TIRANË- Ish-presidenti Ilir Meta pritet të lërë nesër qelinë për pak orë dhe të shoqërohet me forca policie drejt Prokurorisë së Posaçme për t’u marrë në pyetje nga SPAK për krimin shtetëror të 21 janarit. Mësohet se kreu i Partisë së Lirisë do të paraqitet në orën 10:00 në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.
Ish-presidenti Meta kishte kërkuar vetë të jepte deklarime për këtë dosje që po hetohet nga prokurori Alfred Shehu, me argumentin se ka të dhëna që nuk janë të njohura nga grupin hetimor.
"Unë, Ilir Rexhep Metaj, duke qenë se, kam dijeni dhe mund të jap dëshmi të vlefshëme për rrethanat e asaj ngjarje, dëshmi të cilat nuk janë të njohura nga organi procedues, të cilat mund ti shërbejnë për të zbardhur ngjarjen. Jam në dispozicion të organit procedurës në çdo moment që ajo do jetë e gatshme!”, thuhej në kërkesën e Metës dorëzuar në SPAK më 25 nëntor.
Protesta e 21 Janarit, ku 4 protestues u vranë me plumbat e shtetit gjatë qeverisjes Berisha, ndodhi pas publikimit të një video skandali mes ish-presidentit të asaj kohe Ilir Metës dhe Dritan Priftit. Në filmimin prej 12 minutash, dëshmohej pazari mes zv.kryeministrit Ilir Meta dhe Dritan Priftit, në atë kohë ministër, për 700 mijë euro në këmbim të koncesioneve dhe licencave për një hidrocentral.
Hetimet për krimin shtetëror të 21 janarit nisën nga SPAK korrikun e vitit të kaluar, pas regjistrimit për veprat penale të vrasjes në rrethana cilësuese, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, shpërdorim detyre dhe pengim të drejtësisë.
Ish ministri i Brendshëm Lulzim Basha, e më pas ish Kryeministri Sali Berisha janë dy figurat kryesore, edhe në atë ngjarje, që janë thirrur deri më tani për t’u marrë në pyetje.
Komente












