Gjermania është përfshirë ditët e fundit nga një rritje e paprecedentë e çmimeve të ushqimeve si pasojë e krizës së prodhimit dhe furnizimit që ka shkaktuar lufta në Ukrainë. Mediat gjermane po raportojnë mbi një rritje të madhe të çmimeve të ushqimeve bazike.

Në një intervistë me Skype për ‘Sot live në Shqipëri’ në Report Tv nga Gjermania, gazetarja shqiptare atje Nidela Hoxha thotë se inflacioni ka arritur nivele shqetësuese deri në 5.1 % (më e madhe në Shqipëri), teksa pritet të shkojë 7.5%. 

“Ka një rritje të çmimeve dhe gjithashtu ka edhe mungesa të disa produkteve ushqimore. Aktualisht shkalla e inflacioni është 5.1 %, teksa pritet të shkojë 7.5%. Kemi një rritje të çmimeve me 5.3% për produktet e shportës, më e madhja që prej vitit 1949. Pra një rritje të çmimeve 20-30%. Natyrisht që shteti gjerman ka përgatitur një paketë ndihmash, rimbursim 300 euro për person plus 100 euro për ata që marrin ndihmë sociale. Ka një rimbursim edhe për karburantet. Kjo do të ndodhë vetëm 3 muaj dhe relativisht nuk përbën një ndryshim të madh”, tha Hoxha, në intervistën me gazetarin Andi Kapxhiu.

Sipas saj problem me rritjen e çmimit është vaji i lulediellit, i cili nga 2.9 euro aktualisht ka shkuar 4.8 euro, në rastin kur je fatlum dhe gjen sepse ka pasur edhe boshatisje të rafteve.

“Duke ditur se Ukraina dhe Rusia janë 2 vende që Gjermania ka pasur marrëdhënie shumë të ngushta tregtare problemi është shumë i madh. Në ditët dhe në javët në vazhdim pritet një situatë e përkeqësuar me kalimin e kohës”, tha Nidela Hoxha.

Gazetarja tha se gjermanët po ndihen gjithmonë e më të shqetësuar.

“Qytetarët janë të shqetësuar. Gjermanët në përgjithësi janë një komb që duan të jenë të sigurt gjithmonë, hedhin hapa të mirëmenduar. Po e marrin shumë seriozisht këtë situatë por përpiqen të mos përhapin panik. Kanë shumë pasiguri. Ka një stopim të prenotimit të pushimeve dhe kursimeve të tjera. Të kursyerit është zgjidhja e vetme që shikojnë”, tha ndër të tjera në intervistën për Report Tv gazetarja Nidela Hoxha.

Kujtojmë se sot u raportua se disa prej ushqimeve të shportës arritën rritje të jashtëzakonshme. Kastravecat janë rritur në treg me 30.3 %, vaji i lulediellit me 28.9 %. Më tej, domatja është rritur me 27%, mielli i thekrës me 22.5 % dhe frutat e thata me 20.5%.  Gjalpi sot shitet me një çmim plus 20.4, ndërsa Margarina me një çmim +17.6 % Çmimi i vezëve ka pësuar një rritje me + 16.3 %, sallata marule +17.1% dhe perimet e konservuara +18.7%.