ATHINE - Kryeministri i ri Grek beson se do të gjendet një zgjidhje për mosmarrëveshjet me Bashkimin Europian mbi borxhin e madh të vendit. Aleksis Tsipras u shpreh “optimist” pas takimeve me krerët e Komisionit Europian, Të Këshillit dhe Parlamentit Europian në Bruksel. Duke folur në një konferencë për shtyp të përbashkët me presidentin e Parlamentit Europian Martin Schulz, Tsipras tha se marrëdhëniet me BE-në janë në një drejtim të mirë.

“Ne respektojmë rregullat e Bashkimit Europian. Jam shumë optimist. Natyrisht ne ende nuk kemi arritur një marrëveshje por jemi në rrugën e duhur për të gjetur një zgjidhje të përshtatshme”.

Ndërsa Martin Schultz nga ana e tij e quajti bisedën të “frytshme” ndonëse tha se do të ketë kohë të vështira përpara. 

Më herët kryeministri Tsipras u takua me presidentin e Komisionit Europian Jean-Claude Juncker, i cili e mirëpriti me një përqafim të ngrohtë, dhe zhvilloi dhe një takim me presidentin e Këshillit Europian Donald Tusk. Në këto takime është diskutuar mbi një zgjatje të marrëveshjes aktuale të borxhit të Greqisë. Më vonë Tsipras do takohet me presidentin Francoi Hollande në Paris.
Ndërkohë ministri i financave Varoufakis u takua me presidentin e Bankës Qëndrore Europiane, Mario Draghi, në Frankfurt, ku tha se patën një diskutim dhe shkëmbim të ‘frytshëm’. Varoufakis kërkon të bindë BQE-në se pagesa e borxhit të Greqisë mund të lidhet me performancën e ekonomisë – sa më shumë të ketë rritje ekonomike aq më shumë interesa të borxhit do mund të paguajë Greqia, nëpërmjet këmbimit të borxhit. 

Të enjten ministri i financave Varoufakis do të takohet me ministrin Gjerman të financave, Wolfgang Schaeuble, i cili paraprakisht ka theksuar se “zgjedhjet në Greqi nuk mund të ndryshojnë rregullat e BE-së”. Kancelarja Gjermane Angela Merkel ka përjashtuar mundësinë për një anullim të borxhit, teksa nuk ka pranuar as të takohet personalisht me kryeministrin Tsipras.

Tsipras dhe ministri i financave në kabinetin e tij qeveritar, Yanis Varoufakis, zhvilluan një tur diplomatik për të diskutuar me liderët europianë mbi planet e ardhshme dhe zgjidhjen e çështjes së borxhi. Tsipras është zotuar se do të rinegociojë kushtet e borxhit 240 miliardë euro. Partia e tij radikale Syriza u zgjodh muajin e shkuar pas premtimeve për t’u dhënë fund masave të rrepta të daljes së Greqisë nga kriza. Megjithatë një vendim përfundimtar mbi zgjidhjen e çështjes së borxhit grek pritet të mbahet në mbledhjen e ministrave të financës së Eurozonës më 11 shkurt.