Greqia i ka kërkuar më shumë kohë Fondit Monetar Ndërkombëtar për të shlyer këstin prej 1,6 miliard euro, afati i së cilit skadon sot në mesnatë. Vetë zëvendës kryeministri grek Yannis Dragasakis tha se Athina i ka kërkuar Bankës Qëndrore Europiane të marrë në konsideratë rritjen e asistencës së likuiditetit për bankat greke.
 
Europa i bëri një ofertë të minutës së fundit Greqisë duke i parashtruar një propozim të ri nga Komisioni Europian. Por kryeministri grek Aleksis Cipras u kundërpërgjigj me një plan B duke kërkuar një plan shpëtimi prej 2 vjetësh fondit europian ESM bashkë me një ristrukturim të borxhit. E ndërsa pritet propozimi konkret i Athinës, ministrat e financave të Eurogrup vendosën të shtyjnë për nesër mbledhjen e tyre.

Vetë kreu i Eurogrupit Jeroen Dijsselbloem tha se qeveria greke do të dërgojë propozimin e saj të ri të mërkurën, por duke paralajmëruar se çdo plan i ri shpëtimi për Greqinë do të ketë kushte më të ashpra për Athinën. Por ndërkaq Gjermania mbetet e vendosur në qëndrimin e saj duke i mbyllur dyert zgjidhjes së krizës greke përpara referendumit të 5 korrikut.
 
Kancelarja gjermane Angela Merkel deklaroi sot se Berlini nuk do të marrë parasysh hipotezën e një paketë të tretë shpëtimi për Greqinë, siç ka propozuar Athina përpara se të dalin rezultatet e referendumit.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)