Familjet do të paguajnë çmimin e energjisë elektrike me 42 lekë pa TVSH për çdo kilovat mbi 800 KWH që shpenzojnë. Ky është vendimi i qeverisë për të përballuar krizën energjetike për familjet që konsumojnë shumë dhe do të paguajnë me çmimin e tregut. Ndërsa familjet që nuk e kalojnë fashën 800, çmimi nuk ndryshon dhe do të vijojnë ta paguajnë energjinë elektrike me 9.5 lekë. Çmimi i ri do të aplikohet nga data 1 tetor dhe nuk prek bizneset, të cilët do të vazhdojnë ta paguajnë energjinë si tani.

Teksa prezantonte paketën anti-krizë dhe pagesën me 2 fasha që ishte paralajmëruar prej muajsh, kryeministri Edi Rama sqaroi se janë mbi 90% konsumatorë familjarë që konsumojnë më pak se 800 KWH. Rama sqaroi buxheti i shtetit dhe taksapaguesit nuk mund të paguajnë më për familjarët që kanë vila me pishina, oborr të madh dhe ndriçim dekorativ. Duke theksuar se kjo masë merret për të kursyer energji në kushtet e krizës globale, Ministrja e Energjisë, Belinda Balluku tha se nga ky vendim preken vetëm 4% e familjeve shqiptare.

Çmimi 42 lekë për kilovat do të jetë në fuqi deri më 31 dhjetor, ndërsa në janar të 2023-shit pritet të caktohet një çmim i ri për fashën mbi 800 kilovat/orë në varësi të luhatjeve në bursë. Zv.kryeministrja sqaroi se duke vendosur këtë fashë për familjet që konsumojnë shumë, qeveria do të kursejë 100 milionë euro deri në dhjetor 2023, ndërsa pritet të ulet me 2% konsumin e energjisë. Ndër të tjera, Balluku theksoi se kursimi 1% do të ndikojë në kursimin e 28 milionë eurove.

Një tjetër projekt pilot i qeverisë për 2 mijë familje është instalimi i paneleve diellore në pallate në mënyrë që të përdorin për ngrohje uji. Qeveria do t'i mbulojë 70% të kostos nëse ato vendosin të blejnë panele diellore. Sipas ministres, kjo sjell ulje të konsumit energjetik me 20-30%. Në 1 tetor do të nisë gara për ofruesit e impianteve diellore ndërsa nga 1 nëntori do të nisë aplikimi i qytetarëve në portalin elektronik. Përmes këtij plani, qeveria garaton se dimri do të kalojë pa ndërprerje të energjisë elektrike, ndërsa nga kjo javë në terren del Task-Forca për lidhjet e paligjshme.

Pa një plan konkret masash për administratën, qeveria bëri publik vetëm objektivin për të ulur me 15% konsumit mujor të energjisë, me parashikimin për të  kursyer 28 milionë euro në vit. Nga 14 shtatori do të nisë fushatë ndërgjegjësimi për kursimin e energjisë nëpër shkolla.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:18
Nuk duhet vënë lavatriçja më shumë se 8 herë në muaj, kujdes me larjen e pjatave! Ja si duhet të kurseni energjinë (FOTO)

Ministria e Energjetikës ka bërë publike se si arrihet konsumi i 800 kWh për një muaj. Nëse nuk kalohet kjo fashë, atëherë familjet do të paguajnë energjinë me 9.5 lekë/kWh, ndërsa nëse kalohet kjo fashë, do të paguajnë me 42 lekë/kWh me TVSH.

Më konkretisht, në tabelë sqarohet se sa lavatriçja nuk duhet vënë më shumë se 8 herë në muaj. Edhe pjatalarësja nuk duhet të përdoret më shumë se 8 herë në muaj. Për kondicionerin sqarohet se nuk duhet shpenzuar 8.6 kWh në ditë.

Në total, një familje duhet të shpenzojë 30.94 kWh në ditë që të mos e kalojë fashën 800 kWh.

1662639598_fasha.JPG

Ora 09:49
Projekti i qeverisë, Balluku: Do të vendosim panelet diellore në tarracat e pallatave! Nga 1 nëntori, qytetarët mund të aplikojnë për të ndërtuar impiantet

Zv.kryeministrja Belinda Balluku ka zbuluar një projekt të qeverisë që konsiston në mbështetjen e qytetarëve në këtë krizë energjetikë.

“Për sa kohë abonenti ka këtë mbrojtje, e ka të pamunudr të kuptojë se cfarë po ndodh. Ka ardhur momenti që të gjithë të kontribuojmë për të kursyer. Nëse kursejmë 1%, do të ishte ekuivalente e 28 milionë eurove. Ne duhet të fillojmë të reagojmë e të marrim masa.

Ne kemi vendosur që të nisim një projekt me 2000 abonentë, që konsiston në mbështetje. Projekti konsiston në mbështetjen financiare për vendosjen e paneleve diellore në tarracat e pallatave dhe ngrohjen e ujit që konsiston në ulje të konsumit energjetik me 20-30%. Kjo nis që nga 1 tetori. Më 1 nëntor, Agjencia e Eficencës së Energjisë do të hapë një platformë ku të gjithë qytetarët do të aplikojnë për të ndërtuar impiantet”, tha Balluku.  

Ora 09:45
Balluku: Të gjitha familjet që shpenzojnë mbi 800 kilovat do të paguajnë çmimin e energjisë me 42 lekë/KWH

Ministrja e Energjisë Belinda Balluku në prezantimin e paketës së dy të rezistencës sociale në kuadër edhe të masave të përballimit të krizës energjetike tha se çmimi i energjisë do të jetë 42 lekë kilovati për të gjithë ato që shpenzojnë mbi 800 kwH.

‘Mungesa e reshjeve, është viti i parë që Britania e Madhe dhe Gjermani kanë shpallur emergjencë. Kriza sa po vjen dhe thellohet. Duhet të marrim masa konkrete. Jemi munduar që ta shtyjmë më shpresën që të kishte ulje. Kemi arritur një rekord të çmimit të megavatorit, është një çmim rreth 8 herë më i parë. Do shpallim një paketë sa i përket krizës energjetike. Paketa e fashës 800 megavat i përket një grupi shumë të vogël abonentësh. Mbi 96% e abonentëve familjarë konsumojnë nën 800 kwh.

Janë të gjitha pajisjet shtëpiake më një aktivitet normal gjatë muajit. Të gjithë qytetarët mund t’i referohen. Sipas të gjitha llogarive tonë.  Duke vendosur fashën 800 kilovat ne do të kursejmë 100 milionë euro deri në dhjetor 2023, dhe presim të ulim me 2% konsumin e energjisë. 35 lekë është çmimi plus 7 lekë tarifa e shpërndarjes dhe në total shkon 42 lekë kilovati. Pra për çdo kilovat mbi 800 kilovat do të paguhet 42 lekë. Në 31 dhjetor do të vendoset çmimi i ri për fashën. Pra çmimi i energjisë do jetë 42 leke kilovati pwr ata qw shpenzojnw mbi 800 kilovat.’- tha Balluku.

Ora 09:20
Kriza energjetike, Rama: Familjet do të paguajnë me çmim tregu çdo kilovat mbi 800 KWH

Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije planin e qeverisë për të përballuar krizën energjetike.

“Jemi i vetmi vend që ka marrë vendim të prerë për t ë mos e prekur çmimin e energjisë për familjarët. Kemi mbi 90% konsumatorë familjarë që konsumojnë më pak se 800 kWh dhe kemi një numër konsumatorësh rreth 4% që konsumojnë më shumë se 800 kWh. Flasim për konsumatorë familjarë me vila, pishina, me oborr të madh, ndriçim dekorativ për të cilët nuk mund të paguajë më buxheti i shtetit dhe taksapaguesit. Çdo kW mbi 800 do të paguhet me çmimin e tregut. Me këtë synojmë një presion për të ulur konsumin e tepërt në kushte krize. Sikundër e kemi përsëritur disa herë”, tha Rama.

1662622663_Screenshot1.png