Ende nuk është finalizuar plani i zyrtarëve të Bashkimit Evropian për veprime të përbashkëta me Turqinë sa i takon krizës së migrantëve. Të paktën kështu bën me dije ministri i Jashtëm turk, Feridun Sinirlioglu, cituar nga rrjeti informativ britanik “BBC” .

Kryediplomati shprehet se marrëveshja mbetet ende një projekt i papërfunduar. Sinirlioglu i cilësoi masat financiare të propozuara nga BE-ja si “të papranueshme”.

Liderët e BE-së ranë dakord që t’i përshpejtojnë bisedimet për liberalizimin e vizave me Turqinë, nëse Ankaraja arrin të ndalë fluksin e migrantëve.

Ata janë pajtuar për të “ri-aktualizuar” bisedimet për integrimin e Turqisë në BE si dhe për ndihma shtesë.

Turqia është kthyer në një portë hyrëse për emigrantët që e shohin BE-në si “tokën e premtuar”, ku vetëm përgjatë këtij viti numërohen rreth 600 mijë të tillë.
 
Redaksia Online
(Shqiptarja.com)