Dy anëtarë, njëri prej tyre me postin e nënkryetarit të këtij institucioni kanë dhënë dorëheqjen brenda një harku kohor prej disa orësh. Mbrëmë në orën 21:00 (16 prill) Denar Biba dorëzon dorëheqjen e parevokueshme, sot paradite, në 10:00 dorëzon dorëheqjen edhe Albana Shtylla, të dy anëtarë të propozuar nga PS. Shkak i dorëheqjes: Shkarkimi nga parlamenti i kolegut të tyre Ilirjan Muho. Për dy anëtarët është cënuar integriteti dhe pavarësia ligjore si anëtarë të KQZ-së. Denar Biba thotë për TV A1 REPORT: Situata është e rëndë. Albana Shtylla: "Dhashë dorëheqjen sepse mu cënua integriteti dhe pavarësia".
Në këtë situatë të tensionuar Departamenti Amerikan i Shtetit solli me urgjencë në Tiranë Drejtorin për Europën Qëndrore dhe Jugore, Jonathan Moore i cili sot zhvilloi takime me kreun e PS-së, ministrin e Jashtëm Aldo Bumçi, kryetarin e LSI-së, Ilir Meta ndërsa nesër do të takojë kryeministrin Berisha.
Nga ana tjetër ambasadorët e akredituar në Tiranë vazhdojnë të bëjnë apel se Shqipëria duhet të ndajë qartësisht politikën me organet teknike siç është KQZ me qëllim zhvillimin e zgjedhjeve të 23 qershorit demokratike dhe sipas standardeve.
Në orën 14:00 Parlamenti njofton se administroi dorëheqjet e z. Biba dhe znj. Shtylla, bazuar në pikën 3 të nenit 19 të Kodit zgjedhor dhe i kërkon kreut të grupit PS-së Ruçi të sjellë propozimet e reja.
Dorëheqja e Bibës dhe Shtyllës vjen pasi mazhoranca në Kuvend (15 prill) miratoi shkarkimin e anëtarit të propozuar nga LSI, në KQZ, Ilirjan Muho, dhe zëvendësimin me një përfaqësues të PR, Klement Zgurin.
CFARE NDODHI SOT NE TIRANE, ORE PAS ORE
ORA 17:00 MOOR TAKON METEN: SHQIPERIA NUK E MERITON KETE SITUATE
“Kjo është situata më e pamerituar politikisht që po kalon vendi, aq më tepër në prag të një evenimenti kaq të rëndësishëm për të ardhmen e vendit, sikurse është ai që ka të bëjë me realizimin e zgjedhjeve të 23 qershorit, të cilat prej kohësh janë cilësuar nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe të gjithë partnerët tanë, si kruciale për të ardhmen evropiane të Shqipërisë dhe natyrisht që minimi përfundimtar nga pseudomazhoranca e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si institucioni i pavarur që ka përgjegjësinë për administrimin e këtij procesi, ka krijuar një situatë tepër të rëndë dhe dramatike, e cila tregon qartë se qeveria aktuale nuk ka as vullnetin më minimal për të kontribuar për zgjedhje të ndershme e të lira, për të respektuar pavarësinë e institucioneve dhe për të përmbushur të gjitha detyrimet e saj në këtë proces kaq madhor për vendin. ”- tha Meta pas takimit me Moore.
Meta nënvizoi se janë ndërhyrjet e dhunshme të pseudomazhorancës të cilat janë në kundërshtim edhe me thirrjet e ndërkombëtarëve që ka futur në ngërç institucionin.
“Nuk mendoj se është dorëheqja e anëtarve të KQZ-së ajo që ka futur në ngërc institucionin. Ajo që e ka asgjësuar institucionin si i tillë siç është vetë në Kushtetutë dhe në kod si institucion i pavarur është ndërhyrja e dhunshme e pseudomazhorancës në kundërshtim me Kushtetutën, me kodin, me procedurat parlamentare dhe në kundërshtim me të gjitha vlerësimet e partnerëve ndërkombëtarë për të pasur një proces konsensual dhe konstruktiv, në mënyrë që të respektohet pavarësia e institucionit të KQZ-së por edhe të dresoheshin shqetësimet të cilat kishin të bënin me balancimin e administrimit të zgjedhjeve në nivelet më të ulëta."- tha Meta.
I pyetur për qëndrimin e Moore Meta tha se “nuk flas ne emër të partnerëve, kjo është situatë shqetësuese, kemi një shantazh ndaj qytetarëve dhe zgjedhjeve, dhe simptoma të tjera shqetësuese, Pseudo mazhoranca të reflektojë ose të mbajë pasojat për cdo përshkallëzim të tensionit në vend”.
“Vendi ka nevojë për zgjedhje transparente , të ligjshme konstruktive dhe është moment për të reflektuar para se të jetë vonë”, shtoi Meta.
(Foto: Takimi Ilir Meta-Joanthan Moore)
ORA 14:00 KUVENDI ADMINISTRON DOREHQJEN E BIBES E SHTYLLES
Kryetarja e Kuvendit administron dorëheqjet e Bibës dhe Shtyllës. Sipas ligjit zëvendësimi me anëtarët e rinj bëhet brenda 48 orësh. Topalli i kërkon kreut të grupit të PS, Ruçi të bëjë propozimet e reja
"Kryetarja e Kuvendit, pasi administroi dorëheqjet e z. Biba dhe znj. Shtylla, bazuar në pikën 3 të nenit 19 të Kodit zgjedhor, e cila thotë: “Në rast se mandati i një anëtari të KQZ-së përfundon para kohe gjatë periudhës së zgjedhjeve, ai zëvendësohet nga Kuvendi sa më shpejt që të jetë e mundur, por jo më vonë se 48 orë nga krijimi i vakancës”, i kërkoi Kryetarit të Grupit parlamentar të Partisë Socialiste, me shkresë nr.790, dt. 17.04.2013, që të sjellë, brenda afateve, propozimet e PS-së për zëvendësimin e dy anëtarëve të PS-së në KQZ. Kjo, e bazuar në pikën 2 të nenit 19 të Kodit zgjedhor, ku thuhet: “...Të drejtën për propozimin e kandidaturave e ka i njëjti subjekt politik që kishte propozuar anëtarin...”- thuhet në njoftimin për shtyp.
(VIDEO e A1 REPORT!: Doreheqjet e Albana Shtylles dhe Denar Bibes)
ORA 12: 10 DAMIAN GJIKNURI: BERISHA PËRGJEGJES PËR KRIZËN NË KQZ
Damian Gjiknuri në një prononcim telefonik për TV A1 REPORT “Përgjegjësi është Sali Berisha. KQZ është në krizë kur dy muaj para zgjedhjeve goditet në mënyrë të njëanshme nga kuvendi dhe kur krijohen problme me dorëheqjen e disa anëtaër etë KQZ-së. Instiuticioni është realisht në krizë. E kisha një parashikim që me këtë hap të hedhur nga mazhoranca po dërmohej besimin në procesin zgjedhore dhe gjëndja nuk do të ishte si më parë. Kam komunikuar me ta dhe kanë njoftuar dhe PS për vendimin e tyre i cili i ka propozuar vendimi ka qenë i ptyre dhe i pandikuar nga ne.”
ORA 11: 59 ALBANA SHTYLLA: U CENUA INTEGRITETI
“Akti i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për shkarkimin e njërit prej anëtarëve të KQZ, ka cënuar integritetin, pavarësinë dhe profesionalizimin e çdo anëtari, si dhe garancitë për ushtrimin e plotë të mandatit të tij. Zbatimi i ligjit, integriteti profesional dhe paanësia politike më kanë shoqëruar gjatë gjithë karrierës time. Ato përbëjnë për mua thesarin të cilin me shumë mund dhe jo me pak vështirësi, kam arritur të ruaj dhe të pasuroj gjatë shërbimit tim të gjatë në administratën publike. Për asnjë lloj arsye dhe për askënd, nuk do të hiqja dorë prej tyre gjatë ushtrimit të funksioneve të tilla publike. Kushdo që do të ishe në vendin tim nëse do të konstatonte se gjatë ushtrimit të një detyre të caktuar i cenohet integriteti dhe garancia ligjore, shumë e rëndësishme për ushtrimin e mandatit do bënte të njëjtin veprim. Anëtarët e KQZ në momentin kur konstituohet dhe bën betimin është i papanshëm politikisht dhe nga ky moment ne duhet të ushtrojmë detyrën në mënyrë të pavarur dher në përputhje me ligjin."- komentoi për median dorëheqjen e saj Albana Shtylla PDF/ KERKESA E SHKARKIMIT E ALBANA SHTYLLES
ORA 11: 20 BIBA PER TV A1 REPORT: SITUATA ESHTE E RENDE
“Besoj se mund ta themi që KQZ është në krizë. Vendimi ishte në të drejtën e saj. Situata vazhdon të jetë e rëndë. KQZ nuk mund të funksionojë në këto kushte ku presioni politik është i jashtëzakonshëm.”- thotë Biba në një prononcim telefonik për TVA1 REPORT.
“Lleshi njofton Kuvendin për veprimin tim dhe të Shtyllës që të nisin procedurat. Këtu nuk është cështje emrash por i një vullneti. Duhet të ndryshojë qasja ndaj KQZ. Nuk është cështje më individësh por vullneti politik dhe këndvështrimi ri i KQZ”- tha Biba.
(VIDEO/ Intervista telefonike e TVA1 REPORT me Denar Biben)
ORA 10: 50 JEP DORËHEQJEN ALBANA SHTYLLA
Në orën 10:50 Albana Shtylla dorëzoi dorëheqjen në sekretarinë e Komisionit Qëndror Zgjedhor. Gazetarja Joniada Koçi thotë se dorëheqja e Albana Shtyllës është argumentuar me të njëjtat arsye siç bëri dhe nënkryetari i KQZ, Denar Biba, kundër vendimit të Kuvendit për shkarkimin e anëtarit Ilirjan Muho.
"U cenua integriteti, pavarësia dhe profesionalizmi i çdo anëtari si dhe garancia për vazhdimin e plotë të mandatit”- argumenton shkarkimin e saj Shtylla.
(Foto: Albana Shtylla sot ne KQZ)
ORA 10:10 RAMA: ME MOORE FOLEM PER RREMBIMIN E KQZ
Pas takimit Rama tha se me Moore është folur për cështjen më të nxehtë që është “rrëmbimi i KQZ”.
“Theksuam domosdoshmërinë e rivendosjes së besueshmërisë së humbur të institucionit kryesor për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Shqipëri. Nga ana tjetër besoj se gjetëm mirëkuptimin për domosdoshmërinë që këto zgjedhje kaq të rëndësishme për Shqipërinë në një monent kaq të rëndësishëm të mos ketë asnjë arsye që nesër të jenë të papranueshme.”- tha Rama në një prononcim për median.
I pyetur nëse dorëheqja e Bibës është pjesë e marrëveshjes me LSI, Rama tha” Eshtë krejtësisht e pavërtetë”
“Ushqej respekt të plotë për Denar Bibën i cili nuk vjen nga radhët e PS, nuk është propozuar prej nesh për të qenë një ushtar partie në KQZ dhe ne aktin e tij ka afirmuar të gjithë integritetin moral e profesional në kundërshtim të hapur me cënimin flagrant të integritetit moral e profesional të anëtarit të KQZ.”
Pyetjes se kush do të jetë emri zëvendësues i Bibës, Rama u përgjigj: "Nuk flasim për zëvendësim personash por për rikthim të ligjshmërisë së këtij institucioni." Lexo më shumë: SHBA e shqetësuar sjell në Tiranë Moore
(Në foto Edi Rama dhe Jonathan Moore sot në selinë PS)