'Krishti u ngjall'! Besimtarët ortodoksë kremtojnë Pashkët. Mesha në katedralen e "Ngjallja e Krishtit" u mbajt nga kryepeshkopi Anastas. Besimtarët në Tiranë, Korçë, Gjirokastër, Lushnje, Sarandë, dhe qytete të tjera u lutën për paqe, mirësi dhe harmoni në familjet e tyre, ndërsa ndezën qirinj.

Besimtarët ortodoksë urojnë njëri-tjetrin në këtë festë të bekuar. Pashka është një nga kremtimet më të mëdha të ortodoksëve. Ata risjellin ne vëmendje ngjarjen e madhe të ngjalljes së Jezusit të Nazaretit, tre ditë pas vdekjes së tij në kryq.

Festimet e Pashkës nisën me meshën e madhe të së shtunës mbrëma dhe përfundojnë me drekën tradicionale të së dielës.  "Krishti u ngjall”, është “refreni” i kësaj dite festive i cili shprehet njëzëri nga të gjithë besimtarët duke trokitur vezën e kuqe të Pashkëve që simbolizon gjakun e Krishtit.

Presidenti Meta, kryeministri Rama dhe kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha kanë uruar besimtarët për Pashkët. Kreu i shtetit tha se duhet 'Reflektim për më shumë bashkëpunim', një mesazh indirekt edhe për klasën politike. Në Fier edhe sot politika nuk ka e bërë pushim duke vijuar akuzat, ndërsa shembulli i harmonisë fetare vjen nga Korça, ku myftiu uroi Pashkët nga mitropolia.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:21
Harmonia fetare/ Myftiu uron Pashkët nga Mitropolia: Zotin të mos e kujtojmë vetëm në festa (VIDEO)

Shqipëria shquhet për harmoninë fetare dhe sot në ditën e Pashkës, në Korçë për të uruar besimtarët ortodoksë, në mitropoli ka qenë për vizitë edhe myftiu Ledian Cikalleshi. Myftiu u shpreh se ishte në mitropoli për të uruar festën dhe për të qenë pranë njëri tjetrit duke u lutur për njerëzit dhe vendin.

"Ishim për të uruar për të qenë gëzimeve të njëri tjetrit dhe për të bërë lutjet që vendi jonë, kombi jonë, njerëzit të kenë sa më pak vuajtje dhe sa më shumë gëzime. Kjo ditë, ashtu si të tjerat e festave ku njerëzit mblidhen dhe festojnë duhet të jetë edhe një ditë reflektimi për ne, që Zoti duhet të jetë në jetën tonë dhe jo të kujtohet vetëm për festat".

Ora 13:58
Nuk ka paqe as për Pashkë, politikanët demokratë akuza socialistëve: Në sollën të keqen (VIDEO0

Politikanët, të majtë dhe të djathtë në Fier kanë uruar besimtarët ortodoksë, ndërsa mes tyre nuk kanë bërë paqe as për Pashkët. Ish-deputeti dhe kryetar i degës së PD-së në Fier, Luan Baçi u shpreh se 'Politika e gjashtë viteve ka qenë e mbrapsht që ka konsistuar në të keqen e shqiptarëve dhe të mirën e oligarkëve të kësaj qeverie'.

Ndërsa socialisti Xhavit Bushaj u përgjigj duke thënë se 'Ne politikanët, në ditë të shënuara, ashtu sikur patë edhe ata politikanët e rrugës më parë vijmë që të urojmë, por ky urim është për të gjithë shqiptarët, të gjithë ata që këto ditë kanë kaluar ditë të gëzuara, feste dhe këtë urojmë'. 

Në momentin që po uronte festën Antoneta Dhima, drejt mitropolitisë po ngjisnin shkallët përfaqësuesit e LSI-së, ndërsa socialistja Adelina Rista iu drejtua 'Gëzuar Pashkët opozita".

Ish-deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj theksoi se 'Ne japim mesazhet dhe urimet më të mira, dhe nga kisha morëm mesazhin e mirë, të shpresës se shqiptarët në këto ditë të vështira kanë nevojë për shpresë për të ndenjur në Shqipëri dhe për të luftuar të keqen' tha ajo.

Ora 13:21
Pashkët/ Meta mesazh edhe politikës: Reflektim për më shumë bashkëpunim

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vizitoi sot Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë ku u prit nga Kryepeshkopi i Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Anastasi dhe klerikë të tjerë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.

Presidenti Meta uroi drejtuesit e lartë dhe të gjithë besimtarët, ndërsa i dërgoi një mesazh indirekt edhe politikës për më shumë reflektim dhe bashkëpunim. “Kjo është një ditë e jashtëzakonshme kundër dëshpërimit dhe fatalitetit, si dhe e shpresës dhe e entuziazmit për një të ardhme më të mirë.

Është një ditë e triumfit të jetës mbi vdekjen, të së mirës mbi të keqen, të shpresës mbi frikën dhe mbi pasigurinë. Është një ditë, që na bashkon të gjithëve e që na ndihmon të reflektojmë për më shumë bashkëpunim dhe harmoni, për të mirën e përbashkët” – u shpreh Presidenti Meta.

Meta apeloi edhe dje për dialog, kur u shpreh se me besimin në Zot dhe me dialog e vëllazërim, shoqëria jonë mund të tejkalojë çdo sfidë, pavarësisht sakrificave, për të ecur e sigurt drejt së ardhmes më të mirë, në familjen europiane.

 

Ora 09:25
'Gëzuar Pashkët'/ Rama uron besimtarët me pamjet e Kishës së Marmiroit në Orikum


Edhe kryeministri Edi Rama ka uruar besimtarët ortodoksë për Pashkët. Kreu i qeverisë e shoqëron urimin me pamjet nga Kisha e Marmiroit në Orikum të Vlorës. Kisha e Marmiroit është një monument i trashëgimisë kulturore në rrethin e Vlorës. Kisha është ndërtuar gjatë periudhës bizantine diku rreth shekullit të XII. Në vitin 1971 kur Instituti i Monumenteve të kulturës e mori nën kujdesin e tij këtë objekt ai ndodhej në gjendje pothuajse të rrënuar. Kisha është e tipit kryq i lire me kupolë.

Ora 08:58
Basha uron ortodoksët për Pashkët: Kremtohet triumfi i jetës mbi vdekjen


Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka uruar të gjithë besimtarët ortodoksë për Pashkët. "Këtë të diel, teksa besimtarët ortodoksë i drejtohen njëri-tjetrit me urimin e lashtë “Krishti u ngjall!” “Vërtet u ngjall!”, ju uroj nga zemra secilit prej tyre: të dashur miq, vëllezër dhe motra Gëzuar Pashkën! Për shumë vjet gëzuar këtë festë të shenjtë që kremton triumfin e jetës mbi vdekjen, të shpresës dhe dritës mbi të keqen dhe errësirën, të së drejtës dhe të vërtetës mbi padrejtësinë, babëzinë dhe injorancën! Zoti i bekoftë shqiptarët! Zoti e bekoftë Shqipërinë" shkruan Basha.