Rovena Rrozhani: Një 'shaka' në Pallatin e Librit!

 Rovena Rrozhani: Një 'shaka' në Pallatin e Librit!

Panairi i librit

Pasditja e dytë e panairit të librit 2024. Pak njerëz, shumë pak, shumë më pak se një vit më parë. Çuditërisht nuk kisha asnjë ndjesi negative për këtë mungesë lexuesish. Befas ndjeva se ky ishte panairi që kanë kërkuar në media për shumë vite, një panair bashkëpunimesh, njohjesh të reja, lidhje kontratash, shkëmbime, ritakimesh dhe idesh të reja etj. Një panair për librat e rinj dhe jo një shitore librash ndër vite. E stërdiskutuar në të gjitha qarqet kjo gjë prej kohësh. Ende e pazgjidhur.  

Teksa botuesit dhe të tjerë rrinin në merak për vizitorët e pakët unë shijoja qetësinë. Pata mundësi të takoja kolegë dhe miq nga shtëpitë e tjera botuese, Takova Anilën e cila këtë vit drejton «Ideart», Irenën ku është botuar Hana ime, Eldën që tani drejton «Mediaprint» dhe ku janë librat e mi të viteve të shkuara, dhe rastësisht pa lënë takim, por duke e ditur që do të shiheshim, u ndesha me shkrimtarin dhe studiuesin e letërsisë për fëmijë, Xhahid Bushati. Takova Rudinën me “Pupëzën” që mblidhte autografë kolegësh në një çadër dhe u përshëndeta me botues. Valbonën me romanet e saj, arrita ta takoja ditën e fundit në stendën e «Berk» sepse shtëpia e saj botuese është e re dhe nuk ndodhej në panair.

Takova miq dhe disa prej kolegëve gazetarë pasi të tjerët ishin të angazhuar në aktivitetet e panairit. Takova Erion “gjigandin” dhe Aviolën e mençur, Elonën, redaktoren time qëndrestare. Takova edhe një librare në Vlorë dhe diskutuam se si mund të jemi pranë lexuesve vlonjatë. Shkëmbyem ide të cilat shpresoj të bëhen realitet. Nuk takova dot Vjollcën, të mirën e Shkëlzen Zallit që vazhdon të botojë librat e tij të bukur për fëmijë, sepse filloi vala e lexuesve dhe kati i dytë u bë thuajse i vështirë për t’u arritur. Por bashkë shihemi dhe flasim për vjershat plot lirikë dhe ngjyrë të Shkëlzenit, një vepër që ajo e mban gjallë me stoicizëm. Nuk arrita të takoja as shkrimtaren Adelina Mamaqi, e cila këtë vit risolli «Goni Trazovaçin», apo të tjerë shkrimtarë për fëmijë për shkak se ditët që pasuan ishin plot me vizitorë. Teksa vrulli i lexuesve u shtua në ditët në vijim, takova fëmijë dhe prindër që më dhanë frymëzim dhe energji pozitive. Këtë herë duke rendur midis dy shtëpive botuese ku janë librat e mi. Biseduam, luajtëm, lexuam dhe bëmë fotografi.   

Pak pasi kaloi mesdita e së shtunës, u ndanë çmimet e panarit. Prej kohësh i kam lënë jashtë vëmendjes këto çmime, por gjithsesi prisja të uroja shkrimtarin/en që do të fitonte në kategorinë e letërsisë për fëmijë. Lajmi që erdhi nga salla e ceremonive ishte një shaka e hidhur dhe e përsëritur. Nuk u dha çmim për letërsinë për fëmijë. U përpoqa të mësoj se çfarë kishte ndodhur dhe më thanë se «kështu u vendos». Kërkova të mësoj më shumë, por nuk mora përgjigje. Më në fund nga burimi zyrtar mësova se nuk kishte «mjaftueshëm prurje cilësore».

Shtanga. Mjaftueshëm? Sasia e pakët e librave është një justifikim i përsëritur që është mbështetur në faktin se libra të rinj mund të ketë, por jo të gjithë u dorëzuan në konkurs nga shtëpitë botuese.  Përballë një situate të tillë duhen pyetur botuesit se përse nuk i dorëzojnë librat e rinj të letërsisë shqipe për fëmijë pranë jurisë, por duhet pyetur edhe shoqata e tyre se përse nuk ka gjetur një zgjidhje për këtë problematikë? A mund ta gjykosh një realitet kur nuk i referohesh atij si i plotë? Dhe përse gjykohen shkrimtarët në vend të botuesve? Dhe sigurisht pyetja më e rëndësishme është se përse hiqet çmimi sepse nuk ka sasi?

Më mbeti gjithashtu në mendje fjala “cilësore». Këtë e duam të gjithë, që nga ajri që thithim, uji që pijmë, ushqimi që hamë, rrobat që veshim dhe arti që konsumojmë. Duam cilësi për mendjen, shpirtin dhe trupin. Ndjeshmëria është e lartë kur dikush pretendon se nuk ka cilësi dhe perceptimi që një deklaratë e tillë përçon tek publiku është i padrejtë. Atëherë përse thuhet një deklaratë e tillë dhe nuk jepet një argument? Nuk ka kohë për t’u përmendur në një ceremoni çmimesh? Apo është një justifikim? Përse kryebotuesi i pallatit të librave nuk e ka ndarë këtë shqetësim të përsëritur në vite me botuesit? Nëse këto prurje nuk janë cilësore, përse botohen? Pra përse kryebotuesi qëllon me shpullë veten dhe simotrat e sivëllezërit e tij? Dhe cili është parametri matës i cilësisë sipas jurisë? Ose më saktë si bëhet gjykimi i librave për fëmijë?

Në konkurset e huaja, por edhe në tregun botëror të librit për fëmijë, të gjithë ata që gjykojnë këtë letërsi janë studiues, autorë, redaktorë, pedagogë, botues, agjentë letrarë etj, të letërsisë për fëmijë dhe jo ata për të rritur. E megjithkëtë deri më sot nuk ka një përkufizim shterrues se cili quhet libër i bukur për fëmijë. Për të mos folur për specifika të letërsisë për fëmijë që nuk janë të njëjtat me letërsinë për të rritur, sepse e para ndahet sipas llojit të botimit dhe grupmoshës së lexuesit, pra jo thjesht sipas zhanrit. Shqipëria e brenda kufijve shtetërorë e ka të vështirë të plotësojë një juri të tillë. Studiuesit e letërsisë shqipe për fëmijë, mezi bëhen në numrin shumës, të paktën ata që arrijnë deri në publik me punimet e tyre. Dhe po aq të paktë janë redaktorët. (Në këtë pikë kush di të thotë se çfarë terreni i është dhënë letërsisë shqipe për fëmijë që të lulëzojë në sasinë dhe cilësinë e kërkuar? Sa bëhet për mbështetjen dhe nxitjen e saj? Përveç një fondi të Qendrës së Librit në këto vitet e fundit, nuk ka asgjë tjetër për këtë letërsi që ndryshe nga letërsia për të rritur përfshin edhe ilustruesit. Nuk ka asnjë çmim për ilustruesit e librave.)

Letërsia shqipe për fëmijë kërkon mbështetje për të nxitur talente të reja si: shkrimtarë dhe ilustrues të të gjitha brezave, redaktorë, studiues dhe të uruarit agjentë letrarë që i mungojnë kaq shumë Shqipërisë. Ndër të gjithë ata që përmenda më sipër, shkrimtarët janë më të shumtë edhe pse duken të paktë. Por mohimi bie vetëm mbi kokën e tyre. Kujt i shërben ky dëmtim i imazhit të shkrimtarit për fëmijë të cilit përveç sfidës së vështirë që ka me lexuesit i duhet të përballet edhe me verdikte të tilla jurie?

A vlen një frymë e tillë negativiteti kur roli i letërsisë shqipe për fëmijë është shumë më i rëndësishëm në ditët e sotme? A e dinë mediat dhe botuesit se sot «armiku» nuk është teknologjia, por gjuha e huaj? A e dinë ata që po rritet një brez që parapëlqen të mësojë, këndojë, lexojë dhe të flasë anglisht dhe jo shqip? Dhe kjo po ndodh në heshtje, nën hundët tona, si një gjë normale që po e miratojmë pa e kuptuar. Mendon kush se, kur të rriten këta lexues të vegjël nuk do të lexojnë përkthimet e shumta sepse do të duan botimet origjinale në anglisht dhe gjuhë të tjera që mësojnë? Ky realitet shqetësues njihet nga prindërit. Ata po përpiqen të rekuperojnë këtë «gabim» dhe kërkojnë në librari apo panair librat me gjuhë të pastër shqipe në përputhje me grupmoshat. Sepse edhe përkthyesit për librat e fëmijëve i kemi të paktë ndërkohë që këtu raporti sasi-cilësi ka sjellë jo pak problematika në vite. Nga ana tjetër sa mund të përcjellë një libër i huaj traditën shqiptare? Vetëm këtë vit ishin të paktën dy libra të rinj, të bazuar në foklorin shqiptar. Këtë trashëgimi nuk mund ta japë dot as libri që ka fituar çmimin më prestigjioz në letërsinë botërore për fëmijë.

Pra situata është komplekse siç edhe vetë kryebotuesi e përmendi në ceremoninë hapëse të panairit kur fliste «për të fituar betejën me librin në shkollë, biblioteka» etj. Por si mendoni që do ta fitoni këtë betejë pa autorët shqiptarë?

Ka ardhur koha t’i jepet fund deklaratave pa argumente dhe me verdikte si nga frone zotash, sepse të gjithë, kush më shumë e kush më pak, janë pjesë e këtij realiteti në letërsinë shqipe për fëmijë. Mos i shkarkoni problemet tuaja mbi shkrimtarët! Ata nuk zgjidhin hallet që nuk u takojnë, ndërkohë që me librat e tyre mund të parandalojnë halle dhe probleme që bëhen jetike. Ata shkruajnë dhe do të vazhdojnë të shkruajnë edhe kur rreth tyre të ngrihet një atmosferë mohuese dhe negative që përsëritet kohë pas kohe. Ata do të shkruajnë edhe kur të mbetet lexuesi i fundit. Dhe për çdo herë që do të nisin një libër të ri, do të përpiqen ta shkruajnë më mirë. Sepse këtë bëjnë shkrimtarët e vërtetë! Ju, ndërkohë çfarë do të bëni?

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë