RUSI- Pas telefonatës mes presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barack Obama, kontaktet diplomatike mes Rusisë dhe Perëndimit, duket se po fillojnë të japin frytet e para. Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, është shprehur se palët po fillojnë të afrohen për një zgjidhje diplomatike të krizës në Ukrainë.
 
Lavrov, në televizionin rus “Russia 24”, ka bërë me dije se Rusia nuk ka asnjë qëllim dhe interes që të ndërhyjë në kufijtë ukrainas. Ai ka shtuar se e vetmja gjë që duam është që puna të jetë e përbashkët dhe që ilegaliteti i disa vendeve perëndimore, që po tentojnë të fshehin situatën e vërtetë, të ndalohet.
 
Mbrëmjen e të premtes Putin i ka bërë thirrje presidentit amerikan, Barack Obama që të zhvillojnë diskutime sa i përket çështjes së Ukrainës. Presidenti i SHBA-ve, Barack Obama ka bërë të qartë se ky takim do të ndodhë vetëm nëse Rusia tërheq prapa trupat e saj dhe nuk merr asnjë hap më tej për të shkelin integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës.
 
Sipas Shtëpisë së Bardhë, Obama ka sugjeruar që Rusia të shkruajë një përgjigje konkrete me shkrim lidhur me këtë kërkesë. Së shpejti, ka njoftuar ai, dy ministrat e Jashtëm do të takohen për të diskutuar për hapat e ardhshëm.
 
Marrëdhëniet mes Rusisë dhe SHBA-ve janë tensionuar pas aneksimit të Krimesë nga Rusia. Këtë veprim të Rusisë e kanë dënuar pothuajse të gjitha vendet perëndimore ndërsa nuk kanë munguar edhe të tjera që janë shprehur pro veprimeve ruse.
 
Ndërkohë, ditën e sotme ka pasur edhe një bisedë telefonike mes kreut të diplomacisë ruse Sergei Lavrov dhe sekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës John Kerry, ku u bisedua rreth krizës në Ukrainë. Ministria e jashtme e Rusisë bën të ditur se Lavrov dhe Kerry biseduan rreth programit për kontaktet e reja për zgjidhjen e kësaj krize.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)