SHBA- Ndërsa Rusia konsolidon pushtetin mbi gadishullin e Krimesë në Ukrainë, i cili u shndërrua në pjesë të Federatës ruse pas referendumit, Presidenti Amerikan Barack Obama nis nesër një tur gjashtë-ditor në Europë dhe Arabinë Saudite për bisedime me aleatët në një përpjekje për t’u dhënë atyre siguri dhe për të ushtruar presion ndaj Moskës. 

Shefi i Shtëpisë së Bardhë do të bisedojë me partnerët për një paketë ekonomike për Ukrainën, por edhe për sanksione të mëtejshme kundër Rusisë. Ndalesa e parë e presidentit Obama do të jetë Haga, në Samitin e tretë të Sigurisë Bërthamore që do të mbahet atje.
 
Ndryshe nga takimet e mëparshme të G8-ës, Rusia nuk do të jetë pjesë. Obama ka ftuar homologët e tij të G7, takim i nivelit të lartë për armët bërthamore, për bisedime për izolimin e Rusisë.

Më pas shefi i Shtëpisë së Bardhë do të marrë pjesë në takimet e Bashkimit Europian dhe NATO-s në Bruksel. Ndërsa ndalesa e fundit që do të mbyllë turin e tij në Europë, është Roma, ku Obama do të takohet për herë të parë me papa Françeskun. 

Më pas Presidenti Barak Obama viziton Arabinë Saudite, ku lufta në Siri dhe ambiciet bërthamore të Iranit pritet të jenë në fokus të bisedimeve dypalëshe.

Redaksia online
(esh/shqiptarja.com)