 (tetë) muaj burgim. 6. Në aplikim të neneve 30/5 dhe 35, të Kodit Penal, dhënien e një dënimi plotësues, heqjen e së drejtës për të pandehurin Bardhi Koçi, për të ushtruar funksionin e avokatit për një periudhë prej 3 (tre) vitesh. 7. Bazuar në nenin 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të mëtejshëm të vendimit me burgim për të pandehurin Bardhi Koçi duke u detyruar që të mbajë kontakte me zyrën vendore të Shërbimit të Provës.
Vënia në provë e të pandehurit për një periudhë kohe prej 3 (vite) e 4 (katër) muaj, me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë vepër tjetër penale. 8. Në zbatim të nenit 61 të Kodit Penal, detyrohet i pandehuri që gjatë kohës së provës: a).
T’i përgjigjet thirrjeve dhe kërkesave të Zyrës Vendore të Shërbimit të Provës; b). Të marrë pëlqimin në Zyrën Vendore të Shërbimit të Provës për ndryshimin e vendbanimit. 9. Në bazë të nenit 389 të K.Pr.Penale, urdhërohet heqja e masës së sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” sipas vendimit Nr.61006-00434-002025 akti, datë 29.07.2025, të Gjykatës së Lartë.
10. Deklarimin fajtore të të pandehurës Pranvera Meshi, për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i dytë i Kodit Penal, dhe dënimin e saj me 1(një) vit burgim. 11. Në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, i ulet 1/3 e dënimit duke u dënuar e pandehura përfundimisht me 8(tetë) muaj burgim. 12.
Në zbatim të nenit 52/a/1 të Kodit Penal, gjykata urdhëron përjashtimin nga vuajtja e dënimit për të pandehurën Pranvera Meshi. 13. Në bazë të nenit 389 të K.Pr.Penale, urdhërohet heqja e masës së sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” caktuar me vendimin nr.10, datë 27.02.2025, të Gjykatës së Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. 14. Lidhur me Provat materiale bazuar në nenin 190 të K.Pr.Penale, gjykata disponon si më poshtë ku: -1 (një) aparat telefonik celular i markës Iphone 13, model MLPH3B/A, me nr. serial ****, me IME1 ****, me IMEI2 ****, në përdorim të shtetases Pranvera Xh. Meshi, i kthehet të pandehurës
Pranvera Meshi; -1(Një) USB e markës “Verbatim”, me numër serial ****, e aktit të ekspertimit nr.209, datë 23.07.2025, mbetet pjesë e akteve të dosjes. 15.
Në bazë të nenit 224 të K.Pr.Penale, CD e Përgjimeve dhe CD me të dhënat nga kompanitë celulare, mbeten pjesë e fashikullit gjyqësoR.
Komente












