Pasiguritë që vijnë nga lufta dhe luhatjet në çmimet e energjisë, mbeten rreziqe të rëndësishme për ecurinë ekonomike dhe kërkojnë një vëmendje të shtuar ka thënë nga shtetet e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Guvernatori i Bankës Gent Sejko.
Gjatë takimeve në Uashington me përfaqësues të Departamenteve të ndryshme të FMN-së, Sejko siguroi se autoritet shqiptare mbeten të angazhuara për të përballuar situatën.
Përfaqësuesit e FMN-së vlerësuan bashkëpunimin e ngushtë me Bankën e Shqipërisë dhe progresin e bërë në forcimin e kuadrit ligjor dhe institucional të bankës qendrore.
Në një takim me dyer të mbyllura me ministrat e financave dhe guvernatorët e bankave qendrore të vendeve të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore, Guvernatori tha se Shqipëria ndodhet në një pozicion më të fortë falë përmirësimit të qëndrueshmërisë makroekonomike, stabilitetit financiar dhe reformave strukturore të ndërmarra gjatë dekadës së fundit.
Shqipëria u përfaqësua në këto takime me një delegacion të përbashkët të përbërë nga Banka e Shqipërisë - me përfaqësues Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, Zëvendësguvernatoren e Parë, Holta Zaçaj, si dhe drejtues të tjerë të lartë të saj - dhe nga Ministria e Financave - me përfaqësues Ministrin, Petrit Malaj, Zëvendësministrin, Endrit Yzeiraj, dhe drejtues të tjerë të kësaj ministrie.
Gjatë takimeve u diskutuan zhvillimet më të fundit makroekonomike dhe financiare në Shqipëri, politikat makroekonomike, si dhe zhvillimet në sektorin financiar e atë bankar. Ekonomia shqiptare vijon të shfaqë një ecuri pozitive, e mbështetur nga rritja e aktivitetit ekonomik, zgjerimi i punësimit dhe rritja e pagave. Inflacioni mbetet në nivele të ulëta, ndërsa zhvillimet e fundit sugjerojnë një rikthim gradual të tij drejt objektivit gjatë vitit 2026.
Guvernatori nënvizoi përmirësimin e ndjeshëm të shëndetit financiar të sektorit bankar, i cili vijon të karakterizohet nga stabilitet dhe likuiditet i lartë, me norma të ulëta interesi dhe një rritje të qëndrueshme të kreditimit për sektorin privat. Këto kushte kanë mbështetur konsumin dhe investimet, duke dhënë një kontribut pozitiv në rritjen ekonomike.
Në lidhje me perspektivat e ardhshme, Guvernatori u shpreh se pasiguritë në mjedisin e jashtëm lidhur me zhvillimet gjeopolitike dhe luhatjet në çmimet e energjisë, mbeten rreziqe të rëndësishme për ecurinë ekonomike dhe kërkojnë një vëmendje të shtuar në vijim. Sidoqoftë ai siguroi se autoritet shqiptare mbeten të angazhuara për të përballuar situatën.
Komente










