Kriza e çmimeve, FMN: Masat e marra të mjaftueshme, mos ulja e taksave vendim i duhur! Bordi i ushqimeve të zëvendësohet me ndihmë direkte

Kriza e çmimeve, FMN: Masat e marra të mjaftueshme, mos ulja e taksave vendim i duhur! Bordi i ushqimeve të zëvendësohet me ndihmë direkte

FMN

Inflacioni pritet të qëndrojë gjatë mbi objektiv si pasojë e luftës në Ukrainë dhe rritjes së vazhdueshme të çmimeve. Në përmbyllje të vizitës disa ditore në Tiranë, ekipi i FMN ka nxjerrë konkluzionet e para për menaxhimin e situatës, ku vlerësohet marrja në kohë e masave.

“Autoritetet kanë reaguar shpejt ndaj goditjes së fundit dhe disa prej masave mbështetëse të marra janë të mirë-orientuara dhe të kufizuara në kohë”, thuhet në deklaratën e FMN-së.

Ndërkohë FMN-ja e konsideron pozitiv faktin që qeveria ka ndërhyrë me mbështetje financiare dhe nuk ka ndryshuar taksat, në këtë periudhë pasigurie.

“Autoritetet kanë marrë një vendim të drejtë që kanë shmangur uljet e përkohshme të taksave, të cilat i sjellin përfitime në mënyrë të zhdrejtë atyre që janë më mirë ekonomikisht, mund të shtrembërojnë sinjalet e çmimeve, janë të kushtueshme dhe të vështira për t’u zhbërë”, vijojnë më tej konkluzionet.

Ndërsa sa i takon ngritjes së bordit të transparencës për ushqimet, FMN gjykon se më mirë do të ishte mbështetja e dedikuar shtresave në nevojë.

“Duke marrë parasysh sfidat e bordit të transparencës që monitoron çmimet e disa artikujve ushqimorë bazë, ne e shohim me vend zëvendësimin e tij me mbështetje të mirë-orientuar për të varfëritë dhe shtresat e ekspozuara me qëllim mbrojtjen e tyre nga efektet e rritjes së çmimeve. Për këtë arsye, përpjekjet për përmirësimin e sistemit të mbrojtjes sociale në vend duhet të vazhdojnë, duke përfshirë dhe zgjerimin e mbulimit të shtresës së varfër dhe në nevojë në sektorin informal”, thotë FMN-ja.

Ekspertët e FMN i konsiderojnë të mjaftueshme hapësirat që ka buxheti 2022 për të mbështetur qytetarët dhe ekonominë.

“Buxheti i vitit 2022 (siҫ u rishikua në mars) ka hapësirë të mjaftueshme për të mbështetur qytetarët dhe ekonominë. Prandaj, çdo e ardhur shtesë përtej ҫfarë parashikohet në buxhet, duhet kursyer për të rikrijuar hapësirat e nevojshme për ushtrimin e politikës fiskale. Kjo është shumë e rëndësishme, pasi kostot e financimit të jashtëm janë rritur ndjeshëm dhe mund të jenë për gjatë të larta. Sektori publik duhet të përgatitet të veprojë në kushte të jashtme më të shtrënguara. Shtesa në mbështetjen e përkohshme për shtresat në nevojë, si dhe kostot e rritura për prokurimet ose punët publike, për shkak të ngritjes së çmimeve, duhen mbajtur brenda nivelit ekzistues të shpenzimeve të buxhetit përmes rishpërndarjeve”, vijon më tej raporti.

Vendimi i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për të rritur normën bazë të interesit nga 0.5% në 1% sipas FMN ishte vendim i duhur por norma duhet të rritet përsëri.

“Ne e mbështesim vendimin e Bankës së Shqipërisë për të vijuar me normalizimin e politikës monetare dhe vëmë re se ajo mbetet lehtësuese, pavarësisht rritjes së normës bazë të interesit në mars. Për të frenuar trysnitë e brendshme inflacioniste dhe për të kthyer pritshmëritë për inflacionin sërish drejt objektivit, nevojiten rritje të mëtejshme të normës bazë të interesit. Kërkohet vigjilencë, pasi vonesa e tepruar në shtrëngimin e politikës monetare mund të kërkojë më vonë rritje më të larta të normës bazë për të kthyer inflacionin në objektiv. Strategjia mbi kohën dhe masën e shtrëngimit të politikës monetare duhet të komunikohet qartë në mënyrë që të ruhet besueshmëria e bankës qendrore dhe që të ankorohen pritshmëritë për inflacionin”, thotë FMN-ja.

(Klikoni këtu për të lexuar dokumentin)

J.GJ./Sh.Sh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kurbin/ Humb kontrollin e mjetit dhe del nga rruga, humb jetën 65 vjecari

Kurbin/ Humb kontrollin e mjetit dhe del nga rruga, humb jetën 65 vjecari