Kryeministri Edi Rama ka reaguar për draftin e Kodit të ri Penal dhe kritikat që janë ngritur publikisht.

Kreu i qeverisë shqiptare, në një reagim në rrjetet sociale, thotë se personat e alarmuar nga këto ndryshime që janë ende në diskutim, “nuk duhet të ekspozohen në diell”.

Sipas Kryeministrit, drafti i Kodit të ri është tashmë për konsultim në publik për të marrë sa më shumë mendime.

Rama thekson se problemi më serioz i lirisë në Shqipëri është përdorimi i saj për të bërë sherr.

“Të alarmuarit nga drafti i Kodit të ri Penal dhe gojëmbyllja me ligj e forcave liridashëse politike dhe mediatike, mbase duhet të kujdesen që të mos ekspozohen shumë në diell, ndërkohë që drafti i ekspertëve të nderuar të fushës është prezantuar publikisht pikërisht për të mbledhur në mënyrën më demokratike dhe transparente të mundshme të gjitha opinionet rreth tij. Hëpërhë problem më serioz që ka liria në Shqipëri nuk është as regjimi, as drafti i kodit të ri jo e jo, po masa domethënëse e atyre që e përdorin lirinë vetëm për të bërë sherr e shamata për mungesën e saj".

Drafti për Kodin e ri është hartuar pas 2 vitesh punë intensive dhe synon që të zëvendësojë Kodin aktual Penal të vitit 1995, i cili ka pësuar ndryshime të shpeshta.

Ky draft ka 952 nene, gati 3-fish më shumë nga Kodi aktual Penal që përmban 335 nene.

Kodi i ri Penal, para se të hyjë në fuqi, do të marrë edhe aprovimin e Bashkimit Europian.