ITALI - Situata te Lazio po bëhet gjithnjë e më e ndërlikuar, si në aspektin sportiv ashtu edhe në atë institucional. Raporti mes trajnerit Maurizio Sarri dhe presidentit Claudio Lotito duket në pikën më të ulët, ndërsa tensionet brenda klubit janë shtuar ndjeshëm.

Rezultatet zhgënjyese dhe pozicioni i nëntë në renditjen e Serie A kanë lëkundur fort stolin e Sarrit. Edhe pse së fundmi ka pasur një takim mes palëve për të qetësuar situatën, përballja nuk ka sjellë ndryshime konkrete në marrëdhëniet mes trajnerit dhe drejtuesve të klubit.

Sarri ndodhet përballë vështirësive të mëdha në menaxhimin e skuadrës, pasi nuk ka pasur ndikim në merkato për shkak të bllokimit të tregut dhe vendimeve të brendshme të klubit. Vetë trajneri ka theksuar se disa lojtarë i janë bashkuar ekipit pa u konsultuar me të, duke krijuar pakënaqësi dhe mungesë harmonie.

Në këtë klimë të tensionuar, nuk përjashtohen as largime të rëndësishme nga skuadra. E ardhmja e Sarrit mbetet e paqartë, tekniku italian ka menduar edhe dorëheqjen, por nuk dëshiron ta braktisë Lazion në një moment kaq delikat.

Nga ana tjetër, presidenti Lotito heziton të ndërmarrë vendimin e shkarkimit, pasi një veprim i tillë do t’i kushtonte klubit rreth 12 milionë euro. Për momentin, Lazio mbetet në një udhëkryq, me ditët në vijim që pritet të jenë vendimtare për fatin e trajnerit dhe të sezonit.