Kriza e besimit dhe demokracia

Kriza e besimit dhe demokracia
Demokracia nuk është procedurë, është diçka më shumë se kaq. Ligjet janë të rëndësishme, janë vijat e bardha në demokraci, por për një demokraci të shëndetshme kërkohet më shumë se kaq; - institucione funksionale, pjesëmarrje e mbështetje publike, trasparencë dhe inspirim në vlera e parime qytetare. Në krizën globale ekonomike është e pritshme që vetë demokracitë të përballen me zemërimin apo rritjen e zhgënjimit qytetar.

Sfida e demokracive mbetet aftësia për të reflektuar nga gabimet, për t’u korrigjuar dhe për të ringjallur shpresën. Ndryshimet e qeverive legjitime në Greqi e Itali përmes dialogut dhe marrëveshjes politike janë tregues sesi në këto vende demokracia funksionon dhe zgjidhja racionale vjen nga institucionet, nga politikanë me integritet dhe me sensin e masës.

Përpjekjet për rikthimin e besimit tek demokracia, për ta bërë atë funksionale dhe inspiruese çuan në ndryshime demokratike të qeverive edhe në Spanjë apo Kroaci, në Bosnje, apo Belgjikë. Efekti domino i revolucioneve solli ndryshime radikale në Afrikën Veriore, për të krijuar shpresa edhe në vende të Gjirit Persik. Një vend si Franca çoi përpara gjyqit dhe dënoi ish-presidentin Zhak Shirak, në Izrael u dënua ish Presidenti Moshe Katsav, në Kroaci ish kryeministri Ivo Sanader, etj. Lista e politikanëve perëndimorë të gjykuar e dënuar gjatë vitit 2011 shkon në 123, ku përfshihen drejtues të lartë të shtetit, ministra, kongresmenë, senatorë, gjyqtarë të lartë dhe figura të tjera të larta politike. Në Gjermani kryetitull është një skandal financiar që lidhet me presidentin.

Kudo, shumica e këtyre politikanëve akuzohen për korrupsion ose abuzim me pushtetin. Dhe, siç u shpreh gjykata në rastin e dënimit të ish guvernatorit Rod Blagojevic, dënimi i lartë i dhënë nuk bëhet thjesht për dënimin financiar, por për dënimin e madh moral që akti korruptiv i ka bërë institucioneve dhe demokracisë në vend.

Po Shqipëria? Vendi që renditet i fundit në kontinent në listën e ndershmërisë së qeverisjes, ku korrupsioni dhe abuzimi me postet publike zyrtarisht është pengesë për integrim në BE dhe ku sondazhet provojnë se 75% e qytetarëve paguajnë rryshfet për shërbimet jetike publike? Tek ne zyrtari më i lartë i dënuar është një drejtor stadiumi, kurse të tjerët mbi të, disa dhjetëra ministra, deputetë e politikanë të akuzuar dhjetra herë për skandale e abuzime financiare e zyrtare, (midis tyre gjysma e anëtarëve të qeverisë)- thjesht janë të paprekshëm. Dosjet e tyre mbyllen për procedurë, ose nuk hapen kurrë.

Ata që duhet të dëshmojnë integritet dhe drejtësi (parlamenti, ekzekutivi, gjykata, prokuroria e policia) kryesojnë listën e profesioneve të korruptuara, dhe kështu, Shqipëria slloganin politik për tolerancë zero ndaj korrupsionit e ka shndërruar në tolerancë zero ndaj kujdo që beson në moral, drejtësi, integritet e demokraci funksionale. Dhe siç na mëson historia, demokracia kalbet kur vlerat e parimet e saj tregtohen, shkelen dhe injorohen, siç fatkeqësisht vijon të ndodhë përditë në Shqipëri!

Vala e rikthimit të besimit tek demokracia vjen nga brenda (SHBA, Francë, Izrael) apo nga jashtë (Greqi, Kroaci, Mali i Zi). Në Shqipëri aktualisht nuk ka shans që ndryshimi të vijë nga brenda, shpresa mbetet të vijë nga jashtë, por kjo mund të ketë sukses vetëm kur vetë shoqëria të ketë aftësi e kulturë për ta lexuar dhe jetësuar ndryshimin, një cilësi ende e largët për një shoqëri të mbyllur, militante, orientale dhe lokaliste si kjo e jona.

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

‘Kam qenë duke u nda me gruan’, banori i Thethit i drejtohet Ramës pasi merr certifikatën e pronësisë: Më solle pajtimin dhe unitetin

‘Kam qenë duke u nda me gruan’, banori i Thethit i drejtohet Ramës pasi merr certifikatën e pronësisë: Më solle pajtimin dhe unitetin