Grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës bëri të ditur se të hënën (24 gusht), në orën 11:00, do të jetë në sallën e Kuvendit të Kosovës për vazhdimin e seancës konstituive të këtij institucioni.

PDK i ka dërguar sërish kërkesë kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, që ta thërrasë vazhdimin e seancës në përputhje me Kushtetutën, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregulloren e Kuvendit.

Nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të mbajë qëndrimin se pa marrëveshje për zgjedhje e presidentit nuk  mund të evitohet mbajtje e zgjedhjeve të reja.

Nuk dihet ende se kur do të mbahet takimi i radhës i drejtuesve të Vetëvendosjes dhe LDK-së, në të cilin, siç është paralajmëruar nga të dy palët, do të propozohen emra konkretë të kandidatëve për president./Kosovapress