Edhe pse një ditë më parë Sali Berisha deklaroi me zë e figurë se vendimi për të mos marrë pjesë në protestën e UÇK është politik, 24 orë më pas zyra e shtypit e PD nxitoi të thotë të kundërtën. Në një reagim zyrtar, shefi i zyrës së Shtypit Alfred Lela thotë se nuk është dhënë asnjë urdhër për mospjesëmarrje ndërsa spekulimet i cilëson një “skenar i përhershëm anti opozitar”.

Por, dje, në një prononcim për mediat, Berisha tha se kishin marrë një vendim politik për mospjesëmarrje në protestë. “Vendimi për të mos marrë pjesë në protestë është një vendim politik i Partisë Demokratike. Ky është vendim politik i PD….”, u shpreh Berisha për protestën.

“Partia Demokratike nuk ka dhënë asnjë urdhër, verbal apo me shkrim, që përfaqësues apo mbështetës të saj, të mos jenë në mitingun mbështetës për ish-krerët e UÇK-së, në proces gjyqësor në Hagë.Spekulimi banal i ndonjë medieje se ky urdhër ekziston është pjesa e skenarit të përhershëm anti-opozitar te Ramaduros dhe Partia Demokratike e hedh poshtë si të tillë.

Siç theksohet në deklaratën e Partisë Demokratike të sapo hedhur dhe në qëndrimet e ditëve të fundit dhe të përhershme të kryetarit të saj, Berisha, kauza e UÇK, lufta e saj dhe e popullit shqiptar të Kosovës, janë jo vetëm të drejta, por edhe pjesë e nderit të përjetshëm të kombit dhe çështjes kombëtare shqiptare.”, thotë Lela.

Vendimi i Berishës u thye nga deputeti Bujar Leksaj, i cili jo vetëm që iu bashkua protestës, por edhe lëshoi gojën kur u pyet nga gazetarët.  “E kush e rr*an për...”, tha Leskaj. Ai u fotografua gjithashtu edhe nën shoqërinë e “rivalëve” socialistë, ish-ministri Ulsi Manja dhe kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu.
 

Edhe ish kandidati për deputet i PD, Aulon Kalaja injoroi vendimin e Berishës dhe mori pjesë në protestë. Në protestë shkoi edhe deputeti Besart Xhaferri.  Nga aleatët që dolën nga “rreshti” ishin Fatmir Mediu dhe Agron Duka.