Kritika letrare për fëmijë në procesin historik e krijues deri në vitet ’90-të

Kritika letrare për fëmijë në procesin historik e krijues deri në vitet ’90-të

Prej kohësh më mundojnë pyetje, si këto: “Pas viteve ’90, çfarë trashëgoi letërsia shqipe për fëmijë dhe në ç’gjendje është sot?”, “Po kritika dhe studimet letrare për fëmijë, çfarë trashëguan dhe cili është orientimi i tyre i sotëm, më konkretisht, cili është komunikimi, ballafaqimi dhe evidentimi i vlerave të vërteta nga ato jo të vërteta, të cilat “bashkudhëtuan” dhe u bënë pjesë të kësaj letërsie në këto tri dekada?”

 Padashur të marr përsipër shqyrtimin problemor të shumë fenomeneve e dukurive letrare, që u shfaqën në dy realitete historike: para dhe pas viteve 90-të, është e nevojshme të theksojmë se, disa prej tyre kanë lënë gjurmë, të tjera janë vazhdimësi e këtyre gjurmëve, pra jetojnë, duke shtuar dhe të tjera që “kanë nxjerrë krye” në këto realitete jetësore e letrare, të cilat po marrin jetë e po zhvillohehen sipas mënyrës së tyre. Sipas Tzvetan Teodorovit, kjo tërësi problemore, duhet veçuar në tre parametra: në “... kohën, shikimin dhe mënyrën.”

Në rrjedhën historike të procesit letrar krijues e studimor, shumësia e fenomeneve dhe dukurive që u zhvilluan e po zhvillohen, në tërësinë e tyre lineare e të segmentuara, kanë prodhuar nëpër vite, vlera dhe antivlera, të cilat kanë ndërtuar udhët e tyre, të cilat këto udhë janë të lidhura me faktorë historikë, psikologjikë, sociologjikë, pra me realitete jashtë letrare dhe letrare.

Në vite kritika letrare ndaj qasjes së botimeve të letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj ka shënjuar mangësi. Por edhe sot, mendoj se ajo është anemike. Kompetenca e saj shkencore interpretuese në shërbim të vlerave të vërteta është ende e rrallë. Po çdo të thotë mungesa e një kritike të vërtetë? Studiuesi Arshi Pipa na ofron dy opsione: a- “... e quan këtë mungesë si pasojë e “pa –sigurisë letrare në të cilën ndodhemi...”, b-“... e gabimeve të gjykimeve tona vleftësuese”. 

 2. Studimet dhe kritika letrare për veprat e letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj, që na ofroi Prof. Agim Deva, studiuesi nga Kosova, në vetvete janë një thesar. Ai e njohu seriozisht këtë letërsi, e vlerësoi me dashamirësi, gjithashtu seriozisht.

Fenomenet dhe dukuritë letrare e jashtë letrare që i ranë për hise letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj, në diagramën e zhvillimit të tyre, herë e pasuruan dhe herë e varfëruan klimën letrare, po aq e pasuruan dhe e varfëruan dimensionin e letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj. Po aq edhe kritika letrare në pozicionin e saj ekzistues e ka pasuruar dhe e ka varfëruar hapësirën multidimensionale të letërsisë për fëmijë. Pesha dhe angazhimi i saj ka vlera domethënëse jetike për një letërsi, edhe pse ajo quhet e fëmijëve. Mjafton të kujtojmë ëndrrat e dëshirat e Rilindësve tanë, shkrimtarët përkushtrimtarë të së vërtetës të kësaj fushe që lanë plot thesare e gurë të çmueshëm krijimtarie për të sotmen e ardhmërinë e një kombi, për formimin dhe konsolidimin e identitetit të tij. Është e udhës t’i falemi atij kapitulli analizues si rrallë kush, që Prof. Rexhep Qosja tek libri i tij “Porosia e madhe” i bëri edhe krijimtarisë për fëmijë të poetit tonë të shquar Naim Frashëri.

Çfarë trashëgoi letërsia për fëmijë gjatë pesë dekadave? Trashëgimia, por edhe ajo e pesë dekadave domosdoshmërisht duhet të njihet, të dihet e të interpretohet, sepse është prodhim i kohës. Kërkohen të evidentohen vlerat e kohës dhe koha e vlerave. Këto, duke i mbetur besnik vështrimit historik, problemet dhe zhvillimet letrare që shfaqen duhen parë gjithherë të lidhura ngushtë me stadet e zhvillimit të një epoke që zgjati afro pesë dekada. Optika e saj gjithëpërfshirëse ishte e natyrës masive, që shquhej dhe kishte si bazë MANIFESTIN ENTUZIAST. Jo më kot një studiuese shkruante shumë vite më parë kështu: “Koha jonë është thellësisht heroike dhe fëmija nga vetë natyra është i prirur për entuziazëm. Veprat heroike e tërheqin, e rrëmbejnë, e ngrejë peshë zemrën dhe fantazinë e tij. Pra, shkrimtari për fëmijë i ka të gjitha mundësitë që t’i japë lexuesit të vet ngjarje dhe karaktere heroike dhe duhet t’ia japë mirë, që të veprojë mbi mendjen dhe fantazinë e fëmijës, t’i zgjojë emocione të forta. Me një fjalë, heroizmi jepet përmes figurave konkrete dhe jo përmes fjalës së zhurmshme, retorike, që nuk zgjon emocione.” Por letërsia për fëmijë e viteve ’50, ‘60, ’70 e ’80 ka pasur konfiguracionin e vet letrar dhe është shpërfaqur, dhe ashtu siç e thamë, duke qenë e lidhur ngushtë me situatat kohore, pranuar edhe në rrafshin politik.

3.Vitet ’50 na flasin për fillimet e një letërsie të re entuziste, me prirje tematike e motivore të burimit folklorik, me prirje subjekti e subjektiviteti, me prirje formatesh të zvetënuara, me prirje drejt historive të luftës dhe duke shkuar më larg, nga Rilindja, duke u mbështetur në letërsinë e saj, që ishte më e konsoliduar dhe më e pasur në vlera në disa aspekte se kjo letërsi. Ndoshta, kjo rrjedh, se kjo periudhë e Rilindjes është më e studiuara më shumë se periudhat e tjera.

Po si paraqitet kjo letërsi? Si paraqiten tendencat e saj për të krijuar një rrugë të re letrare? Duke u bazuar në veprat e botuara, gjejmë të pasqyruara: një përbashkësi problemore ku përballet e drejta dhe e padrejta, përbashkësi këndvështrimesh mbi elementet origjinarë, mbi konceptet e idealeve triumfuese e mohuese të tharmit subjektor e të personazheve, të cilët shkojnë gjer në konflikt të papajtueshëm, a në përjashtim të njëri-tjetrit. Është i dukshëm ndikimi i letërsisë sovjetike, si në botime veprash, ashtu edhe në mënyrën e të rrëfyerit e narracionit, të vargëzimit e figuracionit, në mënyrën e ligjërimit e të parafytyrimeve poetike tek autorët shqiptarë. Në të gjitha këto arsyetime në të cilën udhëtonte libri shqip për fëmijë, na tërheq vëmendjen krijimtaria poetike e shkrimtarit Spiro Çomora, si përpjekje e suksesshme për të krijuar individualitet artistik. Arsyeja e parë është se, poezia për fëmijë ka qenë një fushë tjetër e dashur për autorin. Librat poetikë që na dhuroi (vjersha dhe fabula) janë interesantë, plot fantazi e humor të këndshëm. Duke njohur mirë botën e brendshme dhe kërkesat e fëmijës, ai arrinte t’u largohej frazave të përgjithshme, deklarative e moralizuese. Zakonisht vjershat ndërtohen mbi një fabul të thjeshtë, por me aksion, ku fëmija, përmes personazheve moshatarë, sheh veten e tij në lodra e gëzime të çiltra. Vargu është konçiz e me ritëm të rrjedhshëm, aq sa fëmija, fare lehtë, mund t’i mbajë mend e t’i bashkojë me tingujt e një melodie. (“Rona, rona, peperona”, “Çil, çil trëndafil”). Autori shfrytëzoi me shumë sukses modele të gjëzave e përrallave popullore për të vegjël, natyrisht, duke i pasuruar me elemente të reja në funksion të përmbajtjes që kërkon të transmetojë.

Kritika letrare, për atë fillim operimi, ka më shumë karakter informativ, recensional, empirik dhe bibliografik. Shpesh herë gjykimet “për të gjetur të meta veprave” i rëndojnë më shumë se ç’duhet veprat dhe autorët e tyre. Evidentimi i problemeve dhe i veçorive bëhet në bllok.(Me bllok nënkuptoj breznitë e krijuesve dhe kriterin gjinor e tematikor, si dhe lëvrimin e pakët të zhanreve letrare). 

Kritika, në këtë periudhë, është në një rrugë modeste dhe në përpjekjeje për të afirmuar personalitetin e saj. Kurse në vështrimin e analizave të veprave, përqëndrimi është më shumë te subjekti, mungon thellësia e mendimit dhe dukuritë analitike.

4.Vitet ’60 na flasin për hyrjen e një grupi shkrimtarësh, ndonëse të rinj, por cilësohen premtues. Ky brez mbetet, çuditërisht, më interesanti edhe sot në letërsinë për fëmijë, për vlerat që sjellin dhe për vlerat që kanë lënë. Koha dhe letërsia për fëmijë vërtetuan se, prurjet e tyre letrare qenë kualitative, jetuan dhe më vonë, pas një përvoje të dukshme në procesin shkrimor, përcaktuan edhe individualitetet e tyre artistike. Përmendim: B. Dedjen, O. Grillon, A. Mamaqin, Xh. Beqarajn. Kështu, në qiellin e kësaj letërsie nisin të vezullojnë embrione stilesh, larmi gjinish e zhanresh. Ndonëse ishin shpërpjestimore, jepnin shpresa për një konsolidim të mëtejshëm të rrugës së kësaj letërsie. Dhe kjo shpresë nuk na zhgënjeu. Sot letërsia për fëmijë, përgjithësisht, ka zërin e atyre shkrimtarëve që hyn vrulltas në vitet ’60 e më pas të atyre në vitet ‘70.

Të kthehemi përsëri në vitet ’60. Në veprat e këtyre krijuesve që ne po i quajmë të rinj (asokohe) shfaqen disa risi, të cilat flasin për një realitet të ri që po vjen, dhe që kërkon për të kapërcyer të metat e letërsisë së viteve ‘50.

Por, kur në këtë letërsi shumë sythe po çelnin lule, shpejt në rrjedhën e saj, veçanërisht duke iu afruar viteve ’70, nisin të gëlojnë skema të tilla, si: prirja drejt një formati statik të botës së fëmijëve, reflektime shumëngjyrëshe të një bote më shumë ëndërruese se sa reale, të një monumentaliteti absurd e moralizues, që kanë gjegjëse formulën e përditshme e të rëndomtë: “Do të bëhem…”, “Do të bëhem si…”.

Letërsia e viteve ’60 nis prirjen drejt vlerave të vërteta. Për rrjedhojë nis thyerja e tabuve që përmendëm më sipër. Në këtë drejtim tipike është vepra “Shpella e piratëve” e shkrimtarit të talentuar Petro Marko. Një autor sa idealist aq dhe realist. Prirës drejt befasive të subjektit e vende-vende (kapitujsh) sjellës i imazheve surreale. Brenda strukturës së fabulës e subjektit, autori futi me mjeshtri nocionin e aventurës si domosdoshmëri bashkudhëtare e natyrës dhe e psikologjisë së moshës, të cilës ia drejtonte veprën. Vepra në fillim u gjymtua nga Shtëpia botuese “Naim Frashëri” (sektori i fëmijëve) me censurën dhe autocensurën e saj që përfaqësohej nga kritikë e shkrimtarë të letërsisë për fëmijë. Kjo zbulohet nga një letër që shkrimtari i dërgon punonjësve të sektorit të fëmijëve, i cili është i shqetësuar për fatin e veprës së tij. Në rreshtat e kësaj letre ndihet dhimbja për fatin e botës së fëmijëve, si dhe për fatin e vërtetë të një vepre të vërtetë. Gjithashtu përmes rreshtave të kësaj letre ne kuptojmë dimensionin e shkrimtarit, vlerat e tij, të cilat nuk përputhen me vërejtjet (shpesh subjektive, shpesh politike) të bëra nga redaktorët. Në atë letër kuptojmë se sa lart e ngre dhe e çmon Petro Marko misionin e shkrimtarit për fëmijë. Dhe, megjithatë... vepra u botua e paplotë. (E plotë u botua pas tre dekadash).

Duke lexuar një seri shkrimesh kritike në shtyp për këtë vepër, na rezulton se, “Shpellën...” nisi ta bëjë shpellë me kritika, vetë kritika e atëhershme. Ndërsa një model studimi, për të vërtetat artistike të kësaj vepre na ofron studiuesi Ali Aliu. Mendoj që është me vend të studiohet fati i veprave të shkrimtarit Petro Marko, dhe i disa shkrimtarëve të tjerë gjatë rrugës së krijimtarisë së tyre.

 Në vazhdën e risive, dhe është fjala për poemën-sintezë që pasuron portretin e kësaj gjinie, janë edhe poemat “Princesha Argjiro” (1958; e ripunuar – 1967), “Gurëgdhendësit” (1967) dhe “Në muzeun e armëve” (1978) të shkrimtarit Ismail Kadare. Kontributi i tij në gjininë e poemës, në rrugën e zhvillimit të saj është i rëndësishëm e bazal, fiton problematika dhe tipare të reja, veçanërisht në drejtim të mozaikut të ndërtimit kompozicional, të mënyrës së rrëfimit dhe figuracionit të pasur; por është objekt i zbehtë i kritikës letrare, më mirë të themi se kritika letrare është e papërgatitur dhe e befasuar nga një ardhje e tillë letrare. E ka të vështirë të bëjë interpretime të tilla të reja e të papritura që krijojnë një fizionomi të re për letërsinë shqipe për fëmijë nga një autor i talentuar që vinte nga letërsia për të rritur.

5.Vitet ’70 flasin për një ideologjizim të theksuar të letërsinë për fëmijë. Veprat e letërsisë për fëmijë vlerësohen vetëm sipas kriterit ideologjik. Idelogjia ka edhe trajtën e vlerës artistike. Është e vetmja optikë shikimi. Si gjini, poezia është në avangardë. Botohen vepra, edhe me format të vogël, por me tirazh të madh. Skematizmi, moralizimi e mediokriteti lëshojnë rrënjë. Në këtë hulli marramendëse, bën dallim, veçanërisht, profili poetik i Xhevat Beqarajt. Që nga libri i parë poetik “Kam një harmonikë” e deri tek i fundit “Rruazat e vesës” kemi një linjë konseguente poetike që ruan statusin e poetit lirik, plot ndjenjë e drithërimë, duke mbetur kështu një Poradec në poezinë për fëmijë. Krijimtaria e tij poetike ka sfiduar rrafshin tematik politik që ofronte koha. Ndoshta është nga poetët më të rrallë që gjenden në letërsinë për fëmijë. Vlerat e veçanta dhe të papërsëritshme të poezisë së Xhevat Beqarajt i ka qëmtuar dhe shqyrtuar në mënyrë të hollësishme, me kompetencë shkencore, në monografinë e tij, studiuesi i talentuar Xhevat Syla, që e ka titulluar “Harmonika e Atdheut”.

E vetmja gjini që ngjall, përsëri, diskutime nëpër vite është përralla. Problemi i natyrës dhe i evolucionit të saj meriton vëmendje. Meritojnë vëmendje: konvencioni, elementë të formës e të përmbajtjes, raportet e tradicionales dhe së resë ku bashkohen e ku ndahen, tipologjia,metamorfizmi, morali, animizmi dhe personifikimi, etj., etj. Me të tilla probleme e nocione i takon kësaj radhe të përballet Kritika letrare, e cila në thelb nuk është edhe vetë e qartë, kur merr në shqyrtim të trajtojë dukuri të tilla. Këtë e vërtetojnë edhe diskutimet pro dhe kundër, disa simpoziume e aktive për problemet e përrallës për fëmijë, si dhe diskutimet e herë pas hershme në rubrikën e gazetës “Drita”. Mendojmë se këtë gjini e futin më shumë në udhëkryq. Edhe në vitet e mëvonshme, përsëri për këtë gjini të shumëdiskutuar nuk marrin ende zgjidhje probleme të tilla, si: simbolika e saj, raportet e reales me fantastiken, raportet e përrallës së kultivuar me atë popullore, magjia e mitit, funksioni dhe qëllimi i saj, etj. Ndonëse kritika evidenton krijime me vlerë të autorëve, si: Mitrush Kuteli, Bedri Dedja, Naum Prifti, Odhise Grillo, Gjergj Vlashi, Adelina Mamaqi, Frederik Reshpja, Gaqo Bushaka, Skënder Hasko, Tasim Gjokutaj, të cilët përmes veprave të tyre i jepnin zgjidhje shumë dukurive dhe arsyetimeve mbi botën përrallore. E në këtë aradhë si një befasi e këndshme që vjen të pasurojë botën përrallore jo vetëm të krijimtarisë së autorit por edhe të letërsisë, është dhe “Ariu artist” (novelë) e shkrimtarit Gaqo Bushaka. Ashtu si tek libri i parë me përralla dhe tregime “Në ishullin e dallëndysheve”, edhe në këtë novële-përrallë, më e theksuar, spikat gjuha që përdor autori, e cila përbën një prej tipareve më dalluese të saj, e cila shquhet për pastërtinë, rrjedhshmërinë e pasurinë leksikore. Këto tipare në saje të përkujdesjes së autorit, do të marrin stade të reja zhvillimi. Do të vijë hijshëm frazeologjia e bukur fëmijërore, e vjelur prej autorit me zgjuarsi e mprehtësi nga jeta e përditshme e të vegjëlve. Është pikërisht ajo frazeologji fëmijërore që ka mundur të sjellë në këtë novelë Gaqo Bushaka, e cila në substancën e saj ka nota humori të këndshme e jetësore, të freskët e joshëse. Gjithashtu gjuha e përdor tregon se shkrimtari është edhe njohës i mirë i psikologjisë së fëmijëve, pasi vë në veprim kryesisht fondin aktiv të fjalorit të tyre, pa e mbingarkuar atë me nocione të pakuptueshme.

E papritur për përrallën, por edhe për kritikën letrare për fëmijë ishte libri “Dhjetë pa dy” i shkrimtarit Gjergj Vlashi. Gjergji vinte pas disa sprovave të suksesshme në gjininë e përrallës, siç ishin: “Pse gomari i ka veshët e gjatë? (Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë 1958); “Lokomotiva e vogël” (Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë 1970).

E papritura ishte se autori Vlashi theu disa nocione për përrallën. E kam fjalën për personazhet, që aktualisht përralla shqiptare (shkrimtarët) i përdorte si rituale të zakonshme e deri në njëfarë mase edhe të konsumuara. Ndërsa në përrallat e Gjergj Vlashit nuk veprojnë as njerëz, as kafshë e insekte (kandrra) nga bota e gjallë, por sende. Ky model përralle i ofruar për ne ishte diçka e re, por në letërsinë botërore, atë e kanë përdorur me sukses që nga Anderseni e deri te Xhani Rodari.

Ardhja e këtij libri me një tipologji të tillë, pati edhe kundërshti në kritikën letrare e recensionale. Dhe që do të kishte kundërshti, ishte e pranueshme. Po t’i hedhim një vështrim udhës së zhvillimit të përrallës do të ndeshim këto karakteristika:

-Një pjesë e autorëve shqiptarë filloi të mblidhte përralla nga goja e popullit dhe me pak ndryshime t’i përshtaste për të vegjëlit, pa ndryshuar esencën dhe formën. Me një fjalë, këta ecnin pak a shumë në traditën e krijuar nga shkrimtarët e mëdhenj të shekullit XIX.

 -Më vonë disa autorë filluan të shkruanin përralla autoriale, duke ruajtur nga folklori dhe letërsia gojore skemën e ndërtimit dhe formën. -Përsëri më vonë autorët-përrallëtarë në krijimet e tyre po jepnin e pasqyronin një realitet të saktë nëpërmjet formës së përrallës. Në këtë grupim hyn edhe vëllimi me përralla “Dhjetë pa dy”. Autori Vlashi ka një konceptim tjetër për përrallën, ai i largohet skemës tradicionale dhe e afron atë më tepër me tregimin. Suksesi dhe pamja e re e kësaj përralle është se fëmijëve po u jepeeshin njohuri të reja, larg mbetërve, pricërve, shtrigave, a fenomeneve ku sundonte magjia. Pra, Vlashi po sillte një realitet të ri përralle të shkruar me kulturë, dhe në të gjitha krijimet veçantohej konseguenca e tij për të goditur vese dhe tipare negative morale.

 Kritika letrare, që sapo filloi të vijëzonte shprehitë e para, i humbi shpejt ato. Po ashtu edhe letërsia për fëmijë që kishte krijuar një lloj themeli, nga mediokriteti e parullizmi, dalëngadalë dhe si pakuptuar po kërcënoheshin dukshëm nga antivlera. Është për t’u theksuar, se në këtë kohë, paraprijnë studimet e Bedri Dedjes, janë studime që në të shumtën e rasteve priren drejt kritikës shkencore, të cilat kërkojnë me ngulm ruajtjen e identitetit të letërsisë për fëmijë. Dhe këtu e kemi fjalën për ciklin e shkrimeve që marrin në analizë periudhën e traditës, që përkon me Rilindjen tonë Kombëtare. Janë më të vlertat. Shumë momente të caktuara historike dhe fenomene letrare përqasen edhe me elementë pedagogjikë, psikologjikë e sociologjikë. Si konkluzion themi, se Rilindja Kombëtare është periudha e letërsisë sonë për fëmijë më e studiuara vertikalisht dhe horizontalisht, më analitikja, ndoshta, kam mendimin, se realitetit historik për cilin po flasim, më shumë se kurrë i duhej motivi atdhetar e patriotik, ndonëse këtij realiteti nuk i ishte mohuar historikisht ky motiv i qenësishëm, identitor dhe frymëzues.

 6. Fundi i viteve ’70 dhe fillimi i viteve ’80 flasin për prurje të reja në letërsi. Hyjnë poetë të talentuar, kësaj here, nga letërsia për të rritur, si Xhevahir Spahiu, Moikom Zeqo e Llambro Ruci. Gjithashtu autorë të njohur të letërsisë për të rritur si Dritëro Agolli e Dionis Bubani, nisën të shkruajnë edhe vjersha humoristike për fëmijë. Kjo gjini, më vonë, do të njohë arritjet e saj nërpërmjet talentit të poetit Tasim Gjokutaj, arritje të një spektri interesant e befasues, veçanërisht në drejtim të subjektit e figuracionit, humorit e detajit të freskët artistik për moshën e parashkollorëve.

 Letërsia për fëmijë flet për problematika të reja dhe interesante, nota origjinaliteti dhe mjeshtëri artistike.

 Kritika letrare fiton disa tipare dhe shprehësi të reja. Fillojnë prirjet për studime më në thellësi, si ato të Fatos Kongolit, Odhise Grillos, Çapajev Gjokutajt, Viktor Qurkut, Naum Priftit, Foto Malos, Lliko Nanos, Ramazan Çadrit, Sokol Jakovës e Klara Kodrës. Por, çuditërisht, për disa gjini, si p.sh. ajo e përrallës, kritika letrare ende nuk e ka gjetur gjuhën e komunikimit në zbërthimin e plotë të disa nocione të kësaj gjinie.

 Kur pritej një dimension i ri zhvillimi, si për letërsinë për fëmijë, ashtu edhe për kritikën letrare, realiteti politik ka nisur të tronditet. Letërsia për fëmijë pakëzon botimet. Në emër, gjoja, të nivelit artistik, shfaqet si preferencë monopolizimi i disa shkrimtarëve në botime veprash. Kritika letrare për fëmijë nis çorentimin e saj.

 Kjo ishte pak e shumë tabloja e zhvillimit të letërsisë për fëmijë, e kritikës letrare e paraqitur në një vështrim historik. Këto prurje u munduam t’i shenjonim e t’i evidentonim. Ato paraqesin problematikat dhe shqyrtimet përkatëse. Me këtë ngarkesë zhvillimi erdhi në vitet ’90. Sistemi politik, tashmë kishte ndryshuar.

Shkodër, prill, 2019

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion