Kriza në Ukrainë, në Krime 97%
i thanë 'Po' bashkimit me Rusinë

KRIME - Kryeministri i Krimesë Sergei Aksyonov bëri sot publike rezultatet përfundimtare të referendumit.

Gati 97% i kanë thënë po bashkimit me Rusinë.  Saktësisht 1 233 002 votues, pra 96.77% kanë votuar pro ndarjes me Ukrainën.

Pak minuta pas mbylljes së votimit dje Shtëpia e Bardhë, ka reaguar në lidhje me rezultatin e referendumit. Washingtoni ka paralajmëruar Moskën se do të mbajë “kostot” për ndërhyrjet ushtarake dhe thyerjen e të drejtës ndërkombëtare për Ukrainën. Kryeministri i Krimesë shkruante në Twitter se sot do të kërkonte zyrtarisht bashkimin me Rusinë.

Edhe dje me rezultatet e para zyrtare të referendumit  “Po” për bashkimin e Krimesë me Rusinë kishin votuar 93 për qind.

Në orën 19:00 të mbrëmjes së djeshme (ora e Shqipërisë) janë mbyllur të gjitha qendrat e votimit dhe siç bëhet e ditur në këtë referendum kanë marrë pjesë mbi 80 për qind të 1.5 milionë të votuesve. Është votuar në 1205 qendra votimi me 27 komisione elektorale.

Kryeministri i përkohshëm i Ukrainës Arseni Jatsenuk u zotua të vërë përpara ligjit të gjithë separatistët të cilët po mundohen të shkatërrojnë pavarësinë e Ukrainës. Ai tha se edhe nëse do të duhen disa vite, të gjithë përgjegjësit do të gjykohen në gjykatat ukrainase dhe ato ndërkombëtare, duke shtuar se toka do të digjej poshtë këmbëve të tyre.

Më herët Ukraina dhe Rusia kanë rënë dakord për ‘armëpushim’ në Krime deri në 21 mars. Lajmi është konfirmuar nga ministri i mbrojtjes ukrainas Igor Tenyukh i cili tha se nuk do të ketë masa ndaj bazave tona ushtarake të ukrainës në Krime pavarësisht rezultatit që do dalë nga referendumi.  Marrëveshja në fjalë, është arritur sot në mesditë mes Ministrisë së Mbrojtjes ruse dhe asaj ukrainase.

Qindra vëshgues ndërkombëtarë kanë monitoruar procesin e votimit dhe pritet të prezantojnë deklaratën e tyre mbi referendumin në Krime, më 17 mars. Lajmi u bë i ditur nga kreu i komisionit të monitorimit, i cili është dhe deputet i parlamentit të Polonisë, Mateush Piskorski. Ai shtoi se procesi i votimit ishte brenda normave dhe standarteve europiane.

ORA 22:15 PUTIN TELEFONATË ME OBAMËN: REFERENDUMI I LIGJSHËM
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka zhvilluar një telefonatë me presidentin e SHBA-së, Barack Obama. Sipas asaj që njoftohet nga Kremlini, presidenti rus i ka thënë homologut amerikan se, “referendumi në Krime është sipas të gjithë të drejtave ndërkombëtare”.

ORA 21:51 REZULTATET E PARA: 95 % E VOTUESVE JANE PRO BASHKIMIT ME RUSINE
Krimeja po shkon drejt Rusisë dhe për këtë kanë votuar 95 për qind e votuesve në referendumin e sotëm. Rreth orës 21:40 minuta kanë dalë edhe rezultatet e para zyrtare të referendumit. Siç shkruan Tgcom dhe Rusia Today, vetëm 5 për qind e votuesve janë kundër bashkimit me Rusinë dhe duan që të jenë në Ukrainë.
 
ORA 21:47 KRIMEJA KERKON NESER BASHKIMIN ME RUSINE
Ndërkaq kryeministri i Krimesë Serghei Aksyonov ka deklaruar se, ditën e hënë do të kërkojë zyrtarisht bashkimin me Rusinë. Deklarata e Aksionov është bërë në profilin e tij në Twitter.

ORA 21:01 SHBA, KERRY: NUK DO E NJOHIM REFERENDUMIN E KRIMESË
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry diskutoi sërish sot në telefon me homologun e tij rus, Sergei Lavrov duke i rikonfirmuar karakterin ilegal të referendumit të organizuar në Krime për bashkimin e saj me Rusinë. “SHBA nuk do ta njohë rezultatin”, deklaroi Kerry, sipas një komunikate të Departamentit amerikan të Shtetit. “Gjatë një bisede telefonike me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, sekretari i Shtetit, Kerry rikonfirmoi se SHBA-ja e konsideron referendumin ilegal, sipas ligjit ukrainas për këtë çështje”, shtoi departamenti i sipërcituar. Sipas rezultateve paraprake, 93 për qind e votuesve kanë votuar pro bashkimit me Rusinë në referendumin e zhvilluar sot në Krime.

ORA 20:03 KRIMEJA VOTON PRO BASHKIMIT, RUSIA: “MIRË SE ERDHËT”
Vladimir Putin po sfidon botën me një lëvizje të denjë për një ndeshje shahu Spassky kundër Fisher, duke “konfiskuar”, Krimenë ku një valë prej më shumë se 1 milionë personash i kanë thënë “Po” bashkimit me Rusinë.

“Jemi kthyer në shtëpi”, “Rusi të duam”, bërtasin qindra persona në sheshin Nahimov në Sevastopol, duke valëvitur flamujt rusë, ndërkohë që festa ka shpërthyer kur ende janë duke u numëruar fletët e votimit. Por nga ana tjetër nuk pritej ndonjë surprizë pasi “Po”, për bashkimin me Rusinë ishte paralajmëruar që më parë edhe në fshatrat me popullsi tatare.  

Ndërkohë që SHBA-ja flet për një referendum të paligjshëm shumica e banorëve të Krimesë e shprehin haptas dashurinë për Rusinë dhe Putinin. Dhe shenjat nga Kremlini nuk kanë munguar duke bekuar edhe referendumin: Moska e pret vullnetin e qytetarëve që në fjalë të thjeshta është një “mirë se ardhje” në Rusi.

ORA 18:35 BE DËNONIN ZYRTARISHT REFERENDUMIN NË KRIME
Bashkimi Europian dënoi zyrtarisht sot referendumin që po zhvillohet në Krime për bashkimin e gadishullit ukrainas me Rusinë duke e konsideruar ilegal dhe ilegjitim dhe shtoi se për çështjen e sanksioneve unioni do ta merrte nesër vendimin.
 
“Referendumi është ilegal dhe ilegjitim dhe rezultati i tij nuk do të njihet”, deklaruan së bashku presidentët e Këshillit Evropian dhe të Komisionit Evropian, Herman Van Rompuy dhe José Manuel Barroso. ”Ministrat e Jashtëm të unionit do të prononcohen nesër për sanksionet”, shtuan ata.

ORA 18:04 NUMRI I VOTUESVE I KALON TË 1 MILIONËT NË KRIME
Pjesëmarrja e votuesve në referendumin për bashkimin e Krimesë me Rusinë kaloi shifrën një milion thënë ndryshe 64 për qind e numrit të përgjithshëm të tyre, njoftoi Komisioni Elekoral. Njoftimi vjen më pak se tri orë nga mbyllja e kutive të votimit.

ORA 14:35 HIMN DHE THIRRJE PRO RUSE NË SEVASTOPOL
Himni rus dëgjohet nga altoparlantët e vendosur në të gjithë sheshin e Sevastopolit, ndërsa thirrje për tu bashkuar me Rusinë dhe postera kundër NATO lexohen kudo në qytet. Ndërkaq nga të dhënat e para deri më tani, bëhet e ditur për një pjesëmarrje rreth 50% në referendumin për t’iu bashkuar Rusisë.
 
Parlamenti i Krimesë ka planifikuar një takim për nesër në mëngjes në orën 10:00 sipas kohës lokale për të miratuar rezultatet e referendumit të mbajtur sot. Kjo gjë u bë e ditur nga kryeministri i Krimesë Sergej Aksyonov.
 
Ndërkohë ministrat e jashtëm të BE  do të takohen po nesër në Bruksel, për të diskutuar çështjen e Ukrainës si dhe sanksionet ndaj Rusisë. 

ORA 13:20 FORCAT PRO-RUSE SULMOJNË DISA ZYRA
Një incident është shënuar sot në Krime ku po votohet për referendumin, për ribashkim me Rusinë ose për të qëndruar brenda Ukrainës. Demonstrues pro-rus kanë sulmuar godinën e Shërbimit të Sigurisë Kombëtare dhe zyrat lokale. Siç njoftojnë mediat e huaja demonstruesit kanë thyer dritaret e godinave, ndërsa kaqnë hequr flamurin ukrainas dhe vendosën flamurin rus.
 
Ndërkohë në këto momente në Krime ndodhen rreth 22 mijë trupa ruse, gati dyfishi i limitit të lejuar sipas marrëveshjes në Detin e Zi mes Rusisë dhe Ukrainës, njofton ANSA. Të dhënat janë bërë të ditur nga ministri ukrainas i mbrojtjes Igor Teniukh

ORA 12:30 LAVROV I TELEFONON KERRIT: REFERENDUMI I LIGJSHËM
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, gjatë një bisede telefonike sot me sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry,  i ka thënë se Rusia e konsideron referendumin e sotëm në Krime në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar. 

larov karry
Banorët e Krimesë votojnë sot për ribashkim me Rusinë ose për të qëndruar brenda Ukrainës, por me më shumë autonomi. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian tashmë kanë hedhur poshtë referendumin si të paligjshëm. Përtej çështjes së statusit të ardhshëm votimi në Krime, ka të ngjarë të ndikojë në marrëdhëniet e ardhshme ndërkombëtare në rajon dhe më gjerë .

Qendrat e votimit u hapën në të gjithë Krimenë në orën 08:00 sipas kohës lokale dhe do të mbyllen 12 orë më pas. Sipas CNN në një qendër votimi, pjesa më e madhe e fletëve të votimit kanë qenë në favor të bashkimit me Rusinë, ndërsa rezultatet priten të dalin nesër.

Edhe Shtetet e Bashkuara tashmë ka thënë se pret që shumica e popullsisë etnike ruse në gadishullin e Detit të Zi të votojnë në favor të bashkimit me Rusinë .
 
ORA 11:58 KRYEMINISTRI KRIMESË, AKSYONOV: TË TREGOJMË ASPIRATËN TONË
Që në hapje të votimit, Kryeministri i Krimesë Sergej Aksyonov, u bëri thirrje banorëve të Krimesë për të hedhur votën e tyre në mënyrë të pavarur.
 
krime
Aksyonov pranoi se sytë e gjithë botës janë mbi ne sot. Ai i kërkoi banorëve të Krimesë të tregojnë aspiratën e tyre për të jetuar të lirë në botë në marrëdhënie miqësore me të gjithë.

ORA 11:07 135 VËZHGUES NDËRKOMBËTARË
 Autoritetet e Krimesë kanë raportuar se janë 135 vëzhgues të regjistruar ndërkombëtarë të 23 shteteve si, Austria, Belgjika, Bullgaria, Franca, Gjermania, Hungaria, Italia, Letonia dhe Poloni.
 
Anëtarë të Bashkimit Europian, ekspertë të së drejtës ndërkombëtare dhe aktivistë të të drejtave të njeriut së bashku me 1 240 vëzhgues vendas po monitorojnë procesin e votimit. Ndërsa 623 gazetarë vendas dhe ndërkombëtar janë vendosur në Krime për të raportuar mbi referendumin. 

ORA 10:00 GRUPI ETNIK TURK BRAKTIS VOTIMIN 
Sipas CNN në një qendër votimi, pjesa më e madhe e fletëve të votimit kanë qenë në favor të bashkimit me Rusinë. Ndërsa  80% e votuesve në një qendër votimi në Bakhchysaray janë kthyer pas sepse nuk ishin në listën zgjedhore.

Pjesëmarrja në votime është e madhe, por shumë 'tatarë', një grup etnik turk me rrënjë të thella në gadishullin e Krimesë, kanë bojkotuar votimin, si shumë ukrainas etnikë. Tatarët, që përbëjnë rreth 12 % të popullsisë së Krimesë, janë përballur me persekutime të rënda në të kaluarën, kur Krimea i përkiste Rusisë.
 
HACKERAT SULMOJNË FAQEN E NATO-S
Ndërkohë disa orë para hapjes së votimit për referendum në Krime, një grup që e quan veten “cyber berkut” ka thënë se sulmi është kryer nga ukrainas patriotë, të zemëruar me, siç kanë thënë, ndërhyrjen e NATO-s në vendin e tyre. Berkut u referohet forcave speciale të policisë në Ukrainë, të cilat janë shpërndarë pas rënies së regjimit të Viktor Yanukovychit. Ishte zëdhënësja e Aleancës së Atlantikut, Oana Lungescu, e cila dha lajmin, duke deklaruar se asnjë nga sistemet e saj themelore nuk është komprometuar.
 
SHBA E BE REFERENDUMI I PALIGJSHEM
SHBA dhe BE kanë paralajmëruar se vota në Krime cënon ligjet ndërkombëtare dhe kushtetutën e Ukrainës duke theksuar se do të ketë sanksione të ashpra ndaj Rusisë nëse referendumi shkon përpara.
 
Votuesit në Krime janë duke u pyetur nëse ata do të donin për tu ribashkuar me Rusinë, ndërsa rezultatet e para pritet të dalin menjëherë pas referendumit.
 
Trupat ruse kanë marrë nën kontroll rajonin ku rusët etnikë formojnë një shumicë të qartë (58.5 %), dhe shumë prej tyre pritet të votojnë për t'u bashkuar me Rusinë.
 
KIEV: VOTIMI NEN PRESIONIN E RUSISE 
Autoritetet në Kiev, të mbështetur nga BE dhe SHBA, e kanë dënuar votimin si "jolegjitim". Ata thonë se një votë e lirë është e pamundur nën një presion të tillë rus. Megjithatë, Kremlini e mohon zyrtarisht vendosjen e trupave shtesë atje, duke i konsideruar ato si "forca të vetëmbrojtjes” së Krimesë.

Ditën e djeshme, Rusia ishte i vetmi anëtar i Këshillit të Sigurimit, i cili vendosi veton ndaj projektit rezolutës së OKB-së për mosnjohjen e referendumit që po mbahet në Krime. Dokumenti i hartuar nga SHBA u mbështet nga 13 anëtarë të Këshillit ndërsa Kina, e cila konsiderohet si një aleat rus për shumë çështje, abstenoi. Pekin ka thënë se mbështet integritetin territorial të Ukrainës. Rajoni i Krimesë ishte pjesë e Rusisë deri në vitin 1954.

Rusia ndërhyri në gadishullin e Krimesë duke vënë nën kontroll ndërtesat qeveritare dhe bllokimin e trupave të Ukrainës në bazat e tyre pas rënies sw presidentit pro rus të Ukrainës Viktor Janukoviç, më 22 shkurt.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Shkodër/ Tritol hotelit në Theth,  ja kush janë pronarët (EMRAT)

Shkodër/ Tritol hotelit në Theth, ja kush janë pronarët (EMRAT)