Cristiano Ronaldo ka zhvilluar bisedime me Bayern Munich një javë më parë, me yllin portugez që kërkon largimin nga Manchester United pas përplasjes me këta të fundit. Në një intervistë për The Sun, CR7 'shpërtheu' në akuza për mosrespekt nga trajneri dhe klubi me bazë në "Old Trafford". Daily Mail në Angli bën me dije se drejtuesit e bavarezëve udhëtuan një javë më parë drejt ishullit për të takuar Ronaldon dhe agjentin e tij Jorge Mendes.
Dëmtimi i Sadio Mane ka rikthyer interesin e Ronaldos për të kaluar te Bayern, me sulmuesin që tentoi edhe në verë për të lënë United por pa sukses. Mendes promovoi CR7 në disa klube gjatë verës, mes të cilëve Bayern, Napoli, Chelsea apo edhe Sporting Lisbone por pa sukses.
Me trajnerin ten Hag të United që ka kërkuar largimin e 37 vjeçarit nga skuadra, tanimë është puna e agjentit të CR7 që të sistemojë sulmuesin në një klub të ri. Dëshira e vetë sulmuesit është një kalim te Bayern Munich, teksa nuk përjashtohet edhe opsioni i Ligue I dhe rikthimi te Sporting Lisbone.