Rimëkëmbja ekonomike ishte kryefjalë e vitit 2021, ndërsa për 2022 kriza energjetike është sprova tjetër me të cilën duhet të përballemi.

“Sipas të gjitha parashikimeve këto çmime do të vazhdojnë të rriten deri në gjysmën e parë të vitit 2022”, shprehet eksperti Lorenc Gordani.

Në muajin janar OSHEE pritet që ta importoj energjinë me çmim mesatar 290 euro ose rreth 84 euro për megavat më shtrenjtë se viti 2021. Ndërsa kulmi pritet të jetë me 450 euro për megavat.

“Stabilizimi do të vazhdojë nga fundi i prillit, dhe qershori e në vijim”, thotë Gordani.

Çmimet e energjisë sipas ekspertëve do të jenë të luhatshme në 150 euro për megavat pas muajit qershor dhe do të vazhdojnë të tilla për 2 vitet e ardhshme. Masa e menjëhershme në rast përkeqësimi, mbetet kursimi energjisë, ndërkohë eksperti i energjisë Lorenc Gordani shpjegon masat e tjera që duhen ndërmarrë.

“Masat afatgjata apo afatmesme kanë të bëjnë me ndërtimin e gjeneratorëve të ri energjetik, siç është Skavica apo TEC-i i Vlorës apo të tjera si dhe përdorimi i gazit. Ndërsa më të shpejta janë ato që kanë të bëjnë me vëmendjen të veçantë tek energjitë e rinovueshme”, thotë Gordani.

Si pasojë e krizës gjatë 2021 vendi importoi mbi 228 milionë euro energji elektrike, dyfish më shumë se në 2020. Për të përballuar situatën në vitin 2022 janë vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit 80 milionë dollarë. Shkaku kryesor i kësaj krize është kërkesa e lartë për konsum dhe mungesa e prodhimit.

“Ngërçi kryesor i kësaj rritje erdhi nga mungesa e gazit natyrore. Njëkohësisht ndikojnë edhe masat e ndërmarra për zbutjen e ndryshimet klimatike. Emetimet e karbonit kanë arritur çmime të larta, po ashtu janë rritur çmimet të energjive të gjelbra. U bë miksi perfekt e një furtune që solli rritjen e çmimeve”, pohon eksperti.