Shqipëria do të ndihmojë Kosovë me furnizim me energji elektrike në mënyrë që qytetarëve mos tju mungojnë dritat në dy ditët e festave të fundvitit. Shqipëria ka mundur te sigurojë që të furnizojë Kosovën me 7680 megavatë/orë për 31 dhjetorin dhe 1 janarin 2022 ne formën e depozitës dhe pa efekt financiar. Kjo sasi do i kthehet pas Shqipërisë nga Kosova në sezonin e verës gjatë periudhës nga qershori në shtator kur vendi ndodhen ne thatësi dhe ka mungesë të rezervave hidrike.

Kryeministri Edi Rama nëpërmjet një postimi në Twitter, shkruan se pavarësisht se edhe vendi ynë është në krizë energjetike, sërish nuk mund që në gëzime popullore siç është Viti i Ri, të mos e ndajmë me Kosovën aq sa kemi.

Për këtë Rama bëri me dije se i ka kërkuar Ministrisë së Energjisë që të vlerësojë çdo mundësi ndihme për qeverinë e Kosovës në mënyrë që qytetarëve të mos u mungojë rryma në dy ditët e festës.

"Shqipëria s'e ka aspak të lehtë mbrojtjen e vijueshme të familjeve e sipërmarrjeve të vogla nga dallga e tërbuar e krizës energjitike që po kërcënon çdo vend, por në sekëlldira të mëdha apo në gëzime popullore siç është Viti i Ri, ne s'mund të mos e ndajmë me Kosovën aq sa kemi! Duke e ndjekur me shqetësim krizën e rëndë energjitike që ka prekur Kosovën kërkova sot nga ministria e Energjisë të vlerësojë çdo mundësi ndihme për qeverinë e Kosovës, që familjeve në Kosovë të mos u mungojë energjia elektrike në dy ditët e festës popullore të ndarjes së viteve!", shkruan Rama.

Kosova është duke u përballur prej ditësh me krizë energjetike. Për shkak të kësaj krize energjetike qytetarët, nga 22 dhjetori po përballen me reduktime të energjisë elektrike. Në një deklaratë për mediat, një ditë më parë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti theksoi se në situatën ku ndodhet vendi, vetëm dy janë zgjidhjet për këtë situatë, reduktimi ose shtrenjtimi i energjisë. Ai i kërkoi qytetarëve që të vijojnë të përdorin energjinë elektrike me në mënyrë racionale.

Kriza energjetike ka goditur të gjithë botën ndërsa kujtojmë se vendi ynë deri në 15 prill të 2022 vendi është nën emergjencën e furnizimit me energji elektrike. Për të përballuar këtë situatë në buxhetin e ri janë përcaktuar 8 miliardë lekë për të blerë energji. Po ashtu qeveria është zotuar për të mbrojtur nga shtrenjtimi i mundshëm i çmimit bizneset e vogla dhe familjet.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:34
Shqipëria ndihmon Kosovën me energji në dy ditët e festave, Pacolli:  Një strategji e përbashkët energjetike midis dy vendeve duhet të jetë hapi i radhës

Shqipëria vendosi të ndihmonte Kosovën duke i dhënë 7680 MËh Kosovës për datat 31 dhjetor dhe 1 janar në mënyrë që familjet të mos festonin në errësirë, në një kohë që vendi po përballet me krizën ekonomike. Pas këtij vendimi, biznesmeni Behgjet Pacolli ka falenderuar kryeministrin Edi Rama, ndërsa ka thënë se një strategji e përbashkët energjetike midis dy vendeve duhet të jetë hapi i radhës mes dy vendeve.

“Faleminderit Kryeministër Edi Rama për ndihmën e ofruar për tejkalimin e krizës energjetike të Kosovës. Një strategji e përbashkët energjetike mes Shqipërisë dhe Kosovës duhet të jetë hapi i radhës, për të arritur konsensusin kombëtar për të ardhmen energjetike të Kosovës dhe Shqipërisë. Kjo është rruga përpara”, shkruan Pacolli.

Ora 19:28
Shqipëria i jep Kosovës 7680 MWh energji elektrike për 31 dhjetorin dhe 1 janarin pa efekt financiar

Shqipëria ka mundur te sigurojë që të furnizojë Kosovën me 7680 megavatë/orë për 31 dhjetorin dhe 1 janarin 2022 ne formën e depozitës dhe pa efekt financiar. Kjo sasi do i kthehet pas Shqipërisë nga Kosova në sezonin e verës gjatë periudhës nga qershori në shtator kur vendi ndodhen ne thatësi dhe ka mungesë të rezervave hidrike. Ministrja e Energjisë, Belinda Balluku tha se përtej ndihmës që do i jepet Kosovës, qeveria është siguruar që shqiptarëve të mos u mungojë energjia në ditët e festave.

'Kryeministri Rama ka lënë porosi të veçantë gjatë ditës së sotme përsa i përket përballimit të krizës energjetike në Kosovë më 31 dhjetor dhe 1 janar. Kemi angazhuar të gjithë burimet njerëzore për të gjetur një zgjidhje dhe për të furnizuar Kosovën në këto ditë shumë të rëndësishme.

Në total do të japim 7680 MWh për datën 31 dhjetor dhe 1 janar 2022, të këtij fundviti që do të kthehen në formën e depozitimit, pra pa asnjë efekt financiar për Republikën e Kosovës duke kërkuar që t’i rikthehen Shqipërisë gjatë sezonit veror kur kushtet hidrike bëhen të vështira. Pra kjo depozitë që do të dorëzohet brenda këtij muaji do të kërkojmë të na kthehet gjatë stinës së verës, nga muaji qershor deri në shtator.

Sot ka qenë në parlament për një debat mbi energjinë. Kriza energjetike ka prekur të gjithë botën. Në ditët në vijim do të flasim më gjerë edhe për abonentët që janë të lidhur me rrjetin e tensionit të mesëm se i detyron të dalin në tregun e lirë por në kushte kaq të vështira, qeveria shqiptare po analizon dhe po merren masat e duhura dhe për këtë target grup.

Është detyrë e jona që t’i ofrojmë vëllezërve tanë që të kenë shërbim. Është me porosi të veçantë nga kryeministri. Do të ofrojmë shërbim të pandërprerë në çdo skaj të Shqipërisë.'- tha ministrja e Energjisë, Belinda Balluku.