Viktimat Sokol Ucaj dhe Giulia Baldassarre kishin një histori dashurie që zgjaste prej vitesh dhe tezja e vajzës së re nga Montelipone sqaron: Janë njohur që kur Giulia ishte në shkollë dhe Sokoli punonte si murator, por nuk ishte një lidhje e lehtë pasi ajo shpesh nisej drejt Shqipërisë dhe rikthehej. Hera e fundit që e kam parë, -vijon rrëfimin tezja, -ka qenë përpara Krishtlindjeve. Ishte kthyer në shtator dhe u largua në dhjetor. Ende nuk e besoj atë që ndodhi. Giulia do diplomohej dhe do rikthehej në Itali për të punuar”.
Ndërkohë mediat italiane raportojnë se lidhja e Sokolit me Giulian kishte mosaprovimin e familjeve përkatëse dhe se 27-vjeçari nga Elbasani ka pasur edhe probleme me policinë italiane dhe i ndalohej të hynte në shtetin fqinj. Tezja e 24-vjeçares nuk di gjë për shtatzëninë e Giulias dhe thotë se ende nuk e kupton një gjest të tillë. Ndërsa një fqinj i Giulias shpjegon se ishte vajzë shumë e mirë dhe nuk arrin të thotë një fjalë të keqe për të.
Tani pritet që Giulia Baldassarre të rikthehet në Itali, por këtë herë për fat të keq për herë të fundit.
ITALIANIA E VRARE, VAJZE ZYRTARI
Komuna e Loretos në Itali, është në zi. Vrasja me kallashnikov e vajzës së re nga vjehrri i saj është pasqyruar edhe në mediat locale italiane. Në gazetën e Maceratës thuhet, se Giulia Baldassarri u qëllua për vdekje së bashku me bashkëshortin, në shtëpinë e vjehrrit të saj në Elbasan, pas një konflikti familjar. Ajo kishte studiuar në liceun e Recanatit dhe ishte diplomuar në degën e Shkencave të Arsimit, në Universitetin e Maceratës. Dyshohet se edhe prindërit e saj, Giovanni dhe Mirella Baldassarri, kishin qenë kundër lidhjes mes të rinjve.
Ndërkohë, grupi hetimor i ngritur në lidhje me ngjarjen, ka vijuar hetimet dhe disa orë pas vrasjes së dyfishtë, policia e Elbasanit ka dalë me një version zyrtar, ku sipas tyre shkak i konfliktit familjar kanë qenë motivet ekonomike. Deklarata zyrtare e policisë ka qenë në kundërshtim me atë çka deklaroi natën e krimit autori 65-vjeçar Engjëll Ucaj. Burime të besueshme policore thanë se, pas arrestimit dhe shoqërimit të tij në komisariati, burri ka marrë përsipër autorësinë e krimit dhe ka rrëfyer se motiv i ngjarjes ishte bërë fakti, se nuk i pëlqente një nuse e huaj në shtëpi. "Djalin e kisha si dritën e syve, por nuk desha një vajzë të huaj në shtëpi. Grindeshim shpesh dhe ai ushtronte dhunë sistematike ndaj meje", mësohet të jetë shprehur ai përpara oficerëve policorë.
Rreth orës 19:45 të datës 30 janar, policia e qytetit mori njoftimin nga një grua, se bashkëshorti i saj donte të vriste djalin dhe nusen e tij, në një pallat të ri në lagjen "Sul Paprri". Por, pak caste para se policia të mbërrinte, kryefamiljari Engjëll Ucaj, kishte shkrehur armën, duke lënë të vdekur në vend djalin e tij dhe nusen italiane. Nga këqyrjet e para në vendngjarje rezultoi se me anë të një kallashnikovi, armë të cilën e mbante pa leje që nga viti 1997, ai kishte ekzekutuar të birin dhe nusen e tij. Sokol Ucaj, 27 vjeç, si dhe italiania 24-vjeçare Giulia Baldassarri, për të cilën pati dyshime se ishte 4-muajshe shtatzënë, gjetën vdekjen e menjëhershme si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit. Hetimet e vazhdueshme nxorrën në dritë faktin, se mes babait dhe të birit ekzistonte një konflikt afro një-vjeçar, që nga momenti që Sokol Ucaj ishte kthyer të jetonte në Shqipëri me gruan e tij të huaj. I moshuari nuk është mësuar me këtë ide, dhe vazhdimisht drejtonte sharje dhe fyerje drejt vajzës. Konfliktet e herëpashershme dhe dhuna sistematike që djali ka ushtruar ndaj të atit, degjeneroi mbrëmjen e së mërkurës, ngjarje e cila përfundoi me dy viktima.
Trupi i vajzës ka qenë dje në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku dhe i është bërë autopsia, ndërsa sot pritet të niset drejt Italisë.
FQINJET
"Nuk dinim të kishin probleme"
Krimi i dyfishtë në familjen Ucaj ka tronditur edhe banorët e komunitetit ku ata jetojnë. Të shokuar dhe duke mos besuar ende ekzekutimin e Sokol Ucajt dhe gruas së tij italiane Xhulia Baldassarri, ata rrëzojnë kategorikisht versionin e policisë, se konflikti në familjen e tyre mund të ketë ardhur si pasojë e problemeve ekonomike. Leonard Bega, një fqinj i viktimave, thotë se autori i dyshuar i ngjarjes, 65-vjeçari Engjo Ucaj spikaste për një sjellje të mirë në lagjje. "Unë e njihja Engjon dhe gjithmonë kam pasur një komunikim të mirë dhe të vazhdueshëm por nuk gjej dot fjlaë që ta përshkruaj se si u shua kjo familje në këtë mënyrë. Për mendimin tim nuk qëndron versioni se kjo familje ka qenë në gjendje të vështitë ekonomike sic thotë policia" - shprehet ai. Sipas një tjetër fqinje, Violeta Begës, edhe pista tjetër e ngjarjes për mospëlqim të nuses italiane, mbetet sërish absurde sipas saj.
DEKLARATA
Policia: Sherret për shkaqe ekonomike
Me anë të një njoftimi zyrtar për shtyp, policia e Elbasanit bëri të ditur se pas hetimeve paraprake, është arritur në konkluzionin se shkak për vrasjen e dyfishtë janë bërë motivet ekonomike. "Ngjarja ka ndodhur si pasojë e konflikteve familjare të vazhdueshme që ka patur shtetasi Engjëll Ucaj me djalin e tij Sokol Ucaj, për shkaqe ekonomike, ku më pas autori ka qëlluar me arme zjarri tip automatik në drejtim të djalit si dhe nuses së tij, duke u shkaktuar vdekjen e menjëhershme" - thuhet në njoftim. Sipas të njëjtave burime bëhet e ditur se në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e krimit, tip Kallashnikov si dhe një thikë. Ndaj 65-vjeçarit Engjëll Ucaj rëndojnë akuzat e "vrasjes në rrethana të tjera cilësuese" si dhe "armëmbajtje pa leje."
![sokol ucaj italiania elbasan vrasja](http://www.shqiptarja.com/foto/68767.jpg)
(Në foto, Sokol Ucaj dhe Giulia Baldassarre)
*Shkrimi u botua në numrin e sotëm të së përditshmes SHQIPTARJA.com (print), data 1 shkurt 2013
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)
![](https://www.shqiptarja.com/template/img/sh_logo1.png)