Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry ka akuzuar Rusinë se po destabilizon situatën në Ukrainë. Sipas tij Rusia nuk po respekton marrëveshjen e Gjenevës. Në një deklaratë për shtyp Kerry i bëri thirrje Moskës të ndihmojë në uljen e tensionit në rajon ose të përballet me sanksione të reja.

Ai kritikoi faktin se asnjë zyrtar rus nuk ka dalë publikisht për t’u kërkuar separatistëve pro-rusë në Ukrainë të respektojnë marrëveshjen e Gjenevës, të dorëzojnë armët dhe të largohen nga godinat qeveritare. Sipas tij Moska po financon dhe koordinon lëvizjet e separatistëve në rajonin e Donetskut.

Nga ana tjetër Rusia i kërkoi Ukrainës të ndalojë menjëherë operacionin anti-terror. Presidenti rus Vladimir Putin e quajti sulmin e qeverisë ukrainase mbi popullin e saj si një krim të rëndë. 

Ministri rus i mbrojtjes Sergei Shoigu lajmëroi ditën e enjte fillimin e stërvitjes ushtarake të trupave ruse në lindje të kufirit me Ukrainën për t’iu përgjigjur Kievit për dhunën e ushtruar mbi popullin e saj. Ai shtoi se Rusia është e detyruar të reagojë pasi numri i viktimave do të rritet më tej nëse qeveria ukrainase nuk heq dorë nga operacioni anti-terror.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)