Europa mund të përballet me mungesë serioze karburanti brenda pak javësh. Paralajmërimi vjen drejtpërdrejt nga kreu i kompanisë Shell, Wael Sawan, i cili thotë se situata mund të përkeqësohet që në prill nëse nuk rihapet ngushtica strategjike e Hormuzit.
Duke folur në një konferencë energjie në Teksas, Sawan e tha pa dorashka: kriza ka nisur të lëvizë zinxhir nga Azia drejt Europës. Fillimisht goditi Azinë Jugore, më pas Azinë Juglindore dhe Verilindore, dhe tani po afrohet te tregjet europiane, pikërisht në një moment kur kërkesa për energji pritet të rritet.
Në tregjet ndërkombëtare, çmimi i naftës ka ka pësuar shumë luhatje. Ai ra në rreth 100 dollarë për fuçi nga 114 dollarë në fillim të javës, pas lajmeve për një plan paqeje të propozuar nga SHBA ndaj Iranit. Megjithatë, kjo rënie nuk e ndryshon thelbin e problemit: nëse nafta dhe gazi nuk kalojnë përmes Hormuzit, furnizimi global mbetet i kërcënuar.
Sipas Sawan, kriza tashmë po ndikon drejtpërdrejt në produkte konkrete. Çmimi i karburantit të avionëve është dyfishuar që nga fillimi i konfliktit, ndërsa presioni po zhvendoset te dizeli dhe më pas te benzina, sidomos me afrimin e sezonit veror kur kërkesa rritet si në SHBA ashtu edhe në Europë.
Paralelisht, alarmi është ngritur edhe nga politika. Ministrja gjermane e ekonomisë, Katherina Reiche, tha se mungesat në furnizim mund të shfaqen nga fundi i prillit ose në maj nëse situata nuk stabilizohet, duke e cilësuar edhe daljen nga energjia bërthamore si një gabim të madh strategjik.
Nga ana tjetër, kreu i BlackRock, Larry Fink, paralajmëron pasoja edhe më të rënda. Nëse çmimi i naftës shkon drejt 150 dollarëve për fuçi, bota mund të hyjë në një recesion të fortë ekonomik, me ndikim të drejtpërdrejtë në tregje dhe jetën e përditshme.
Në fund të fundit, gjithçka varet nga një pikë kyçe në hartë: Hormuzi. Nëse nuk rihapet, Europa rrezikon të futet në një krizë energjie më shpejt nga sa pritej.
Komente












