Ditën e sotme në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv u diskutua mbi situatën e kriminalitetit në vend.
Bujar Nallbani, ish-kandidat për kreun e PD-së deklaroi se ‘narkoshteti’ në Shqipëri ka ‘mbirë’ bashkë me Partinë Demokratike.
Sipas Nallbanit, eksponentë të lartë në PD i mbështetën grupet kriminale dhe patën përfitime prej tyre. Kjo sipas Nallbanit ka bërë që këto grupe të rrezikshme t’i kemi ‘peshqesh’ edhe sot.
“Narkoshteti ka mbirë bashkë me fenomenin PD. Sepse u mbështet nga ata, u rrit me ata, pati përfitime reciproke prej tyre dhe natyrisht e kemi peshqesh sot e kësaj dite, në forma më të sofistikuara. Kriminaliteti nuk është se mbiu para 5 viteve”, tha mes të tjerash Nallbani.
Nallbani vijoi më tej duke thënë se gjatë qeverisjes së Partisë Socialiste kriminaliteti ka ardhur në rënie. Kjo pasi sipas tij, sa më shumë Shqipëria afrohet me BE-në, prioritet është goditja e kriminalitetit dhe forcimi i sigurisë për popullin dhe biznesin.
“Ne e dimë që kriminaliteti këtu ka bërë kërdinë, por ka pasur edhe rënie, edhe goditje. Sepse unë mendoj se duke shkuar drejt BE-së, pikat kryesore që dosjet europiane pranojnë tani, është goditja e kriminalitetit dhe forcimi i sigurisë së popullit e biznesit. Më parë kontrollonte krimi shtetin. Sot sigurisht që ka krim, por nuk është njëlloj si ka qenë. Goditja kryesore i është dhënë. Ne e shohim se nëpër burgje janë banda të tmerrshme të asaj kohe”, vijoi më tej Nallbani.
Nga ana tjetër, për avokatin Novruz Aderi, shoqëria shqiptare nuk reagon ndaj fenomeneve kriminale.
Sipas avokatit Aderi, personazhe të botës së krimit janë njerëz të respektuar në komunitetet ku banojnë, ç’ka sipas tij është një shqetësim i madh për konceptin që shoqëria ka për këta personazhe.
“Ne si shoqëri nuk mund të heshtim dhe kur ndodh diçka e caktuar, të dalim e të flasim. Ne si shoqëri nuk reagojmë. Ne si shoqëri na pëlqen të ndihmojmë në këto situata. Jo më larg se para 2-3 ditësh, në raport me klientin tim, më foli për një personazh të botës së krimit dhe më tha që ‘është shumë i respektuar në zonën tonë’. Pra të mos jemi të vërtetë në vetvete, besoj se i ndihmon dhe i hedh benzinë zhvillimit të këtyre ngjarjeve”, tha mes të tjerash Aderi.
Avokati Aderi deklaroi më tej se është politika ajo që kontrollon krimin dhe jo anasjelltas. Sipas tij, në raste të caktuara partitë politikë përdorin grupet kriminale dhe akuzat për lidhje me grupet kriminale për qëllime politike.
“Unë mendoj se është politika ajo që kontrollon krimin dhe jo anasjelltas. Pozicione të caktuara politike ndoshta mund ta përdorin këtë si argument, por kjo nuk do të thotë me domosdo se ekziston si e tillë. Sepse ne kemi dëgjuar shpesh që politika kur vendoset në një kamp të caktuar dhe kur nuk ka ekzekutivin e vetë, e ka shumë të thjeshtë të thotë që ‘ky formacion politik mbështet krimin”, vijoi më tej Aderi.
Komente









