TIRANE - Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, duket se ka qenë në minorancë sot gjatë tryezës së zhvilluar mbi gjendjen e krimit të organizuar në Shqipëri. Ministri ishte ndër të paktat zëra që folën për një reduktim të tij, ndërsa pjesëmarrës të tjerë nënvizuan se influenca e kriminalitetit shqiptar është në rritje dhe tenton të shtrihet edhe drejt tregjeve evropiane të drogës.

Gjatë fjalës së tij para të pranishmëve Halimi theksoi se Shqipëria sot nuk është më një strehë e sigurt për kriminelë e trafikantë. “Shqipëria nuk është më strehë e krimit të organizuar. Mund të përmend se kemi nënshkruar marrëveshje me palën italiane dhe kemi arrestuar shumë të kërkuar nga drejtësia e këtij vendi. Krimi nuk ka më strehë në Shqipëri”, ka thënë Halimi.

Ministri ka shtuar se mazhoranca qeverisëse ka miratuar një sërë ligjesh kundër këtij fenomeni gjë që sipas tij ka çuar në sekuestrimin e 20 milionë eurove pasuri të paligjshme, si dhe dhjetëra apartamenteve, bizneseve e pronave.

I pranishëm në këtë konferencë ishte edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi, si dhe personalitete të tjera të fushës së jurisprudencës, gjyqtarë, prokurorë dhe oficerë të policisë së Shtetit. Krimi i organizuar po kërcënon Ballkanin dhe Shqipërisë i duhet një sistem drejtësie që t’i përgjigjet me të njëjtën mënyrë kësaj sfide, ka pohuar Sequi. “Prokurorët të jenë më efikas ashtu si krimi i organizuar”, është shprehur Sequi gjatë konferencës.

Ambasadori tha se para vendit qëndrojnë ende sfida të rëndësishme dhe një prej tyre është forcimi i luftës kundër krimit dhe korrupsionit. “Duhen adaptuar praktikat më të mira të drejtësisë penale, duhet regjistër i posaçëm për çështjet penale”, ka apeluar ambasadori i BE në Tiranë.

“Ka pasur një mbështetje të qartë të BE-së në Shqipëri për të ndërtuar mekanizma sa më të mira në luftën kundër krimit”, tha diplomati i lartë, duke veçuar investimin për ndërtimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda. "Duhet një rëndësi e bashkëpunim sa më e ngushtë mes aktorëve të drejtësisë në luftën kundër krimit të organizuar”, theksoi Sequi.

Edhe raportet e institucioneve ndërkombëtare, që u paraqitën në takim, tregojnë se, nga viti në vit, progreset e Shqipërisë në luftën kundër krimit dhe trafikut të drogës kanë qenë minimale. Ndërsa përfaqësues të misionit EURALIUS kanë rikonfirmuar mbështetjen e tyre për autoritetet shqiptare në këtë betejë.

(kz/shqiptarja.com)