Për kryeministrin Edi Rama, protestat poshtë zyrës së tij po nxjerrin në pah një panoramë shqetësuese sesi dhuna po relativizohet dhe protestuesve të dhunshëm po u jepet statusi i qytetarisë.

“Jemi bërë dëshmitarë të një panorame shqetësuese të qasjes së një pjese të shoqërisë ndaj një tabuje për të gjitha demokracitë, për të gjitha rrugët e bashkëjetesës në demokraci që është dhuna. Kemi parë sesi dhuna është relativizuar, justifikuar dhe himnizuar, ndërkohë që gjithë dhunuesit e institucioneve, shkollave, lirisë dhe së drejtës së gjithkujt për të bërë mësim, pronës publike e private, kanë marrë një status qytetarie dhe imunitet mediatik si përçues të një përpjekjeje të admirueshme për të përmbysur një sistem”, tha Rama.

Veçanërisht shqetësues ky fenomen, thotë kreu i qeverisë kur si mashë për dhunën përdoren dhe keqpërdoren të miturit.

“Ajo që ka qenë një tjetër befasi shqetësuese ka qenë pjesëmarrja domethënëse në numër dhe tejet shqetësuese në formë, e shumë të miturve. Të mitur të cilët përpara se t'i konsiderojmë fajtorë, duhet t'i konsiderojmë fëmijë që kanë nevojë për ndihmë. Përpara se të mendojmë se si duhen dënuar, duhet të mendojmë se si duhen neutralizuar burimet prej ku ata ushqehen me frymën dhe me joshjen e dhunës”, tha Rama. 

Përballë kësaj panorame, ai thotë se qeveria nuk duhet të rrijë duarkryq:

“Ne presim ndihmë nga të gjithë ju dhe nga të gjithë ata si ju që janë të angazhuar në një front të heshtur, por shumë të dobishëm, pune të përditshme për të adresuar nga kënde të ndryshme cilësinë e jetës, mirërritjen edhe nevojën për ndihmë dhe mbështetje të fëmijëve dhe të familjeve që nuk duhen lënë vetëm përballë këtyre prurjeve shumë djallëzore, që marrin me vete fëmijët e tyre.”, tha kryeministri.

Së pari, për të neutralizuar burimet që ushqejnë me frymën e dhunës të miturit:

“Dhuna në një moment mund të përdoret kundër mësuesit, pedagogut, kundër shkollës, universitetit, kundër pronarit të sipërmarrjes, mund të përdoret kundër kujtdo, që mund të shihet si pengesë, që mund të cenoje lirinë e tjetrit. Përpara se këta fëmijë të mendojmë t’i dënojmë, duhet të mendojmë si të neutralizojmë burimet, nga ata joshen me dhunën”, u shpreh ai.

Duke nisur nga rrjetet sociale:

“Rrjetet sociale kanë stimuluar një vetmi të një natyre shumë të rrezikshme për bashkëjetesën demokratike. duhet hapur debati deri kur mund të kufizojmë aksesin në rrjete sociale të të miturve, 16 apo 18 vjeç. Do të fillojmë një konsultim siç bëmë kur na u desh të kufizojmë TikTok-un, do të fillojmë konsultimin në shkolla dhe me prindërit”, vijoi kryeministri

Rama njoftoi se nga viti i ardhshëm do të ketë zgjatim të orarit të qëndrimit në shkolla të fëmijëve.

“Zgjatja e qëndrimit të fëmijëve në shkollë është diçka që do të fillojë menjëherë vitin e ardhshëm. Kemi vendosur dhe një buxhet të posaçëm në mënyrë që prindërit të vazhdojnë të punojnë dhe fëmijët jenë në mjediset e shkollës deri në orën 5 pasdite”, tha kryeministri.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:02
Masat sociale, Rama: Nga viti i ardhshëm, fëmijët do të qëndrojnë në shkollë deri në orën 17:00 (VIDEO)

Duke nisur nga viti i ardhshëm, fëmijët do të qëndrojnë në shkollë deri në orën 17:00, bëri me dije kryeministri Rama. Kjo do të ndihmojë prindërit që punojnë, ndërsa fëmijët do të merren me aktivitete kulturore e sportive që ndihmojnë edhe socializimin e tyre.

“Tjetra që është shumë e rëndësishme është puna që duhet bërë bashkarisht midis nesh dhe shoqërisë civile të interesuar për këtë pjesë, për të rritur gamën e aktiviteteve të fëmijëve, aktiviteteve sociale të fëmijëve që shtrihen nga sporti tek kultura dhe përmes dhe në mes të cilave janë të gjitha pjesët që kanë të bëjnë me skenën, me pikturën, me zejet, me artin, me filmin, me fotografinë e kështu me radhë. Zgjatja e qëndrimit të fëmijëve në shkollë është diçka që do të fillojë menjëherë vitin e ardhshëm. Kemi vendosur dhe një buxhet të posaçëm në mënyrë që prindërit të vazhdojnë të punojnë dhe fëmijët jenë në mjediset e shkollës deri në orën 5 pasdite”, tha Rama.

Ora 18:02
Rama: Studentët kërcënohen me gjuhë kriminale! Kam mesazhe të prindërve që luten për ndihmë (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në tryezën e Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve. Gjatë fjalës së tij ai tha se ka marrë dhjetëra mesazhe nga prindërit që i kërkojnë ndihmë për fëmijët e tyre, pasi janë intimiduar me gjuhë kriminale.

“Nuk e kam menduar ndonjëherë që do jetoja një Shqipëri ku frika për të folur do ushqehej nga intimidimi i atyre që protestojnë për ta bërë Shqipërinë më të mirë. Unë protestoj për ta bërë Shqipërinë më të mirë, dhe nëse ti nuk je dakord me mua, unë të intimidoj të kërcënoj dhe të vendos para një zgjedhjeje, që është zgjedhje dramatike. Ose të jesh me mua, të mos vish në mësim, ose të jesh target i dhunës sime.

Kam dhjetëra mesazhe të studentësh që më kërkojnë të jenë anonim se kanë frikë. Kam dhjetër  mesazhe të prindërve të këtyre studentëve që luten për ndihmë sepse ndjehen të pafuqishëm ndaj fëmjëve të tyre të intimiduar e të kërcënuar në një gjuhë që është kriminale. Ne presim një ndihmë nga të gjithë ju që janë të angazhuar në një front të heshtur por shumë të dobishëm për cilësinë e jetës dhe nevojën për mbështetje të fëmijëve dhe familjeve që nuk duhen lënë vetëm përballë këtyre prurjeve shumë djallëzore”, tha Rama.

Ora 17:58
Rama: Rrjetet sociale, të rrezikshme! Do të nisim konsultimet me prindërit e mësuesit për kufizimin e tyre (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama tha se rrjetet sociale kanë ndikuar në vetminë e të rinjve dhe kapërcimin mes kufijve të realitetit e virtualitetit. Çështja e kufizimit të tyre do të debatohet në një konsultim me prindërit dhe mësuesit për të vendosur mbi moshën dhe kritere të tjera.

“Kjo situatë e re, e gatuar me vite në Europë edhe në Shqipëri si rezultat i arsyeve që janë sa të ngjashme aq edhe të ndryshme, kërkon një qasje te re ndaj gjithçkaje që ndihmon socializimin fizik të njerëzve. Është shumë e qartë që rrjetet sociale kanë stimuluar një vetmi të një natyre shumë të rrezikshme për bashkëjetesën demokratike në një hapësirë sociale të përbashkët dhe e kanë stimuluar një kapërcim të kufijve midis reales dhe virtuales në pikën që kanë nxjerrë psikologët në konkluzionin që shumë nga këta të mitur e konsiderojnë një mundësi të tillë, si një mundësi për të hyrë fizikisht në një PlayStation dhe duhet hapur debati që si dhe kur duhet të kufizojmë aksesin në rrjetet sociale të të miturve. Dhe deri në cilin kufij moshe 16 apo 18 vjeç, që të mos kenë më asnjë mundësi që të kenë rrjetet e tyre sociale individuale. Ne do të fillojmë një konsultim siç bëmë në rastin kur na u desh të kufizojmë Tik-Tokun. Do fillojmë një diskutim me mësuesit, me prindërit në të gjitha shkollat për kufizimin e rrjeteve sociale për të miturit, një gjë që është një trend tanimë i identifikueshëm në një sërë vendesh demokratike”, tha Rama.

Ora 17:53
Rama: Pjesëmarrja e fëmijëve në protesta të dhunshme, shqetësuese (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama tha se numri i konsiderushëm i të miturve në protestat e dhunshme mbetet një fakt shqetësues.

"Ajo që ka qenë një tjetër befasi shqetësuese ka qenë pjesëmarrja domethënëse në numër dhe tejet shqetësuese në formë, e shumë të miturve. Të mitur të cilët përpara se t'i konsiderojmë fajtorë, duhet t'i konsiderojmë fëmijë që kanë nevojë për ndihmë. Përpara se të mendojmë se si duhen dënuar, duhet të mendojmë se si duhen neutralizuar burimet prej ku ata ushqehen me frymën dhe me joshjen e dhunës. Përpara se sa të shpjegojmë e të gjejmë se kush i përdori dhe i keqpërdori, duhet të shpjegojmë dhe të gjejmë se si familjet e tyre duhen ndihmuar për t'i kthyer në një sens bashkëjetese dhe respekti për të tjerët. Por përsëri e përsëri, dua ta nënvizoj që nëse për një të rritur dënimi i merituar dhe izolimi nga pjesa tjetër e shoqërisë sipas ligjit, e përfundon misionin dhe funksionin e shtetit në raport me sigurinë dhe me mbrojtjen e lirive dhe të drejtat e të tjerëve, për një të mitur thjesht e vetëm e vendos në tryezë që misioni nis aty”, tha Rama.

Ora 17:50
Të miturit në protestat e dhunshme, Demo: Platformë e dedikuar për minorenët që përballen me abuzime në internet

1793378558_demo.jpg

Ministri Ervin Demo bëri me dije në tryezën e Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve se po ngrihet platforma Help for You për të ndihmuar të miturit në mjedisin dixhital.

“Fëmijët nuk e kanë vendin mes dhunës dhe kauzave. Mbrojtja dhe siguria e tyre janë të panegociueshnme për të gjithë. E konsideroj mbrojtjen e çdo fëmije një detyrim të panegociueshëm, pavarësisht se kush e ka çuar në rrugë. Ministria e Brendshme është duke punuar për platformën Help for You, e zhvilluar nga Europol që ndihmon fëmijët nën 18 vjeç që përballen me abuzime në internet. Ka karakter informues dhe parandalues për mjedisin dixhital”, tha Demo.