Fitorja 2-1 kundër Crvena zvezdës në Champions League erdhi vetëm në fund për Milanin, me trajnerin Paulo Fonseca që ka vendosur në pikëpyetje lojtarët e tij në lidhje me performancën në fushë.
Kjo nuk është hera e parë që portugezi ankohet për performancën jo të mirë të të tijve, ndërsa nën akuzë janë edhe emra si kapiteni Calabria apo Theo. Në fitoren e fundit trajneri u kënaq vetëm nga tri pikët, pasi ekipi nuk ishte në lartësinë që duhej.
“Unë jam padyshim i kënaqur me rezultatin, është fitorja e katërt radhazi në Champions League, ne jemi në një pozicion të mirë për të ecur përpara, por nuk jam i kënaqur me gjithçka tjetër”, tha Fonseca për mediet pas ndeshjes.
“Kur ne hyjmë në një lojë vendimtare si kjo dhe ne kemi këtë lloj qëndrimi ku nuk japim gjithçka për fanellën, gjërat fillojnë të bëhen të vështira. Nuk më pëlqeu ajo që bëmë si skuadër, e kemi detyrimin të bëjmë gjithçka në fushë”, vazhdoi ai.
Kur u pyet për të shpjeguar pse ai mendon se lojtarët e tij kanë një problem me paraqitjet, Fonseca u përgjigj: “Nuk dua të hyj në detaje, do t'u them lojtarëve se çfarë mendoj. Nuk jam i zemëruar, jam i trishtuar. Nuk jam i zemëruar, sepse fituam, por përveç kësaj nuk pashë asgjë që doja nga skuadra. Nuk dua të hyj në detaje të vogla sot, është më mirë të mos e bëj.
Nuk do të ndalem kurrë. Gjithmonë e kam ndërgjegjen të pastër, sepse po jap gjithçka për Milanin. Nëse më duhet të luaj me lojtarët nga Primavera, do ta bëj. Nuk e kam problem ta bëj këtë”, tha Fonseca.
Në stërvitjen e sotme, kur dukej se do vendoseshin pikat mbi "i" asnjë nga drejtuesit e lartë nuk ishin në Milanello, as Zlatan Ibrahimovic as Geoffrey Moncada.