Ai kujton se ai erdhi për t’u qethur para se të niste punimet një aktiv i partisë së rrethin e Vlorës, pak kohë pas ekzekutimit të Xoxes. Autoriteti i Hoxhës në parti ishte akoma i pasigurtë dhe në dukje ai ndoshta kishte frikë nga një përpjekje që mund të bëhej për ta eliminuar nga ndonjë ndjekës i grupit “titist”, të Xoxes.
Kristo Llazar Nikolla, ky është emri i një të riu shqiptar të arratisur në vitin 1953, drejt Korfuzit, i cili ndërsa i rrëfehet autoriteteve ushtarake greke, zbulon detaje që nuk mund të ishin të zakonshme, nga pikëpamja e djeshme dhe e sotme për hetuesit e tij që mund të kenë hapur mirë veshët.
Kur mori arratinë, sëbashku me vëllezërit (nuk merret vesh mirë numri i vëllezerve) ishte 24 vjeç dhe para disa viteve kishte mbaruar edhe shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Kishte punuar si berber në Vlorë dhe gjatë shërbimit ushtarak edhe në Tiranë. Por puna e kishte bërë që qysh në rininë e hershme, si 19-vjeçar, në Vlorë, t’u shërbente të paktën një herë të vetme, Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut.
Por jo vetëm: ai u kishtë shërbyer Beqir Ballukut dhe thuajse të gjithë ish-oficerëve të Sigurimit, duke futur këtu madje edhe ish-specialistët sovjetikë. Në një rrëfim që botohet për herë të parë në shtypin shqiptar, Kristo Nikolla, i cili shpesh në raport cilësohet si “burimi” ( dmth. burimi i informacionit), tregon edhe shumë detaje të tjera nga jeta e eksperiencat e tij në Shqipëri e Tiranë.
Nuk marrim përsipër të zbulojmë nëse ky person ka ekzistuar ndonjëherë, apo të verifikojmë emra e situata të përjetuara, por thjesht të përcjellim për publikun, materialin e plotë që përbën në fakt deponimin e Kristo Nikollës për autoritetet ushtarake greke të kohës, të cilat, ato më pas ua përcillnin aleatëve anglo-amerikanë.
* * *
ARRATISJE NGA VLORA DREJT KORFUZIT
Kristo Lazar Nikolla, 24 vjeç, është më i riu i vëllezërve që rrëmbyen një peshkarexhë të vogël 10-tonëshe, më 26 nëntor 1953 dhe dolën në brigjet e ishullit grek të Korfuzit. Para se t’i bashkohej vëllait të tij, Thanasit, në Vlorë më 23 nëntor për të konkretizuar përpjekjen e tyre për arratisje, Kristo kishte punuar që nga prilli i kaluar në Tiranë, si berber në “Klubin e Oficerëve të Ministrisë së Brendshme”. Ai thotë se atje iu dha rasti të takonte personalisht e t’u shërbente shumë prej oficerëve me grada madhore të Sigurimit të Shtetit.
SHEHU NUK QETHEJ KURRË NË “KLUB”
Mehmet Shehu, shefi i Ministrisë së Brendshme, nuk erdhi kurrë në berberhanën e klubit të oficerëve, gjithsesi, Kristo do ta kishte mundësinë t’i shërbente dhe Shehut në vitin 1949, kur ndodhi fushata e madhe spastruese brenda gjirit të komunistëve shqiptarë dhe kur shefi i Ministrisë erdhi në Vlorë dhe ndaloi në dyqanin e të riut 19-vjeçar, Kristo Nikolla, i cili punonte në atë kohë si berber. “Të rruaje Shehun, ishte një punë komplet tjetër”, thotë i arratisuri dhe në mendjen e tij për këtë ndodhi nuk ka mbetur asgjë e jashtëzakonshme.
ENVER HOXHËN E QETHA NË VLORË
Po në Vlorë, në të njëjtin vit e po në të njëjtin dyqan, ndodhi edhe që të vinte vetë kreu i komunistëve shqiptarë: Enver Hoxha. Ai kujton se ai erdhi për t’u qethur para se të niste punimet një aktiv i partisë së rrethin e Vlorës, pak kohë pas ekzekutimit të Xoxes. Autoriteti i Hoxhës në parti ishte akoma i pasigurt dhe në dukje ai ndoshta kishte frikë nga një përpjekje që mund të bëhej për ta eliminuar nga ndonjë ndjekës i grupit “titist”, të Xoxes.
Kristo kujton se Major Axhem Radhima, shef i bodigardëve të Hoxhës, qëndronte shumë pranë tij me pistoletën tek koka dhe shihte si një skifter të gjithë procesin derisa Kristo mbaroi së rruari mjekrën e Hoxhës. “Ishte një punë me tension nervor”, kujton Kristo. Por ai ia doli mbanë, duke mos e bezdisur për asnjë çast klientin e tij “të çmuar”.
BEQIR BALLUKU MA HODHI BUKËN SI QEN
Në nëntor 1949, pak pasi kishte mbaruar punë me Hoxhën, “burimi” u thirr të kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Ndërsa bënte shërbimin në Peshkopi, Beqir Balluku – në atë kohë shef i Shtabit të Ushtrisë shqiptare, erdhi për të inspektuar në repartin e Kristos. Këtu iu dha rasti të qethte e rruante edhe Ballukun.
Kristo tregon se gjatë një darke me Ballukun, kur po i shërbehej një copë e madhe mishi, Kristo hapi sytë i uritur, pasi u ndodh rastësisht aty. Balluku, tregon ai, me ç’duket, e vuri re shikimin e të riut. “Ai më dha një copë bukë e djathë, me një gjest të ngjashëm, siç bëhet kur i hidhet një qeni të uritur”, thotë Kristo.
S’MORA AS EDHE NJË CIGARE BAKSHISH
I pyetur nëse ai kishte marrë ndonjëherë bakshishe nga bosët e tij komunistë dhe oficerët e Sigurimit, Kristo përgjigjet: “As edhe një cigare”. Ndërsa po kryente akoma shërbimin në ushtri, ai dërgohet në Tiranë dhe nis punën si berber në të njëjtin klub oficerësh të Ministrisë së Brendshme, ku punonte shpesh me rroba civile. Klubi përfshinte ndërtesën trefishe të Hotel Vollgës ( i quajtur dikur edhe Hotel Intercontinental para luftës). Ai ndodhet në qendër të qytetit, pas ministrive.
KLUBI I MINISTRISË SË BRENDSHME
Ndërtesa u rimodelua nga italianët dhe përmban rreth 40 dhoma, secila prej të cilave të pajisura me tualete private. Përmban gjithashtu një restorant, kinema dhe mjedise të përshtatura për ekipet sportive të Ministrisë së Brendshme. E renditur pas Hotel Dajtit, Vollga ishte njëri nga hotelet më të mira në Tiranë, para se të merrej nën pronësi nga Sigurimi.
FILMAT SOVJETIKË PËR SIGURIMSAT
Në kinema shfaqen filma teknikë që kanë të bëjnë me punën dhe metodat kriminale të Sigurimit. “Burimi” tha gjithashtu se pikërisht pak para arratisjes të tij, të gjithë oficerët dhe hetuesit kriminalistë në Shqipëri, ishin mbledhur në Tiranë për të parë filma sovjetikë që shfaqnin se si luftohet krimi në BRSS.
Filma të tillë nuk janë shfaqur kurrë për audiencat jo-policore, tha burimi. Ai vetë thotë se u vu në dijeni për përmbajtjen e tyre nga një operator që menaxhonte projektorin në sallën e filmave të Ministrisë.
U SHËRBEJA EDHE SOVJETIKËVE E TË HUAJVE
Përveç oficerëve të Sigurimit shqiptar që kalonin kohën në këtë klub, aty vinin edhe oficerët sovjetikë për t’u qethur. Burimi në fjalë kujton një rast kur i kishte shërbyer një oficeri të tillë me gradën kolonel, të atashuar pranë Ministrisë së Mbrojtjes, dhe disa anëtarëve të stafit civil teknik që punonin në Kombinatn Tekstil “Stalin” në Tiranë.
Gjithashtu, ai tha se i kishte shërbyer një herë edhe një majori çekosllovak nga Ministria e Brendshme, që ishte specialist për trajnimin e qenve të policisë. I pyetur nëse ndonjëri nga këta të huaj kishte shfaqur ndonjë shenjë normale miqësie në marrëdhëniet e tyre me të dhe shqiptarët e tjerë, “burimi” tha se ata të gjithë silleshin si mizantropë”.
Ai thotë se nuk kujton dot ndonjërin prej tyre të buzëqeshte, e as të fliste ndopak – përveçse kur i jepnin urdhra. Ai thotë se emrat e tyre nuk i di, pasi sipas tij, ato nuk përdoreshin kurrë”.
ÇMIMET DHE PRODHIMET E HUAJA
Çmimi i një rruajtje dhe qethje, në klubin në fjalë ishte 20 lekë. Jashtë dyqanit, çmimi ishte 30 lekë (rroga mesatare ditore për një punëtor shqiptar të pakualifikuar shkon tek 80 lekë). Klientët paguanin në kasën që ndodhej në hyrje të klubit. Burimi thotë se në kohën kur ai punonte si berber civil, fitonte deri në 4500 lekë në muaj, vlerë që mund të dyfishohej për shkak se “burimi” punonte edhe pas orarit.
Thotë se mjetet e pajisjet e dyqanit ishin të mangëta: një sapun i thjeshtë rroje kushtonte 30 lekë. Ndërsa kremi i rrojës për sovjetikët kushtonte 100 lekë tubeti. Në vend gjenden brisqe, prodhime të dobëta çekosllovake, por ka çuditërisht një sasi të madhe brisqesh “Gillette” në dyqanet shtetërore për 20 lek copa.
Shumica e tyre, thotë “burimi”, vjen nga shqiptarët që jetojnë jashtë atdheut, sidomos në SHBA. Dogana mbi mallrat e pakot e tilla është shumë e lartë, saqë disa nga adresatët preferojnë më mirë të mos i marrin. Pas një kohe të caktuar, shteti i konfiskon ato dhe më pas ato prodhime nxirren për shitje nëpër dyqanet e shtetit.
QARKULLIMI
Në Tiranë gjen edhe “Buick” të rinj
I arratisuri shqiptar, Kristo Nikolla, rrëfente në vitin 1953, gjithashtu edhe detaje që kishin të bënin me prezencën dhe sasinë e automjeteve që qarkullonin në kryeqytetin shqiptar,duke na bërë me dije se ndryshe nga ç’mund të kemi pritur, aty tashmë shihej më shumë trafik dhe shumë nga veturat në qarkullim ishin të prodhimeve amrikane, madje haseshin edhe “Buick” të sapoprodhuar.
Ja si vijon më tej raporti: Ngjashmërisht, aty vihet re tashmë më shumë trafik mjetesh motorike, por të gjitha makinat i përkasin ministrive, ushtrisë, ndërmarrjeve shtetërore apo partisë. Shumë nga automjetet janë prodhim amerikan, duke përfshirë madje edhe disa “Buick” fringo të reja të vitit 1953 dhe “Chevrolet”. Burimi ka dëgjuar se popullsia e Tiranës mund të përllogaritet se kap një shifër prej rreth 150.000 banorësh.
KRYEQYTETI
Tirana, tashmë më e pastër, por e fjetur
Në raport, një vend shumë të veçantë zë edhe rrëfimi që Kristo Nikolla bën për qytetin e Tiranës, të cilin ai duket se njihte mirë, ose hiqej se e njihte mirë. Ai bën lehtësisht krahasime me vitet e epokës para ardhjes në pushtet të regjimit të ri dhe rrëfen konstatime interesante, pozitive e negative, që na bëjnë të mendojmë se sa kishte ndryshuar tashmë kryeqyteti shqiptar brenda harkut të pak viteve.
Duke folur në konsiderata të përgjithshme, “burimi” tha se Tirana është një qytet më i pastër në ditët e sotme se sa para ardhjes së komunistëve në pushtet. “Është gjithashtu një qytet shumë i qetë dhe i fjetur”.
Aty nuk ka asnjë frymë të gjallë dhe të bërtitura nëpër rrugë, të cilat i mbaj mend nga koha kur kam qenë fëmijë. Kjo, sepse njerëzit janë të frikësuar. Ai thotë se ndërkohë janë bërë disa ndërtime të reja, por se të gjitha godinat i shërbejnë jo popullit, por komunistëve – qeverisë, partisë dhe organizatave të tjera të partisë”.
“BLLOKU I HAJDUTËVE”
Kush i shqetësoi Hoxhën dhe Shehun në 1952
Në pjesën e fundit të raportit, “burimi” duket se i ka shuar kureshtjen hetuesve të shtetit fqinj, duke i rrëfyer copëza eksperiencash të përjetuara që lidheshin me ish-“Bllokun e udhëheqjes”, të cilin ai, duke iu referuar gjuhës së popullit, me qesëndi e cilëson si” Blloku i hajdutëve” dhe e vë theksin më pas tek masat e forta që ndërmerreshin për ruajtjen e qetësisë së udhëheqjes së vendit, duke sjellë në vëmendje një ndodhi të dy miqve të tij që kishin ardhgur rishtaz në Tiranë.
Liderët e Partisë dhe qeverisë jetojnë në vilat e lagjes, që dikur ishte e të pasurve të Tiranës “Tirana e Re”. Hoxha, Shehu dhe disa të tjerë të rëndësishëm nga hierarkia partiake, jetojnë kësisoj të gjithë në të njëjtin bllok, i njohur si “Blloku i Udhëheqjes”. Por njerëzit e thjeshtë, thotë Kristo, e thërrasin me emrin “Blloku i hajdutëve”.
“Burimi” përshkruan një incident që kishte ndodhur në nëntor 1952. Dy të njohurit e tij nga Shkodra, 20-vjeçarë, të cilët nuk ishin shumë familjarë me rrugët e kryeqytetit, po ecnin një mbrëmje të vonë me biçikleta pranë rrugëve të “Bllokut”. Rojat përballë vilës së Hoxhës hapën zjarr mbi të rinjtë, të cilët u hodhën nga biçikletat dhe u rrëzuan përtokë për të mënjanuar të frikësuar plumbat e ushtarëve.
Të dy, Hoxha dhe Shehu, dolën jashtë vilave të tyre për të parë se ç’ kishte ndodhur, dhe kur zbuluan se cila kishte qenë arsyeja e shqetësimit, ata i qortuan ushtarët për të shtënat e parakohshme. Të rinjtë në fjalë, u lanë më pas të vijonin rrugën të pacenuar. Qysh nga ky episod, gjithsesi, e gjithë zona përreth bllokut u rrethua menjëherë me tela me gjemba, njerëz të armatosur dhe qen policie që qëndruan aty gjithë natën.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 05.04.2013
Redaksia Online
(b.msjhqiptarja.com)